Krasniqi: Marrëveshja, jokushtetuese

7 Prill 2011, 16:35Rajoni TEMA

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e ka quajtur antikushtetuese marrëveshjen e arritur mbrëmë nga Thaçi, Pacolli dhe Mustafa. Në një intervistë për emisionin Interkativ të KTV-së, ai ka thënë se mandati 5-vjeçar i presidentit nuk mund të ndërpritet.

Krasniqi ka pohuar se Thaçi ka thyer statutin e PDK-së, duke mos e konsultuar fare për marrëveshjen. Sipas kreut të Kuvendit, pushtetin nga radhët e policisë e ushtrisë e marrin individët vetëm në kohë puçesh, raporton Koha.

Krasniqi ka thënë se lideri i PDK-së ka anashkaluar krejtësisht organet e partisë për marrëveshjen, dhe në këtë mënyrë e ka shkelur statutin e saj. E, sa i përket presidentes së re, Krasniqi ka thënë se ajo mund të jetë police e mirë, por vendit i duhej një president nga sfera politike, ose, në rastin e konsensusit, nga bota akademike. Madje, ai thotë se dikush i policisë në pushtet vjen zakonisht në kohë puçesh.

Kryetari i Kuvendit ka shprehur keqardhjen që partitë e tjera opozitare, AAK-ja dhe Vetëvendosje, janë anashkaluar nga procesi në mënyrë të padrejtë. Ai ka shprehur dyshimin se kjo marrëveshje do të mund t’i japë fund krizës politike në vend.

Ndërkaq, lidhur me raportet e disa medieve që njoftuan për dorëheqjen e kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ai ka deklaruar se njoftimet e tilla janë spekulim mediatik.

Më herët gjatë ditës, Krasniqi nuk mori pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PDK-së. Në mbledhje nuk mori pjesë as nënkryetari Fatmir Limaj. Këta dy, së fundi, kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj kreut të partisë, kryeministrit Hashim Thaçi./zëri/

Lini një Përgjigje