Andis Shala: Ëndra ime, të luaj për kombëtaren shqiptare

14 Prill 2011, 17:09Sport TEMA

I sponsorizuar pak ditë më parë nga ish kapiteni i kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ai pret një ftesë. Andis Shala, 22-vjeçari që luan në Skoci, jo me Sëlltikun, por me Dandi Junajtid, mendon se mund të kontribuojë për kombëtaren kuqezi. Ëndrra e tij e madhe është të veshë fanellën e Shqipërisë. Nuk i trembet syri nga konkurrenca me lojtarë të tillë si Bogdani apo Salihi. Nëse i vjen një ftesë në FSHF, më parë duhet të pajiset me pasaportë shqiptare, pasi ka nënshtetësi gjermane.

Andis, ish kapiteni i Shqipërisë, Rudi Vata, në një prononcim për gazetën tonë, u ka bërë një thirrje drejtuesve të ekipit përfaqësues të hedhin sytë nga ju…?

Nuk kam dijeni për këtë, tani po e dëgjoj prej jush.

E njihni Rudi Vatën?

Personalisht jo, por kam dëgjuar që ka një reputacion të madh në Skoci, pasi ka luajtur për disa vjet me Sëlltikun. Di që jeton sërish në këtë vend dhe mbase më ka parë duke luajtur me skuadrën time.

Nëse një ditë dikush do t’ju pyeste nëse keni dëshirë të luani me kombëtaren shqiptare, cila do të ishte përgjigjja juaj?

Nuk do mendohesha dy herë, por do të thosha menjëherë “po”. Madje po ju bëj të ditur se ëndrra ime e madhe është që një ditë të luaj për Shqipërinë.

Keni pasur më parë ndonjë ftesë nga Shqipëria?

Deri më sot, jo.

Po nga ndonjë kombëtare tjetër keni pasur?

Kam pasur sinjale nga Kroacia përmes babait tim, Kujtimit, që ka luajtur me kombëtaren kroate vite më parë. Por unë i jam përgjigjur menjëherë “jo”, sepse mendjen e kam vetëm te fanella kuqezi. Madje po ju jap besën, se nëse nuk më realizohet dëshira për të luajtur me Shqipërinë, nuk kam për të luajtur me asnjë shtet tjetër.

Nëse do t’ju vinte ftesa, e dini që do t’ju duhet të rivalizoni me Bogdanin e Salihin?

E di, madje e di edhe që janë dy sulmues shumë të mirë, por unë asnjëherë nuk trembem nga sfidat.

Te Dandi luani rregullisht?

Kam luajtur 12 ndeshje në këtë kampionat dhe kam shënuar dy gola. Jemi në vend të katërt në renditje dhe kemi shpresë se do ngjitemi më lart. Ka shumë rivalitet në skuadër dhe kuptohet nuk kam pasur dhe aq shumë hapësirë. Por jam i kënaqur sepse me Dandin vitin e kaluar kam fituar Kupën e Skocisë, madje unë kam kontribuar në kalimin në finale, teksa në gjysmëfinale kemi mundur Gllasgou Rejnxhërsin. Në atë ndeshje kam shënuar një gol dhe kam dhënë asistin për golin e dytë.

Deri kur jeni nën kontratë me këtë klub?

Deri në verë, më pas do shoh mundësitë që do të më jepen. Ndoshta rinovoj me Dandin, ndoshta shkoj diku tjetër.

Andisi është djali i një ish-futbollisti të njohur kosovar, Kujtim Shalës, i cili ka luajtur me përfaqësuesen e Kroacisë në fillimin e viteve ‘90. Ai është aktivizuar me shumë klube të njohura në Jugosllavi, Gjermani dhe Turqi./zhurnal/

Lini një Përgjigje