Edhe hapja e dosjeve, dhe të zhdukurit në kalenda?!

15 Shkurt 2016, 20:28Blog TEMA

Nga Ben Andoni

 

Tranzicioni ynë krejt specifik, që nuk po njeh fund, me siguri do përbëjë një mësim për shkollat politike të së ardhmes, sesi nuk duhet bërë politikë. Si në pak vende, demokracinë vazhdojnë e bëjnë ish-ët apo pinjollët e atyre që mbajtën diktaturën, kurse ndershmërinë e shpallin më së shumti kolaboracionistët apo lukunia e kinseve, që u trimëruan prej pa-ndëshkimit të hapjes së dosjeve.

Kjo të bën të gjykosh se hapja e dosjeve dhe sidomos gjetja e të zhdukurve është një mision krejt i largët edhe për ekipin aktual qeverisës. Me pak fjalë, dështimi i dy kampeve politike dhe demagogjia lodhëse e tyre me gjasa do përcillet edhe në këtë legjislaturë, dominuar nga të majtët. Prova më e qartë është sintaksa që po përdorin ndaj njëri-tjetrit dhe shikimi demagogjik i të shkuarës. Por të mos largohemi kaq shumë: Edhe pse është fare e lehtë teknikisht, ende nuk ‘dihet’ fati i të mbeturave mortore të Remzi Hoxhës, vrarë mu në kohën tonë. Të mendosh se njerëzit që e dinë dhe lidhen me fatin e tij janë të gjallë dhe ShISh-i i akuzuar direkt, s’jep një përgjigje, atëherë kjo e forcon argumentin tonë. Sikur të mos mjaftojë, kemi një president të anatemuar nga shumica, por edhe gati të boshtë për ide, e një personazh që nuk ka asnjë prioritet në presidencën e vet, qoftë edhe për Dosjet. Një vëzhgim i qetë të bën të kuptosh se kinse neglizhenca e tregon realisht frikën për dosjet dhe gjetjen e të zhdukurve.

Dhe, megjithë fjalën e mrekullueshme të kryeministrit, të lexuar me vështirësi nga ministri i tij i Punës në Konferencën e dështuar të Donatorëve në dhjetor për mbledhjen e fondeve për të zhdukurit, s’po duket më asnjë shenjë vullneti, që u duk se mbizotëroi publikun pak javë të 2015 prej autoriteteve. Habitesh sesi në gazetat, tani opozitare, ke përditë fakte interesante të persekutimit (paradoksalisht referuar edhe nga njerëz të Ministrisë së Brendshme së kohës Berisha) dhe nuk ka pasur adresim real dhe konkret të përgjegjësve.

Si duhej!

Po si mund të bëhej diçka? Mbase është fare e thjeshtë! Nëse shteti shqiptar do e dëshironte realisht zbardhjen e procesit së të zhdukurve, për të cilin është angazhuar e që iu ka dhënë pafajësinë që prej shtatorit të 1991-shit, atëherë duhet të ndërmerrte vetë hapa të vullnetit të mirë në këtë drejtim. Që do të thotë ta financonte vetë fillimin e procesit së të zhdukurve dhe pastaj t’ua kërkonte fondet shtesë donatorëve ndërkombëtare, faktorit të përgjumur vendas dhe diasporës shqiptare.

Po kur kjo mungon, si mund të lëvizë i gjithë mekanizmi! Për hir të së vërtetës, procesi ka nisur disi dhe në Komitetin e të Përndjekurve është ngritur një zyrë. Bilal Kola, kreu i të përndjekurve, ka marrë përgjegjësitë dhe vazhdimisht apelon. Kurse pak muaj më parë, në një konferencë për të zhdukurit edhe me pjesëmarrjen e ICMP-së (Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur), u shtruan shumë gjëra për procesin, krahas patetizmit të zakonshëm të pjesëmarrësve, që rendën kush e kush të bënte më të persekutuarin. U lajmërua krijimi i zyrës përkatëse që do merret enkas për gjetjen e të Zhdukurve të Komunizmit, ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama, kurse zv\ministria Genta Sula, mori përsipër dhe është investuar me të gjithë staturën e vet në këtë proces, që përfaqësuesi i ICMP-së , Hollyday ua shpjegoi më qartë të pranishmeve: se nuk ka më nevojë për fjalë por vullnet dhe punë.

Realiteti

Por nga e thëna në të bërë ka shumë punë. Së pari, ka një kaos numrash. Deri tani, merret se shuma e të zhdukurve në komunizëm është 6000 persona! Konfirmohen edhe vendet kryesore të

ekzekutimit por edhe sesi viktimat e ndryshme të persekutimit politik nga ekzekutimet me ose pa gjyq, shtuar me të vdekurit në kampe dhe burgje janë groposur në varre kolektive apo janë të varrosur pa shenja (?) në kufi, gjatë tentativave të dështuara për arratisje. Problemi është edhe teknik se shumë prej tyre janë varrosur në rrëpira, ose brigje shumë të ekspozuar ndaj problemeve gjeomorfologjikë dhe atmosferikë, që e bën nisjen e shpejtë të procesit sa më të nevojshëm. Ende sot, njerëz të ndryshëm pretendojnë se Ministria e Brendshme e kohës kishte evidenca të qarta dhe dokumentim për çdo vdekje, ndërkohë të përndjekurit thonë se jo! Kjo luftë verbale i shtohet problemit real që mbetet ai financiar. Pas database që duhet të krijohet me familjarët për t’i identifikuar më vonë me ADN-në e tyre, për çdo viktimë kostoja e gjetjes kërkon 1500USD. Shteti e llogarit faturën globalisht dhe kjo është frikuese në morinë e problemeve ekonomike. Ndërkohë që shteti shqiptar mund të bënte shenjën e një vullneti të mirë nëse me shpenzimet e veta do të mbulonte një pjesë të punës, p.sh. le të nisej (ashtu si është sugjeruar) me identifikimin e 13 kufomave, që ruhen në Morg, e që u gjendën në afërsi të Dajtit, që megjithë zhurmën politike që u bë deri më tash, nuk janë identifikuar sot e kësaj dite.

Procesi duket shumë i avashtë dhe duke parë detyrimet e Shqipërisë për Reformën në Drejtësi, përfshirjen në luftën kundër terrorizmit, përgatitjet e Opozitës për protesta dhe kaosin politik, që do kulmojë me zgjedhjet e 2017 ka pak gjasa të ketë angazhim.

Dhe këtë e kuptoi çdo njeri që mori pjesë në Konferencën e mbledhur në dhjetor, kurse qeveria shqiptare megjithë angazhimin e zv\ministres Sula, duket thjesht “e larë” me promovimin e Ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish­Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” në fuqi qysh gati një vit më parë.

Pak njohuri dhe Çfarë parashikohet?

Ligji u miratua në seancën plenare në datën 30 prill 2015. Presidenti e dekretoi ligjin dhe pas botimit në Fletoren Zyrtare, llogaritej votimi i shpejtë nga parlamenti i pesëshes drejtuese të njësisë që njihet si Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Kjo njësi 2 anëtarë i propozohen nga parlamenti, 1 prej tyre nga qeveria, 1 prej tyre nga të përndjekurit politikë dhe 1 nga shoqëria civile, kuptohet nga OJF, që lidhen me fushën e të drejtave të njeriut. Menjëherë kjo njësi do bënte rregulloren e Autoritetit dhe nga data e certifikimit, kishte mundësi reale të ngrinte strukturën. Shpresohej se stafi do bëhej shpejt pasi këtë e obligonte Kodi i Punës. Dhe pas kësaj, jo më larg se afati i 3 muajve, të gjitha Autoritetet vendimmarrëse në Shqipëri dhe institucionet përkatëse, nisur nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Informimit Kombëtar, arkivat dhe të gjitha entet që disponojnë dokumentacione që kishin lidhje me dosje të ish-Sigurimit të Shtetit, do ishin të detyruara ligjërisht t’ia përcillnin këto dokumente Autoritetit.

Në muajt shtator dhe tetor të vitit të shkuar, lajmet për gjetjen e të zhdukurve në komunizëm dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ngritja e arkivës së përgjithshme zinin shpesh vend në edicionet mediatike. Sot, ka një heshtje, sepse moria e lajmeve për Reformën në Drejtësi, korrupsionin, Byronë e Hetimit dhe kongresin e PS-së mbushin çdo gjë. Kurse ata presin, siç kanë pritur në problemin e tyre kaluar në kalenda. Por, edhe se nën-dhé është më e lehtë të kesh durim dhe shpresën se Zoti vërtetë u flet shqiptarëve të jenë të paktën të ndershëm me veten.

4 komente në “Edhe hapja e dosjeve, dhe të zhdukurit në kalenda?!”

  1. Kin Buba says:

    Artikull me shume vlera, z. artikullshkrues, por kam frike se ata qe duhet ta lexojne per te mesuar, nuk e prekin me dore. Baballaret e tyre i kane pushkatuar me gjyq e pa gjyq dhe bijtë, i kane lare duart si Pilati, “jemi te pafajshem”. Nje Zot e di se kur do te gjenden te zhdukurit. Shpresoj te subkoshjenca e ndonjerit qe s’ do mund ta mbaje te fshehur enigmen dhe do t’ia thote dikujt sekretin, pa shkuar te të shumetit. E persa thoni ju se te persekutuarit nuk dine gje, kjo eshte e vertete, se ata ishin ne burgje “te vdekur” te pavarrosur.

  2. Shoku shpati says:

    @ kin Buba
    Prit njehere kemi Halle te tjera
    Kemi pronen pa shkatetru plotesisht shpresojme ti japim fund me jete ligjin e Ri.
    Kemi fullhajnin deliun e jorgjit kseren qe del se shpejti Kane hequr gjithe ate stres duan leket
    Por fajin nuk ekemi vetem ne
    Po ATA budallenjte bijte e ish pronareve ish
    Te burgosur e te pushkatuar e nuk Kane faj fare
    Kane dale Ndonjehere te protestojne
    Kane ngrite ndonje parti qe te mbrojne interesat e veta apo rrine si lolo dhe votojne per partite tona
    Ca presin t’ i themi hajdeni ju uluni ne karriget tona eshte degjuar Ndonjehere kjo gje?
    Turp te kene ngelen neper dyert e zyrave tona si lypsare.keshtu O kin
    Gomar in nga balta e nxjerr i Zoti
    Shifni e boni .

  3. Elio Gora says:

    Eshte per tu pershendetur iniciativa e te majteve per gjetjen e viktimave te komunizmit.Nese eshte veprim serioz vertet duhet te pershendetet.Pra nese kjo realizohet,i vjen ne ndihme nje elektorati qe kurre nuk ka votuar per te majten.Me vjen keq qe po bej kete arsyetim,por eshte e pamundur te mos e nenvizosh.Eshte shume vone per ta bere kete veprim.Kjo duhej te ishte realizuar nga partia demokratike menjehere sapo erdhi ne pushtet ne 1992-in.Ku ishin te afermit e viktimave?Perse nuk ja kerkonin kete shpetimtares se tyre,ajo qe ju solli lirine,ajo qe qysh ne fillim beri thirrje per lirimin e te burgosurve politike.Thashe eshte shume vone sepse shume njerez qe mund te kishin dijeni per vendvarrosjet e viktimave,mund te kene nderuar jete.Une kam njohur nje person per te cilin thuhej se ka pushkatuar me doren e tij mbi 90 vete,me detyre polic,analfabet por qe mund te jepte nje ndihme te madhe.Ai mundet te mos mbaje mend emrat e te pushkatuarve por vendet e pushkatimit mund ti mbaje mend.Gjithashtu nese do te ishte mare seriozisht kjo pune,qeverite e partise demokratike duhej te krijonin tek personat qe kishin dijeni,nje klime te tille qe tu largonin friken e pergjegjesise por ndoshta te vensodej edhe ndonje shperblim per kete kategori njerezish.Eshte e vertete ajo qe ceket ne shkrim se ish zyrtaret e kohes se diktatures pohojne se cdo ekzekutim personi eshte shoqeruar me dokumentacion te hollesishem.Per cdo rast perpilohej nje skice e vendvarrosjes ku beheshin shume perpjekje per tu vendosur elemente qe ky vendvarrim te identifikohej edhe pas shume dekadash.E veshtire eshte per te ekzekutuarit e viteve te para,ndoshta deri ne vitet 1950-1955.Egersia e diktatures ishte me e madhe dhe nuk i binte ndermend kujt te perpilonte skicen.Eshte mekat qe familjareve te viktimave tu shtosh edhe nje faj,por eshte llogjike qe ata duhej te perpiqeshin qysh vitet e para te demokracise per gjetjen e eshtrave te te afermve te tyre dhe te mos perdoreshin si “mish per top” dhe per vota nga partite politike.

  4. Kin Buba says:

    Po, more shoku “Shpati” qe gezoki pseudonimin e Enverit, njashtu si thoni Ju asht, po pasunia do te kthehet dikur, se asht e patundshme, nuk vdes, por te persekutuemit, baballaret po vdesin, asht nji humbje kombetare, se te bijte nuk pyesin hiç veç kerkojne damshperblimin me e ba rrush e koumbulla. Duhet te gjenden eshtnat e te vdekurve , se akuzojne nga vorri. Vendin e te vorrosunve mund t’ na e diftojne vetem persekutoret e vorrmihesit, se kur te vdesin ata, ngjarjet e te persekutuemve do te diftohen si perrallë: ” Na ishin nji here disa te persekutuem”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje