Kamzë & Bathore, ku ligji ende bëhet si qëmoti

17 Maj 2011, 21:17Politika TEMA
Kamzë & Bathore, ku ligji ende bëhet si qëmoti

Flamuj elektoralë në Kamëz

Votonin nga dy, tre deri në katër vetë dhe të gjithë të ngatërruar me njëri-tjetrin. Njerëz që kinse nuk dinë të lexojnë, po kinse të tjerë që nuk shikojnë ose janë të pamundur. Por të gjithë në ngut. Shqipëria e imazheve të huaja është realisht ajo e cila mund të shikohet në këto hapësira, ku rregulli është vërtetë anarki. Të vetmit, më të paqmit, kanë mbetur fshatarët tiranas, ata që u liruan tokat dhe i pranuan në gjirin e tyre patriotët e tyre periferikë kaq mosmirënjohës…

 

Nga: Ben Andoni, MAPO

 

Askurrë më parë Kamza nuk ka qenë ndonjëherë e marrë në konsideratë për zgjedhjet. Tek e fundit, aty, votimi ka qenë dhe duket se mbetet më shumë çështje historike sesa administrative. Në Kamëz, Bathore drejtimi ka vetëm një kah. Kundër socialistëve. Dhe, në thellësinë e vetëdijes së tyre kanë të drejtë. Kanë lënë vende të paurbanizuara për të ardhur afër bashit të vendit ose vetëm nëntë kilometra nga Tirana…

Këtë herë ndodhi ndryshe. Një kandidat i pavarur, që u mbështet nga Socialistët, bëri gati të pamundurën për të fituar. Ai vendosi me forcë edhe pse u kundërshtua posterat e tij, shpërndau flamujt e PS-së kudo, por më shumë akoma ‘guxoi’ të sfidojë hapur përfaqësuesin e PD-së dhe kryetarin aktual Mziu. Ky i fundit me marramendje të mëdha sepse vetëm pak orë para zgjedhjeve, një nga periodikët më të lexuar në Shqipëri, i nxori deri numrin e tij të celularit, në ekranin e një nëpunëse, që mëtonte se ishte e ngacmuar prej tij. “Aj, janë komunistët e fëlliqt”, më thotë një djalë veshur me kostum shumë të pastër por pak si demode, në Bathore. “Ata i bajnë të tana”. Në këtë kohë të ngarkuar, jo vetëm si mjaftoi si argument kandidatit kundërshtar, por më shumë akoma kaloi pa u vënë re. Tek e fundit në Shqipëri gjërat s’bëjnë më përshtypje. Ashtu si u harrua Ilir Meta, para tij Ylli Pango etj., etj. Nuk e di sesa e vërtetë është por me saktësi di se gazeta e asaj dite u zhduk në gjithë Tiranën. Kjo ishte thjesht kronika e një dite në qytet.

 

Në Bathore

Por nga Tirana, ky vend është i anatemuar gjithnjë. Bathore, në zhargon, nënkupton një vend kaotik dhe pa rregulla. Për hir të së vërtetës, banorët e kanë bërë vetë rregullin në këtë parregullsi. Njësoj si ky burrë i ri, simpatik, që rri afër një qendre votimi, e cila as më pak dhe as më shumë duket si garazh. Ai është biznesmen lokal dhe mundohet të ruajë rregullin në këtë Lagje të Bathores. Të ndara me numrat 1, 2, 3, 4 e kështu me radhë, lagjet janë më shumë si pellgje banimi, të cilat njihen me emrat e familjeve apo zonave nga kanë ardhur banorët. Ke vend dibranësh, kuksianësh, tropojanësh e me radhë. Përpos, gjen të gjithë veshjen tradicionale të veriut. Habia është se ajo mbahet deri vonë te përfaqësuesit e brezave jo të moshuar. Nga përballë, ku jemi, dy të fortë, në rolin e rregullit të turmës, janë njerëzit e PS-së dhe mbështetësit e kandidatit socialist. Njëri me këmbë të hodha, por me toraks të zhvilluar që ia nxjerr në pah një kanotiere e bardhë, shikon ngado armiq. Ka vështrim inatçiu, si për të thënë se: Të provojnë, unë jam këtu. “Pse gjithë këta dhe çfarë është kjo rrëmujë”, më thotë një mikja ime e huaj. “Kështu ndodh rëndom këtu”, ia pres. I gjithë procesi, ku gjendemi për pak, zhvillohet në një garazh me çfarë shihet, ku janë ngritur qepenat e njërës anë dhe tjetra e hapur shërben si vend nga ku futesh. S’ka radhë. Ka një lumnajë njerëzish që flasin, shikojnë, shtyjnë. Mundohemi të mbarojmë shpejt punë, por një nga vëzhguesit, për të treguar se ka situatën në dorë na bërtet. Nuk do t’ia di fare për lejen e komisionit. Ndërkohë, një çift, që e kemi hasur në qendrën më parë në Bathore, vjen të votojë sërish. Në qendrën më parë, na thanë se nuk kishin mundësi sepse nuk gjenin emrin. Më duket se gruaja thjesht s’kishte atje dokument identifikimi. Ulen dhe presin. Në një tjetër, një çift të moshuarish vinë me kumaren. Kështu thotë burri, kumbari , që është me një mercedes, dhe që pasi i nxjerr nga qendra i merr me makinë dhe i shtyn nuk e di se ku. Nuk dinë të votojnë, ndërsa përfundojnë pastaj duke votuar së bashku. Banorët janë konfuzë por ata që vijnë janë të veshur sa më mirë. Duket qartë një druajtje e tyre dhe një makth. Ndaj kujt? Më të shumët shtyjnë. Kot. Syresh mundohen të futen pa radhë dhe konfuzioni dhe tiparet më thelbësore të genit të shqiptarëve këtu duken haptazi. Këtu nuk ka vend për vëzhguesin e huaj apo për të tjerët, këtu duhet thjesht kush të jetë i pari: Kjo ka rëndësi.

Dy plaka, rrinë dhe shohin. Njëra me veshjen e Pukës, po ku dominon e zeza dhe tjetra me një veshje tipike të jugut. Rrinë pa folur. Njërës prej tyre i është rritur shumë niveli i sheqerit. Por ka pak rëndësi. I themi një moment atyre të komisionit, që t’i japin mundësi të votojë. Jo, atyre, u duhen më të rinjtë. Rëndësi ka të mbarojnë, sipas kokës së tyre. Të ecin. Në dukje është gjithçka qetë. Burra dhe djem të fortë janë kudo nëpër dyer dhe selektojnë ata që do të futen më parë. Radha dhe edukata e saj s’hyn në punë. Për fat, mbeten shumë të respektueshëm me median dhe u pëlqen ajo baxha e gazetarit, që u duket se do t’u ndryshojë diçka. Njëri prej tyre djalë i ri, që flet pak anglisht, na tregon se është DJ dhe se është në grupet e votimit dhe se kjo qendër, ku jemi, është bash në shtëpinë e tij. Në fakt, vetëm gati dhjetë ditë më parë, mbështetësit e PS në Kamëz kanë apeluar. Në një deklaratë, që i kanë bërë me dije, KQZ-së ata i përmendin këtë fenomen. Por, asgjë. “Ke objektin e Fiqiri Qimanit, objektin e Lulzim Lamës, objektin e Xhelal Koldashit, dy qendra votimi në lokalin e Izet Ahmetaj, objekti i Ali Vatit”, kujtoj paralajmërimin e deputetit socialist Dokle, drejtuar KQZ-së, që kuptohet se është dëgjuar pak..

 

Militantët, luftë nervash

Në fakt KQZ-ja është në rregull me gjërat e veta. Konform kodeve të caktuara ka shpërndarë fletët, bojën dhe ka trajnuar komisionerët. Të vetmen gjë që bën ajo, është se nuk i shpëton dot Partive dhe militantëve të saj. Tagri, që u kanë dhënë militantëve, që rrinë jashtë, zakonisht me makina me targa të huaja, është i tej madh. Në të gjithë Kamzën dhe përtej, këta qarkullojnë me makinat me timonin nga ana e kundërt e sistemit tonë, parakalojnë njëri-tjetrin ose ndalojnë makinat në rrugë dhe fjalosen. Pastaj sorollaten për gjahun e qyqarëve në qytet dhe Bathore. Të dy palët e militantëve, ngado që ikim, e vështrojnë njëri-tjetrin nga lart dhe kanë një luftë nervash të patreguar. Nuk mund t’jua shpjegoj kolegëve të mi të huaj, por secili vendos dhe ndahet për punën e vet. Kjo i çakordon disi militantët, që këqyrin për çfarëdo fytyre të re. Duhet që para se të futesh në çdo qendër më parë të kesh kaluar sitën e tyre. Erdhën vëzhguesit, pëshpëritin me njëri-tjetrin. Nga andej të vinë vështrime të egra, kur nuk u përputhet akordi. Më të disiplinuar mbeten njerëzit e komisioneve të dy palëve, që më shumë se punë, e kanë angari procesin mamuthor shqiptar. Dhe, duhet të jetë e vërtetë. Mundohen të tolerojnë hera-herës njëri-tjetrin, por problemi më i madh i tyre mbeten banorët që pretendojnë se nuk dinë të lexojnë dhe të tjerët që nuk shohin. Të gjithë i shoqërojnë militantë. Ose të themi se i instruktojnë. Vota në këtë vend paçka fjalëve, është një votë me kah të përcaktuar. Votohet vetëm për PD-në, se po të votosh për PS-në ke votuar për Komunistët!!!. Ke votuar për Enverin dhe mos o Zot, po u ngjall ai të kthejnë sërish pas andej nga ke ardhur. Nënvetëdije duhet të kenë vegimet e jetës së vështirë dhe të atyre pjesëve nga kanë ardhur, që janë të tillë. “Kam me ja kie nanën, tanë komunistëve. Kurrnjiherë s’do ken me fitu ktu sa të jetë doktori. Aj bre..”, më bën një deklaratë patetike një 50 vjeçar. Më kujton disi, një kronikë të një kolegu timin në Elbasan, që pyet njëherë një të papunë me një fytyrë të rrëgjuar nga ushqimi jo i mirë. I njëjtë është dhe ky, që se dalloj dot se nga çfarë vendi i veriut ka ardhur. Më vjen e gjithë intervista në mëndje: Kur e pyet gazetari se për kë do të votoj, i përgjigjet vetëm për Sali Berishën dhe i bën një ritiradë të tërë lavdërimesh që i artikulon qartë një gojë e pa dhëmbë. Kur gazetari e pyet për okupimet e tij, ky ia kthen se është i papunë se nuk ka punë dhe është keq e më keq. Njësoj dhe ky gjynahqar që kam përpara. S’është në tokat e tij, paçka se sot janë tjetërsuar, nuk ka punë. Dhe, flet me mllef pafund. Por me dashuri për qeverinë që e ka pasur tetë vjet. “O këlyshat e Saliut, kan me pa se ç’kena me iu ba”, më thotë një djalë nga pas. Kinse përfaqësuesi i socialistëve do të bëhet dhe ai personazh. E shmangim. Janë një familje, këta lloj militantësh, dhe ajo që nuk kuptojnë të gjithë banorët e Kamzës, Bathores- është të respektojnë vendasit e vërtetë. Berisha për ta është Mesia, që i ka sjell në këtë ‘parajsë’. E parajsa për ta është dhe ky Anarkiland, që quhet Kamëz dhe Bathore, me flamurë kudo, me ndërtesa të lyera plot slogane dhe me radhë. Bashkiaku i tyre, që do të fitojë sërish pak më vonë, në një fjalim gati ‘programor’ e ka ngritur në apoteozë Berishën dhe përmend institucione të tëra që kanë mbështet Kamzën; binjakëzime në Gjermani dhe në Itali; më shumë akoma shpresë e shpresë, gjëja që i mungon shqiptarëve dhe që e duan aq shumë. E gjithë kjo tollovi premtimesh, bashkuar me kujtesën e komunizmit, e bën këtë vend të përkryer për studime sociologjike. Një vend, ku rregullat i bëjnë të fortët dhe ku Darvini do të kënaqej që parimet e tij të spirales së evolucionit, janë të shtrira gati në nivele të pabesueshme në krijesat humane. Më i forti këtu bën gjithçka. E kuptoj patosin e militantëve. U duhet ‘forca’, në këtë ditë, që të jenë dhe katër vjet rehat. Në këtë vend nuk shtrohet puna se do të vi një administrator i mirë dhe do të hapë vende pune dhe do të zhvillojë projekte, ku do të punësohen njerëzit dhe do ndryshojë jeta e komunitetit. Jo. Këtu, flitet se ai që mbështet dhe ai i zellshmi, do gjejë një vend të lakmueshëm dhe për katër vjet të tjera do dredhë zinxhirin, me këto makinat me targa të huaja. E kujtoj këtë, kur shikoj sesi një tufë djemsh, që argëtohen, jashtë një qendre, e shikojnë me përbuzje makinën tonë të thjeshtë. Gazetarët s’u hynë më në sy militantëve. Çifti, që kemi hasur pak përpara dhe që u ngatërrua në votime dy herë (nëse) tani niset në një drejtim tjetër.

 

Si votohet ndryshe

Ne ndjekim si ata, po një drejtim tjetër. Kamëz dhe Bathorja ka emra konvencionalë vendesh tani dhe ato janë më të këndshëm sesa emrat e rrugëve, që i ka veshur bashkia në vitet e fundit. Kemi lënë të ashtuquajturën lagjen e tropojanëve, klubet me emrat e vendasve, që kanë ndërtuar ambicien e tyre në Tiranë dhe afrohemi në Zall Herr. Ka një rresht qendrash zgjedhore, që shkojnë deri më aty ku ndahet Tirana me Krujën. Nëse nuk ke punë, të përshkosh udhën deri në rrëzë të malit të Dajtit, por nga ana e Krujës, do të duket si marri. Në një qendër në Zall Herr, disa banorë me veshje tradicionale të Dibrës, në mos gaboj, një moment, bëhen bashkë dhe votojnë tre veta. Është rëndom votimi me dy veta. Edhe pse revoltohen pak në komision, pastaj gjërat kalojnë. Duhet të jetë një dukuri shumë e thjeshtë sepse askujt nuk i bën përshtypje. Në fakt është për të qeshur se në këtë dëndësi, institucionet publike të qytetit të tij, sipas Xhelal Mziut, janë larg. Ndaj, janë aplikuar lokalet private dhe mjedise private?!

 

Më tej

Por nuk ka nevojë për mjedise private, nëse do futesh thellë në fshatrat e Tiranës në Herr, Kallmet, Qinam. Atje situata ndryshon komplet. Përveç rrugës që është e keqe, banorët mbeten shembulli direkt i tiranasit të mirë. Janë të paqëm dhe nuk sjellin probleme. Më të shumët vazhdojnë punën edhe ditën e zgjedhjeve në fushat e pakta dhe përballojnë një jetë të vështirë. “Kena kaq kohë dhe nuk vihet dorë. Kushdo që të vijë njësoj është”, më thotë në Kallmetin e Tiranës një banor. Më tregon sesa para duhet për të punuar tokën dhe çmimin katastrofal të plehrave kimike. Janë ulur disa bashkë në një kafe dhe shikojnë sesi zëdhënësit e partive dhe politikanët ia lënë vendin njëri-tjetrit duke i shfryrë mllefe pafund. Qeshin fshatarët dhe i gëzohen rakisë dhe një meze të mirë, ndërsa pak militantë rrinë jashtë. Në qendrën zgjedhore të fshatit, që është në një shkollë, pak më tutje, anëtarët e komisionit ja kanë shtruar muhabetit, por askush s’lëviz nga vendi. Qesh, një moment, sepse një burrë ka të shkruar pas vetes, në vend të QENDRA- QENRA. “Ju jeni tamam tiranas, u them,-se andej nga vi unë jemi të gjithë të ardhur”. Qeshin. Dhjetë minuta më pas vjen i vetmi kandidat për të votuar, një burrë, që i druajtur përcillet me shikime nga anëtarët e komisionit. I ngrati merr votën dhe shkon si i dridhur. Ikim. Jashtë na presin militantët. Me disa duhet të dëgjosh deri në fund disa argumente deri në absurd. Ia dalim qetë duke ndërruar muhabet. Rruga në kthim, që është prej vitesh të tëra e pashtruar dhe që është e shtrirë deri drejt rezervuarit të madh të ujit të Bovillës, të lehtëson me mrekullinë e natyrës dhe njerëzit e saj. Për këta, që kanë jetuar gjithnjë këtu s’ka benefice. Sepse tiranasit janë mësuar të durojnë.

E gjitha, për fat, s’ka lidhje me zgjedhjet. Presim një bari, që ka vënë para një kope të tërë me dhi. Ndërrojmë përshëndetje. Është një vend i virgjër dhe një nga mrekullitë më të jashtëzakonshme të natyrës. Këtë e ndjejnë dhe banorët. Kandidati i PD-së lëviz me një grup djemsh. Është i edukuar dhe i kërkoj indikacione. Më përgjigjet shkurt por me shumë edukatë dhe më orienton saktë. Pak minuta më vonë, takohemi në një fshat tjetër.

 

 

Në kthim Bathorja dhe Kamza janë krejt të heshtura. Flamur i madh kombëtar është gjëja më e bukur e kryetarit vendas, për mendimin personal. Falë erës, ai e mbyt imazhin e morisë së flamujve të vegjël të partive kudo përreth. Kamza është e qetë. Për fat, në një klub, kanë vendosur Formula 1 dhe shikojnë të patrazuar. Aty qëndrojmë pak edhe ne. Sikur njerëzve të biznesit do tu ecte mbarë, ndoshta ky vend do ishte krejt i qetë, por ja s’ndodh kështu. Qyteti i Kamzës mbetet kaotik dhe po ashtu të gjithë gjërat që lidhet me të. Ai është pasqyra e Shqipërisë aktuale dhe kurrsesi jo asaj që duam. Ngaqë, administratorët shqiptarë të këtyre 20 viteve, ashtu si administratorët e vegjël të saj, gjithnjë e kanë pasur të pamundur të rregullojnë shtëpinë e tyre të madhe, që quhet Shqipëri. Vrenjtet.

Kamëz-Bathore-Herr, 8 maj 2011

10 komente në “Kamzë & Bathore, ku ligji ende bëhet si qëmoti”

  1. 1444 says:

    ORA 9:00AM TE GJITHE PARA KQZ PERBALLE STADIUMIT QEMAL STAFA,TE GJITHE NE MBROJTJE TE LIRISE !!!

  2. PERMETARI says:

    ter shqiperine do ta bejme si kamza thot saliu. kamza eshte e ardhmja e shqiperise

    1. endri says:

      me e forta ka qene kur ka thene se do ta bente Konispolin si DUBAI !!!!!!
      hahahahahhahah

      1. Melisa says:

        hahhaah.apo kur tha jozi shkodra si venecja,,,,kta jan kok e kembe injoante sales i ka hyr bluja ne gjak sa dhe para ca kohesh tha tirana,ky qytet madheshtor bregdetar,e rrethuar nga kodra dhe male te lulezuara…..imagjino kryekotministri thot”tr vend bregdetar…”mortja mortja qe se ha te shkretin e paska pleqerin me kusure,,,,,

    2. Melisa says:

      me thuaj pak vella kaq injorant jan keta te kamzez,sa te votojn mizen a mziu si e ka ai ku para ca kohesh i nxoren nje skandal dhe te imagjinosh qe aty mund te punoj motra,apo goca,apo gruaja e atyre qe e kan votuar,me cfare mend shkojn e votojn kta lloj njerzish xhanem,,,si mund ti dalesh perball nje imorali dhe ti flases per hallet e tua cfare pergjigje do te maresh,,,nuk e di sinqerisht,,,respk

      1. bazarhesap says:

        Kto njerez (INJORANT)skan buke te hajne dhe ulurasin SALA por kot sthojne ku ka fukarallik ka maskarallik

  3. Lenci says:

    Keto zona duhet te rrethohen me mur edhe tek dera te vendosen ushtare qe mos te lejohen te dalin.

  4. kuksiani says:

    ne akoma fshijm bithen me gur ne bathore or ti.

    1. bashkim says:

      Haha, mire e the o kuksian. Mjere ne thuaj qe na ra per pjese ky e mjere ne qe kemi per bashkekombas ca te mjere te tjere qe besojne te ky edhe pse i le ne lluce.

  5. beso says:

    bathorja eshte simboli i anarkise kaqvjetore.Po te zuri nata ne bathore thirr zjarrfikesit se duket je ne mogadisho.Mjere ata qe shpresuan tek salia.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje