Filmi për Adem Jasharin në 3D rezulton gënjeshtër?

8 Shkurt 2011, 10:13Lifestyle TEMA

Një lajm i botuar në fund të javës që shkoi, nga portali KosovaAlbaner, për ekipin e kinemasë ABC doli të jetë i panjohur dhe i pabazë.

Filmi i animuar në 3D, i punuar për heroin Adem Jashari, i cili rrëfen për luftën e UÇK’së, sipas këtij lajmi, është punuar në Kosovë nga kompania Sira. Ai do të jetë i metrazhit të gjatë (60 minuta) dhe do të shfaqet fillimisht në kinema, e më pastaj edhe në të gjitha televizionet, e në fund do të distribuohet edhe përmes formatit DVD.

“Filmi është i punuar tërësisht në 3D, dhe mendoj se si i tillë është i pari në trojet shqiptare. Premiera do të jepet më 5 mars, në Kinon ABC, e pas premierës do të shfaqet edhe në TV. Ky nuk është një film komercial, sepse Jasharët dhanë gjithçka për ne, kështu që kjo është më e pakta që ne mund të bëjmë për ta”, sqaroi Bashkim Avdiu përfaqësues i kompanisë Sira, e cila është duke e punuar filmin e animuar për Adem Jasharin.

Mirëpo, menaxhmenti i kinemasë ABC pohon se nuk ka pasur asnjë kontakt me Bashkim Avdiun, e as me dikë tjetër nga ky produksion.

Miradije Vllahiu, menaxhere e kinemasë ABC, thotë se nuk ka asnjë informacion që ky film do të shfaqet në kinemanë që ajo e menaxhon.

“Askush nga ne, as drejtori Milazim Salihu e as unë, nuk kemi kontaktuar me këtë kompani, sipas së cilës filmi do të shfaqe më 5 mars në kinon ABC”, theksoi ajo. Ajo madje nuk e di as kush janë producentët e kësaj kompanie.

Ndërkaq, në intervistën e tij për Kosova Albaner, Bashkim Avdiu ka thënë se filmi nuk është komercial dhe ai, përveç në kinon ABC do të shfaqet edhe në televizionet kosovare dhe se pastaj do të shitet në formatin DVD, me një çmim të ulët.

“Përderisa ne nuk kemi asnjë qëllim komercial me filmin, ai do të transmetohet nga të gjitha TV’të e interesuara, do të ngarkohet edhe në internet që të mund ta shikojnë të gjithë. Po ashtu, do të dal edhe si DVD, me një çmim shumë të ulët, që të mund ta kenë të gjithë”, sqaroi Avdiu.

Express u përpoq të kontaktojë me dikë nga kompania Sira, për të cilën thuhet se e ka bazën në Prishtinë, megjithëse doli që askush të mos ketë informacione për të. Nga ana tjetër, doli se për kompaninë qarkullojnë fjalë se, në fakt, është një OJQ islamike me bazë në Prishtinë, e cila merret me shitjen e librave fetarë.

“EXPRESS”

Lini një Përgjigje