Sot, në Kosovë në orën tetë filloi procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Më shumë se 5000 regjistrues janë të përfshirë në këtë proces që do të zgjasë 15 ditë. Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, Rifat Blaku nga Komisioni Qendror i Regjistrimit, Ibrahim Shabani nga Enti i Statistikave të Kosovës dhe Kjartan Brojnson nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, një ditë më parë u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm.
“Regjistrimi i popullsisë është një obligim i të gjithëve, regjistrimi do të krijojë parakushte për një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik dhe një mirëqenie sociale për të gjithë ne”, tha Yagcilar.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Regjistrimit, Rifat Blaku tha se Kosova fillon ta japë një provim të madh, sikurse edhe shtetet e tjera, sepse ky është edhe një standard tjetër ndërkombëtar për ata që synojnë integrimin në BE.
Në një konferencë të përbashkët për medie, të mbajtur të enjten, përfaqësues të institucioneve vendëse dhe të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë i kanë ftuar kosovarët që t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesi.
Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave është cilësuar proces shumë i rëndësishëm edhe nga kryeshefi ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani. Me këtë rast ai është shprehur se qëllimi themelor i projektit të regjistrimit të popullsisë është që të mblidhen të dhëna të sakta mbi realitetin demografik, social dhe ekonomik të vendit. Ndërsa ka shtuar se “me regjistrimin e popullsisë do të jetë më e lehtë që të hartojmë programet dhe të përpilojmë strategjitë e duhura për zhvillimin e vendit tonë”.
Sipas tij, një aspekt tjetër i rëndësishëm i regjistrimit është edhe nevoja për të përshpejtuar procese të rëndësishme, si: anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Shabani ka theksuar se “pjesëmarrja në regjistrim është pjesë e suksesit të përbashkët në këtë mision të rëndësishëm për vendin tonë”. Kurse kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, e ka cilësuar regjistrimin e popullsisë si një test i cili do ta ndihmojë vendin për integrim në BE.
“Kosova fillon ta japë një provim të madh, sikurse edhe shtetet e tjera ndërkombëtare, sepse ky është edhe një standard tjetër ndërkombëtar për të gjitha shtetet e tjera që synojnë integrimin në BE”, ka theksuar Blaku. Ndërsa duke folur për regjistrimin e popullsisë në veriun e Kosovës, Blaku ka rikonfirmuar se në atë pjesë ky proces do të realizohet nga Zyra për Shërbime Projektuese të Kombeve të Bashkuara (UNOPS).
“Për ta tejkaluar situatën me komunat me pushtet paralel, janë duke u angazhuar udhëheqësit politikë në Kosovë, në bashkëpunim me UNOPS-in. Të dhënat e mbledhura në këto komuna, do të përpunohen në databazën e EUROSTAT-it”, ka treguar Blaku. Kosovarët i ka inkurajuar që të mos e bojkotojnë procesin edhe përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse i Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornson.
“Regjistrimi i popullsisë është një proces i rëndësishëm i cili ka edhe dimensione tjera për sa u përket negociatave për integrim në Bashkimin Evropian. Unë jam i bindur se regjistrimi do të jetë në bazë të standardeve evropiane dhe i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar Bjornson.
Një ditë pa filluar procesi i regjistrimit, përfaqësues të përkatësive të ndryshme fetare kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për sa i përket pyetjes rreth deklarimit të besimit fetar që është përfshirë në pyetësor.
Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës ka publikuar nëpër disa të përditshme një reklamë përmes së cilës i ka ftuar qytetarët që të mos i përgjigjen kësaj pyetjeje, për të cilën kjo kishte ka marrë këtë përgjigje pozitive edhe nga Avokati i Popullit, të cilit i kishte kërkuar sqarim. Në ftesën e Kishës thuhet se “pasi kjo pyetje është në kundërshtim me Kushtetutën ne i ftojmë të gjithë pjesëtarët e komunitetit tonë, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët e interesuar që për hir të respektit të Kushtetutës dhe për hir të integrimit sa më të lehtë të Kosovës, të zgjidhni përgjigjen nuk preferoj të përgjigjem”. Nga ana tjetër kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, duke e komentuar veprimin e kësaj Kishe ka deklaruar se pyetësorët dhe pyetjet themelore që gjenden në formular janë të standardeve evropiane dhe mbështeten mbi bazat e demokracisë, pasi që çdo qytetar mund të deklarohet edhe për përkatësinë fetare.
Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave do të zgjasë deri më 15 prill. Kurse për pjesën veriore të Kosovës është paralajmëruar se mund të ketë afat shtesë, por nuk është thënë sesa mund të jetë ai. Regjistrimi i fundit i popullsisë së Kosovës është realizuar në vitin 1981. Regjistrimi atëbotë ishte bërë në kushte të jashtëzakonshme pas patën filluar demonstratat gjithëshqiptare për liri,
Qeveria e Beogradit vazhdon të këmbëngulë se komuniteti serb do ta bojkotojë këtë proces, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Sekretari i së ashtuquajturës Ministri për Kosovën në Qeverinë e Beogradit, Oliver Ivanoviq, ka theksuar se serbët, të cilët jetojnë në Kosovë, do t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, me një kusht: nëse regjistrimin e popullsisë e realizon Zyra për Shërbime Projektuese e Kombeve të Bashkuara (UNOPS) dhe jo institucionet e Kosovës.
Zyrtarët e përfshirë në këtë proces kanë sqaruar se që nga 1 prilli deri më 15 prill regjistruesit e autorizuar do të shkojnë derë më derë për të intervistuar individët, duke i plotësuar saktësisht pyetësorët e regjistrimit.
Zëdhënësja Sinani-Lulaj ka deklaruar se “regjistruesit do të tregojnë një kartë zyrtare të identifikimit dhe do të përdorin pyetësorët zyrtarë të regjistrimit”.
“Personat të cilët përkohësisht mungojnë për një periudhë të shkurtër prej vendit të tyre rezident, për një periudhe më pak se 12 muaj për arsye të ndryshme, si punësimi, studimi, udhëtimi, shërimi apo shkollimi duhet të përfshihen në regjistrim dhe anëtarët e familjes së tyre të deklarojnë për ta”, ka shpjeguar Sinani – Lulaj.
Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të përmbyllet pas realizimit të një Ankete të pasregjistrimit (PES) për të verifikuar vlefshmërinë e të dhënave të grumbulluara gjatë regjistrimit.
“KD”