#NdihmoniAnxhelen/ Jepni edhe ju kontributin tuaj sado të vogël per ti rithyer buzëqeshjen /Anxhela Nocka. Kliko Ketu
mbyllet per 10 sekonda ose kliko X

Ish-zv.ministri i Energjetikës: Një shpjegim i detajuar mbi zanafillën e aferës CEZ

Nga Pajtim Bello

Çështja CEZ, që dukej se ishte arkivuar, u kthye përsëri dhe si një stuhi ethesh pushtoi teatrin e ngjarjeve në Shqipëri. Politika, institucionet shtetërore, media, analistë të varur e të pavarur dhe gjithë opinioni publik lundroi mbi shtresën vluese të kësaj stuhie. Koha prodhoi dhe prodhon më shumë debat politik të mbingopur me mjegull dhe shterpësi. Ndryshe nga ky debat dua të sjell shifra, fakte dhe argumente që ti japin mundësi shqiptarëve të shohin e të gjykojnë çfarë ka ngjarë, kush janë regjisorët, kush janë aktorët, çfarë kostosh janë krijuar dhe kush ka paguar për to.

Që në fillim më duhet të them se nuk ka një çështje puritane CEZ , por ka një çështje CEZ-Qeveri Shqiptare. Natyrisht nuk mund të ketë një çështje ku ka luajtur vetëm një palë-CEZ-i!… Më tej deklaroj pa mëdyshje se çështja përfaqëson një mozaik papërgjegjshmërish, shkeljesh, shpërdorimesh, abuzimesh etj… të institucioneve shtetërore apo individëve shtetarë. Ky mozaik i sipërpërshkruar ka krijuar një traumë të rëndë në Sistemin Elektrik Shqiptar; kanë krijuar humbje financiare kolosale, që  i ka paguar buxheti i shtetit dhe xhepi i shqiptarëve; ka krijuar ambient për një veprimtari korruptive ku me sa duket janë përfshirë institucione, individë në nivele të ndryshme të administratës shtetërore, deri në shoqëri private që kanë bashkëpunuar me segmente apo individë të administratës shtetërore.

Ngjarjet mund t’i ndajmë në disa faza apo akte. Faza që shënon fillimin e ngjarjeve është Privatizimi i ish Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHE sha) dhe ardhjes triumfatore të CEZ-it. Faza tjetër përmbledh “Tre vite të CEZ-it në Shqipëri dhe largimit të turpshëm e të dhunshëm të tij nga Shqipëria” (gjashtëmujori i dytë 2009-janar 2013). Më tej vjen faza që shënon Marrjen në administrim e CEZ-it nga shteti (janar 2013-korrik 2014). Një fazë e rëndësishme është Marrja prej Qeverisë e aseteve dhe aksioneve të CEZ-it në Shqipëri, tashmë OSHEE sha. Së fundi kemi fazën që përfshin Veprimtarinë e OSHEE sha” (korrik 2014 dhe deri sot). Të gjitha këto meritojnë të shtjellohen veç e veç; duke ruajtur rrjedhën e ngjarjeve, lidhjen dhe ndikimin e ndërsjelltë mes tyre.

Duke qenë se opinioni publik është i ngarkuar, do të trajtoj vendimet politike që ka marrë Qeveria Berisha dhe Qeveria Rama gjatë zhvillimeve në fazat e lartpërmëndura. Qeveria Berisha mori vendimin politik për privatizimin e ish OSHE sha dhe vendimin politik për largimin e CEZ sha prej Shqipërisë. Qeveria Rama mori vendimin politik për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit CEZ -Qeveri dhe vendimin politik për një reformë reale e të thellë në sektorin e energjisë elektrike. Është e drejta e çdo qeverie të marrë vendime politike dhe madje për këtë janë votuar. Askush nuk mund t’i gjykojë qeveritë përse ato marrin vendime politike, kështu që edhe unë nuk mund ta bëj një gjë të tillë. Shumë shumë qeveritë mund të këshillohen gjatë fazës së vendimmarrjes, por vetëm kaq. Por qeveritë duhet të ballafaqohen me rezultatin që sjell vendimmarrja e tyre dhe përgjigjen për rezultatin që sjell vendimmarrja e tyre.

Në Shqipëri është bërë zakon që qeverisjet të mos bëjnë asnjë ballafaqim me rezultatin e vendimmarrjes apo të aksionit të tyre dhe për më keq nuk pranojnë asnjë lloj përgjegjësie për pasojat e vendimmarrjes. Përkundrazi, qeveritë largojnë përgjegjësinë nga vetja, mbrohen në mënyrën më të turpshme dhe barrën e pasojave e hedhim mbi qytetarët. Qeveritarët janë kaq frikacakë sa që fshihen pas vendimmarrjes kolegjiale. Shpesh herë qeveritë, për të patur siguri të lartë, vendimet e tyre i mveshin me Ligj prej Parlamentit;  pra iu vënë një kapak antiatomik bunkerëve mbrojtës. Sapo në horizont të shfaqet ndonjë rrezik, qeveritarë frikacakë struken në këto bunkere dhe fillojnë zhurmën politike. Asnjëherë nuk dalin në tapet për t’u ballafaquar me faktet dhe argumentet, për t’u matur me drejtësinë; përkundrazi ata sajojnë lloj-lloj historish deri banale për t’i shpëtuar gjykimit të drejtësisë. Pasi kalon furtuna ata trimërohen dhe i shohim të krekosen në foltore institucionesh, në ekrane televizionesh apo në aktivitete të ndryshme.

Vendimi politik i parë i Qeverisë Berisha është privatizimi i ish OSHE sha. Në përfundim të procesit të privatizimit Qeveria Berisha nxitoi të korrë dafinat, deklaroi se kriza në sektorin e energjisë elektrike mori fund dhe se për këtë sektor kishte nisur një epokë e re. Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Në më pak se tre vjet prvatizimi rezultoi një dështim  i madh, që krijoi një gjendje të rëndë në sektorin e energjisë elektrike. U mbars një gjendje kolapsi, ku treguesit sintetik të sektorit humbjet e energjisë elektrike ishin ndjeshëm më të përkeqësuar krahasuar me ata para privatizimit. Humbjet e energjisë elektrike në një nivel shumë të lartë, rreth 50%. Niveli  arkëtimit të energjisë elektrike të faturuar rreth 70%. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 janë arkëtar rreth 18 miliardë lek, kurse për të gjithë vitin 2013 arkëtimet kanë shënuar një nivel shumë të ulët, vetëm 38.5 miliardë lek!… Këta dy tregues sillnin që nga energjia elektrike totale e hedhur në treg të “rimbursohej”’më pak se 35% e saj!.. Borxhet mes operatorëve në sistemin elektrik arrinin rreth 1.2 milardë euro. Të gjithë operatorët në prag kolapsi. Sistemi bankar nuk jepte kredi sepse kishte humbur besimin dhe garancinë; për të mos thënë se ndaj operatorëve privatë të prodhimit të energjisë elektrike bankat kishin nisur sekuestrimin e pasurisë, për mos kthim të kredive të marra. Qeveria Berisha, për të larë faqen e vetë nga kjo katrahurë, deklaroi se CEZ dështoi në Shqipëri. E pra, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Kryeministri Berisha dhe as ndonjë ministër i kabinetit të vet nuk morën qoftë edhe përgjegjësinë minimale! E pakta dikush duhej t’iu kërkonte ndjesë shqiptarëve për dëmin e madh që iu erdhi nga një vendim politik i qeverisë së tyre. Një Qeveri serioze do të tregonte edhe shkaqet përse ndodhi kjo katrahurë, të dilte para qytetarëve dhe të merrte përgjegjësitë e veta. Këtë nuk e bëri kur ishte në pushtet dhe nuk po bën ende, kur tashmë gjithçka ka dalë lakuriq.

Vendimi politik i dytë i Qeverisë Berisha është përzënia në panik dhe pa asnjë procedurë e CEZ. Si të thuash CEZ erdhi triumfalisht ditën me diell dhe iku natën fshehurazi!.. Përzënia e CEZ do të ndodhte pashmangshëm, por veprimet u kryen në panik, me mllef nga dështimi. Përzënia e CEZ u bë vetëm e vetëm për të hequr përgjegjësinë e rëndë nga vetja. Nuk u krye asnjë procedurë, përveç heqjes së licensës. Nuk u mor asgjë në dorëzim prej administratorëve të CEZ, duke hapur një kapitull të ri problemesh dhe abuzimesh!… Pra edhe pse vendim i drejtë, ai solli një zinxhir problemesh në çështjen CEZ-Qeveri; që sot po i “shijojmë” të gjithë së bashku. Ish kryeministri dhe “oborrtarët” e vet mbajnë të njëjtin qëndrim si edhe në rastin e dështimit të privatizimit; vetëm zhurmojnë dhe hedhin baltë mbi të tjerët.

Qeveria Rama ka marrë vendimin politik për zgjedhjen me marrëveshje të konfliktit të trashëguar CEZ-Qeveri. Në analizën e rrethanave që ndikonin mbi çështjen dhe situatës së rëndë të sistemit elektrik në vend Qeveria vendosi për këtë zgjidhje. Në të njëjtën kohë Qevera Rama vendos krijimin e një Task Force për të ulur humbjet e energjisë elektrike dhe për të rritur arkëtimin e faturave të energjisë elektrike. Për të dy këto vendime jo të lehta, që asnjë qeveri para saj nuk tentoi t’i merrte, Qeveria Rama pranoi të përballet me çfarëdo lloj risku. Dhe tashmë, në afër dy vjet, treguesit sintetikë të sistemit elektrik janë përmirësuar ndjeshëm dhe as që krahasohen me nivelet katastrofike të periudhës së Qeverisë Berisha. Sistemi Elektrik doli nga kolapsi dhe dita ditës po konsolidohet. Për vitin 2015 humbjet u ulën në 31%, mesatare vjetore, nga rreth 50% në vitin 2013. Mbledhja e faturave/Arkëtimi  për vitin 2015 ishte 64.7 miliardë euro, nga 38.5 miliardë lek në vitin 2013. Donatorët ndërkombëtarë kanë dhënë mbi 200 milionë dollarë kredi të buta dhe janë në negociim edhe 100 milonë të tjerë. Në rrjetën e konsumatorëve ligjorë kanë hyrë me qindra mijë abonentë. Vetëm nga dhjetori i vitit e 2014 deri në tetor 2015 janë lidhur 340 mijë akt-marrëveshje të reja Klient-OSHEE. Në harkun kohor 2015-2018 janë programuar të kryhen investime për rehabilitim dhe modernizim me një vlerë prej 420milionë dollarë, tashmë me burime financiare të siguruara. Prodhuesit privatë kanë marrë pagesat e prapambetura dhe po paguhen rregullisht për energjinë elektrike të shitur në sistem. Pagesat e OSHEE sha ndaj KESH sha dhe OST sha janë rritur ndjeshëm. Sot thuhet pa ndrojtje se Sistemi Elektrik Shqiptar ka hyrë në gjendjen e stabilitetit dhe po synon konsolidimin përmes përmirësimeve strukturore, modernizimit dhe reformës reale që po kryhet në këtë sektor jetik të ekonomisë. Donatorët kanë kthyer sytë nga sistemi elektrik dhe kanë krijuar besimin për këtë partner.

Atëherë le të bëjmë krahasimin e rezultateve për vendimet politike që morën e zbatuan dy qeveri, Ajo e Sali Berishës dhe Kjo e Edi Ramës. Kur janë marrë vendimet të dy qeveritë, të paktën besojmë, kishin të njëjtin qëllim, të nxirrnin sistemin elektrik nga kriza dhe ta zhvillonin atë. Mirëpo rezultati është diametralisht  i kundërt. Ndërsa Qeveria Berisha dështoi, Qeveria Rama arriti suksesin. Përse deputetët në komisione hetimor apo analistët nuk e shikojnë problemin nën këtë prizëm, ku realisht kanë këndvështrimet e analizave politike?! Përse panele, deputetë dhe analistë të ndryshëm mundohen që në këtë çështje të peshkojnë ku, kur dhe si duan; madje mund të themi se peshkun e futin në grep dhe bëjnë sikur peshkojnë!.. Çfarë shërbimi iu bëjnë shqiptarëve kur e errësojnë të vërtetën, ose minimalisht i turbullojnë ujërat për të mos parë e kuptuar çfarë ka ndodhur?!

Është e pa pranueshme të shikosh analistë gjoja të pavarur, apo deputetë të fabrikojnë lloj-lloj historish apo të tjerrin arsyetime boshe që bashkojnë në një tufë të dështuarit edhe të suksesshmit. Është po kaq e dhimbshme dhe e padurueshme të shohësh në ekranet e televizorëve dështakët dhe fajtorët që të shesin parime, të hiqen si shenjtorë dhe të kërcënojnë…, kur duhet të japin llogari. Në fund të fundit për çdo vendimmarrje politike gjykohet suksesi apo mos suksesi dhe pasojat që ka sjellë vendimmarrja për qytetarët dhe për zhvillimin e vendit. Le të kthehemi të bëjmë një vlerësim të tillë dhe kështu ne analistët kemi bërë punën tone, kurse deputetët para zgjedhësve të vet. Analistët janë analistë, nuk mund të bëjnë punën e institucioneve siç përpiqen shpesh të bëjnë, natyrisht kur paguhen apo përfitojnë. Deputetët e kanë detyrim kushtetues të ballafaqohen me të vërtetën dhe vetëm me të vërtetën. Inshallah e bëjnë.

6 komente në “Ish-zv.ministri i Energjetikës: Një shpjegim i detajuar mbi zanafillën e aferës CEZ”

  1. ./ says:

    BRRAVO SHPIEGIM PREFEKT.

  2. LORA says:

    Sa shume qenke “perpjekur” o Pajtim Bello per te m’e bindur se “qeverite jane ne te drejten e tyre te marrin vendime politike”,,,,kur sektori i shperndarjes se energjise eshte sektori me STRATEGJIK i jetes dhe ekonomise shqiptare dhe elementi I pare I sigurise kombetare.
    Qeverite duhet t’i drejtohen popullit per vendime te tilla strategjike,,,,sepse qeverite shkojne e vijne ,kurse sistemi energjitik eshte prone e shqiptareve ,,,jo e qeverive.
    Ik o Pajtim, se paske pjerdhur nga aftesia analitike,,,,dmth s’ke ndonje ndryshim te madh nga tru-pjerdhurit anal-ista te studiove qesharake televizive.

    1. Ferak says:

      Thjeshte dhe sakte!

  3. Beni says:

    Por nuk the gje se kush I vodh parate dhe kush fshihet mbas chez,pse nuk e thua teoc qe Sali a Berisha I mori

  4. Pa harruar qe energjià duhet paguar says:

    Perfundimi, nese kjo pjese goxha e madhe e kopshtit te familjes shqiptare prodhoi me shume prodhim ne rastin me te vleresuara sipas profesorit, shqiptareve u takon te hane buke lepurushi dhe jo lakra turshi. Humbjet,,%,,numra per te zene syte dhe jo per te ngopur barkun. 50% humbje=42% vjedhje me kompromis te drèjtperdrejte me shume te forte (biznesmene) kudo ne rrethe qe duheshin per pushtet. 31% humbje minimale jashte monopolit por per te varferit = 23% vjedhje, shperndarje e centralizuar perseri per pushtet. Harrova,,, ne te dy ĺlojet e ketyre sofrave jane me shumice çakejte analiste, teoricien qe ngopen po njesoj me kermat qe nuk jane pak 2÷3% humbje vjedhje disi te justifikueshme moralisht. Keta te fundit kane meriten qe mbajne ne kembe gjithe sistemin.

  5. albaniafirst says:

    LORA, ja ke future kot fare. Pajtim Bellon e njoh shume mire pasi kemi punuar bashke ne sektorin energjitik. Ato qe thote jane prlotesisht te verteta. Eshte burre I mencur dhe I ndershem. Beni me mire ta degjoni se sa ta kritikoni pa patur asnje njohuri ne kete sector.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Array
(
    [0] => WP_Term Object
        (
            [term_id] => 3
            [name] => Aktualitet
            [slug] => aktualitet
            [term_group] => 0
            [term_taxonomy_id] => 3
            [taxonomy] => category
            [description] => 
            [parent] => 0
            [count] => 82147
            [filter] => raw
            [cat_ID] => 3
            [category_count] => 82147
            [category_description] => 
            [cat_name] => Aktualitet
            [category_nicename] => aktualitet
            [category_parent] => 0
        )

    [1] => WP_Term Object
        (
            [term_id] => 11
            [name] => Blogu TemA
            [slug] => blogu-tema
            [term_group] => 0
            [term_taxonomy_id] => 11
            [taxonomy] => category
            [description] => 
            [parent] => 0
            [count] => 8186
            [filter] => raw
            [cat_ID] => 11
            [category_count] => 8186
            [category_description] => 
            [cat_name] => Blogu TemA
            [category_nicename] => blogu-tema
            [category_parent] => 0
        )

    [2] => WP_Term Object
        (
            [term_id] => 4
            [name] => Politika
            [slug] => politika
            [term_group] => 0
            [term_taxonomy_id] => 4
            [taxonomy] => category
            [description] => 
            [parent] => 3
            [count] => 24844
            [filter] => raw
            [cat_ID] => 4
            [category_count] => 24844
            [category_description] => 
            [cat_name] => Politika
            [category_nicename] => politika
            [category_parent] => 3
        )

)
Top
Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.
X