Debati për buxhetin kthehet në debat për Ramën

29 Nëntor 2010, 18:27Ekonomia TEMA

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër, në mungesë, kryesocialistin Edi Rama gjatë fjalimit të tij që duhet të ishte në fakt prezantimi i projekt-buxhetit për vitin 2011. Ai debatoi me kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi më së shumti për Ramën, por edhe për buxhetin e ri. Opozita e ka kritikuar ashpër këtë buxhet duke e cilësuar jo vetëm elektoral për shkak të zgjedhjeve lokale por dhe jo real për mospërputhjet e shifrave të tij me shifrat që parashikojnë institucionet ndërkombëtare, si FMN. Në këtë buxhet Qeveria ka vendosur objektiv për rritjen 5.5% të prodhimit të përgjithshëm bruto, ndërkohë që për vitin 2009 rritja zyrtare është 3.3% kurse ajo për vitin në vazhdim pritet deri në 4%.Qeveria parashikon që papunësia të jetë në nivelin 12.5% dhe inflacioni në masën 3%.Objektiv themelor afatmesëm (tre vjet) i qeverisë është që borxhi publik të ulet nga afro 60% në 54%, kurse për vitin e ardhshëm të ulet në 59%. Të ardhurat kryesore të arkës së shtetit parashikohen të vijnë nga tatimet dhe më tej nga doganat dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Por opozita beson se ky buxhet është akoma më i vogël dhe më i keq se ai i vitit të kaluar, ndërsa kryeministri e mbrojti atë duke e cilësuar një buxhet historik dhe i kërkoi opozitës që ta votonte. Shumë deputetë të PS-së, që njihen gjithashtu si specialistë të ekonomisë, dhanë argumentet e tyre në seancën e djeshme kundër projekt-buxhetit të qeverisë. Kritika kryesore e PS-së ka qenë marrja e borxheve të reja për të shlyer borxhe të vjetra. Gjithashtu sipas opozitës shifrat nominale dhe reale kanë hendeqe të thella.

Debati Berisha-Ruçi

Gjatë fjalës së tij të gjatë afro një orë kreu i qeverisë Berisha paraqiti buxhetin e ri të të qeverisë së tij, por vëmendja e medieve dhe e deputetëve u fokusua më shumë në akuzat që ai adresoi ndaj kundërshtarit të tij socialist Edi Rama. “Së pari, i nderuar zotëri, të jesh i sigurt t’i dhe kryetari yt, se nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë të paktën për 25-30 vjet, njëri më konfortabël për mua, për kundërshtar, sesa Edvin Kristaq Rama. Kam arritur në këtë konkluzion jo rastësisht, por në historinë e politikës Evropiane dhe botërore nuk mund të gjesh kurrë një personalitet politik që të mos artikulojë dot qoftë edhe një projekt, premtim a problem për qytetarin, përveçse për veten e tij”, tha Berisha. Por Ruçi i tha atij se ai “do të të jap një këshillë miqësore. Të është kthyer në obsesion, në makth, në hije, emri i Edi Ramës, zoti kryeministër”. Më tej Ruçi duke iu drejtuar kryeministrit shtoi se “mos e përjeto kaq keq. Shpejt a vonë do biesh nga ai kalë që ke hipur. Shpejt a vonë ai do vij në atë vend ku je ulur ti, por ti mos e përjeto kaq keq”. Por Berisha vazhdoi me ironinë e tij ndaj kryesocialistit duke thënë se “nuk kam sulme ndaj tij. E keni konstatuar se katër muaj nuk ia përmend njëherë emrin. E keni gabim. E kam në program, dhe kur e citoj, edhe kur jo, i kam gjërat e programuara. Dhe këtë bëj, sepse që kur ju hipi në shpinën e Tom Doshit, ju jeni në shpinën e një personi si ai, ai është forca kryesore e juaja. Ç’mund të kem unë me kryetarin tuaj? Për mua, ai është kundërshtar dhe pacient, sepse 12 vjet nuk thotë dot një fjalë për qytetarët shqiptarë, përveçse për karrigen e tij”. Por Ruçi u fokusua dhe tek buxheti që sipas tij është aq i keq saqë kryeministri tenton ta çojë debatin diku tjetër. Ai e akuzoi kryeministrin se ka marrë peng qeverisjen, kryetaren e parlamentit, administratën publike, sistemin e drejtësisë, zgjedhjet e lira, dhe po kërkon të marrë peng dhe opozitën. “Berisha flet për bum ekonomik, por institucionet financiare ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë pas vendeve me të cilët jemi në garë zhvillimi”, tha Ruçi. Sipas Ruçit, të ardhurat e p/buxhetit 2011 si dhe të gjithë treguesit e tjerë janë në nivele më të vogla ose sa në buxhetin fillestar të vitit 2010. Vrer për opozitën, asgjë serioze për atë që presin shqiptarët nga goja e kryeministrit. Demagogji me shifra dhe buxhet më të keq se ai i një viti më parë”. Por dhe për kritikat konkrete për buxhetin Berisha kishte një përgjigje politike. Ai tha: “Z. Ruçi, më lejo t’i përgjigjem matematikës tënde, që është matematika e Ramiz Alisë. Kur kam dëgjuar të quani kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve, unë pres çdo gjë nga ju. Nuk më çudit e nuk më habit më asgjë. Ju keni ngritur një staf atje, me në krye lepurushin që ju mban shënim dhe ju vë nota. Sa më shumë marrëzira thoni, aq më të larta jua vë notat”.

Më tej kryeministri ka preferuar të flasë me shumë detaje për çmimet e kostumeve të Ramës se sa të detajojë shifrat që ofron buxheti i qeverisë së tij. Duke iu drejtuar Ruçit Berisha tha dje se “kur isha në opozitë, një ambasador, mik i Shqipërisë, i shkoi në zyrë dhe ai i flet vetëm për mua. Ambasadori i thotë – zotëri, unë shkoj në zyrën e tij dhe ai nuk më flet për ty, por më flet vetëm për problemet e vendit, por, meqë po e bën kështu, po të them vetëm një gjë, shkoj atje dhe e gjej të veshur normalisht, ndërsa e kap për jeleku dhe i thotë – ky jeleku yt në dyqan kushton 4200 euro. E dini çfarë ndodhi me kryetarin tuaj? U shtri përtokë. Ky ka meritën se ka 3 mijë euro, paçka se kostumet i blen 22 mijë euro, paçka se dasmat i bën 800 mijë euro dhe e kam me dhuratat, jo me sallamin që hëngrët ju në dasmë. Ai nuk ju lë ju të shihni qytetarin, se ai e urren qytetarin”.

Lini një Përgjigje