Ndonëse me vonesa të konsiderueshme, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë ka filluar sonte diku rreth orës 19:30 minuta në në selinë e Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Këtë e kanë konfirmuar të martën pasdite përsëri burime të Bashkimit Evropian, duke thënë se plani i parë që dialogu të nisë të martën në orën 15, nuk është realizuar për shkak të vonesave nga ana e delegacionit të Kosovës.
Mirëpo, sipas burimeve të BE-së, asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje nisja e dialogut të martën.
Të njëjtat burime pohojnë se dialogu do të nisë të martën dhe do të bëhet një bisedë rreth dyorëshe, për të vazhduar të mërkurën, po ashtu, në Bruksel.
Nga ana e Bashkimit Evropian pritet që të mërkurën të dilet me një komunikatë lidhur me nisjen e dialogut.
Ndërkohë, burime të Bashkimit Evropian përsërisin se temat e përgjithshme të dialogut që nisë të martën dhe do të zgjasë një kohë të pacaktuar, do të jenë çështje të lidhura me lirinë e lëvizjes, bashkëpunimin rajonal dhe, po ashtu, edhe çështje që kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit.
Qëllimi i gjithë këtyre temave është që të arrihet një bashkëpunim më i mirë rajonal në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe që Prishtina dhe Beogradi të afrohen më shumë me Bashkimin Evropian.
Nga ana e Bashkimit Evropian dialogun do ta kryesojë Robert Kuper, që është zyrtar i lartë në Këshillin e Bashkimit Evropian në zyrën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton.
Televizione vendore dhe ndërkombëtare kanë paraqitur para pak çastesh pamje nga fillimi i takimit mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbis, përkatësisht çaste nga shtrëngimi i duarve ndërmjet të kryesuesve të delegacioneve, zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe kryesuesisit të delegacionit serb, Borko Stefanoviq.