Kroacia zë vendin e Serbisë në tregun kosovar

19 Gusht 2011, 17:11Rajoni TEMA

Një muaj pasi Kosova ka ndërprerë importet nga Serbia, ka nisur beteja për marrjen e tregut kosovar që mbulohej nga produktet serbe, shkruan të enjten gazeta “Blic”, duke paralajmëruar edhe se vizita e kryeministres së Kroacisë, Jadranka Kosor, në Kosovë, ka të bëjë edhe me këtë qëllim.

Sipas kësaj gazete, Oda Ekonomike e Kroacisë tashmë me të madhe harton listën e biznesmenëve që janë të interesuar për të ardhur bashkë me shefen e qeverisë në Kosovë, ndërsa shton se nga mediat kroate mësohet se më të interesuarit janë përfaqësuesit e industrisë kroate të ushqimit dhe të plastikës.

Biznesmenët nga Serbia, në anën tjetër, nuk shprehen të befasuar me këtë ngarendje për të marrë pjesën e tregut kosovar që mbulohej nga Serbia, meqë bëhet fjalë për një treg që nuk është aspak i parëndësishëm.

“Ka një zbrazëti, pjesë e tregut që vlen rreth 400 milionë dollarë që tani duhet të plotësohet. Konkurrenti kryesor i deritanishëm, Serbia, është hequr, ndërsa kërkesat e tregut janë emergjente. Ky është rasti që do të përpiqen ta shfrytëzojnë të gjithë”, thotë për “Blic” Zoran Bojoviqi nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Ai pret që në periudhën e ardhshme në Kosovë të udhëtojnë edhe delegacionet ekonomike të vendeve tjera të rajonit dhe që lufta për pjesën e tregut kosovar që mbulohej nga Serbia të jetë jo edhe aq e thjeshtë.

Ndërkohë, “Blic” shkruan edhe se kompanitë serbe nga industria e ushqimit që kanë shitur shumë prej produkteve të tyre në Kosovë tani janë në “pat pozicion” dhe zhvillimi i tanishëm i ngjarjeve nuk po u pëlqen aspak.

“Të gjithë po e shfrytëzojnë fatkeqësinë serbe dhe si qëndrojnë punët tani gjasat janë të mëdha që kompanitë nga vendet e rajonit ta marrin plotësisht tregun e Kosovës. Nëse merren vesh, malli kroat do të gjendet nëpër shitoret atje brenda 24 orëve, kaq kohë do t’u duhet të na zëvendësojnë”, tha për “Blic” Rodolub Drashkoviqi, drejtor i “Swisslion”, një prej kompanive serbe me plasmanin më të madh të produkteve të veta në Kosovë.

Sipas gazetës, kompanitë serbe tashmë kanë shënuar humbje serioze për shkak të masave të reciprocitetit dhe ato shpresojnë që Qeveria e Serbisë do t’i dëmshpërblejë.

“Kemi humbur treg serioz, dhe hyrje devizore prej rreth 20 milionë eurosh. Dhe ky nuk është problemi i vetëm, sepse ‘Swisslion’ ka borxhe nga Kosova në shumë prej rreh 4 milionë eurosh. Vërtetë nuk e dimë se si do t’i inkasojmë ato, nëse vazhdohet kështu”, tha Drashkoviqi.

Kompania “Bambi” nga Banati thuhet se pas masave të reciprocitetit humb rreth 200,000 euro në muaj, për të cilat drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Miroslav Miletiqi, thotë se nuk është e mundur të kompensohen në ndonjë treg tjetër – së paku jo në afat të shkurtër.

“Këtu asgjë nuk është kontestuese, tashmë e kemi parë dhe kemi kaluar nëpër këtë gjë. Produktet kroate tashmë janë të pranishme në tregun kosovar, por tani është hapur edhe më shumë ajo hapësirë e zbrazët ku ata mund të hyjnë”, tha Miletiq.

Për dallim nga “Bambi”, “Blic shkruan se kompania “Imlek” ka një vit e gjysmë që ka ndërprerë dërgimin e mallit në Kosovë, për shkak të vulave. Qeveria e Kosovës ka kërkuar që në paketimet e produkteve të “Imlekut” ku shkruan se kush është importues për Kosovë të jetë e shënuar Republika e Kosovës, ndërsa Qeveria e Serbisë e ka refuzuar këtë, që ishte arsye për ndërprerjen e eksportit të produkteve të ndërmarrjes në Kosovë.

Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, do të vizitojë Kosovën më 24 gusht. Në Prishtinë ajo do të hapë forumin ekonomik kroato-kosovar, do të vizitojë komunitetin kroat në Janjevë, ndërsa do të ketë edhe takime me zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe do të vizitojë kontingjentin kroat në kuadër të KFOR-it./kd/

5 komente në “Kroacia zë vendin e Serbisë në tregun kosovar”

  1. Albann says:

    Duhet te futet Kroacia,qe eshte ne fund te botes,se Shqiperia eshte “larg” dhe bizneset shqipetare s kane nevoje per 400 milion Euro…Qeveri dhe nenpunes te trashe…s dine te shfrytezojne nje mundesi qe u jepet….Nese kapet ky treg do hapeshin qindra vende pune ,ne bujqesi,industrine ushqimore dhe transport… Nuk po perfshi ketu frymen e bashkepunimit dhe afrimin midis shqipetareve te Kosoves dhe Shqiperise….Sali Berisha i ben bllokade Kosoves me shume se sa Serbia…..Plehre e dreqit.Mallkuar qofsh.

  2. Dean says:

    Uaaaaaaau,ku kuje mi nane,si ka mundesi qe nuk qeka Nana Shqiperi por kroacia???????
    BARBARI i Vucidolit,i njofur ne Kosove si ”baca”,thote se ne kemi rritur eksportet me 1000-ra perqind,as1 mall i yni s’paska perfunduar ne Kosove??????Pastaj,nuk duhet te harrojme se,Kosova dhe Kroacia kane edhe lidhje gjaku,pasi emrat e te dyja shteteve fillojne me K…..
    Eh,se mos harrojme Birra Korcen ne Amerike.Nga 1 kontejner qe eksportohej me pare,tani eksportohen 3.Ky eshte tregu qe duhet te pushtojme ne,pa per Kosoven nuk pjerdh shume ”baca”.Kosova i duhet ”baces” sa per ndo1 zgjedhje lokale,ndo1 ”Profesional Killer” dhe per te TALLUR topet ”baca” i Kosoves me origjine nga Vucidoli.

  3. Kosovari says:

    Në Serbi dhe Kroaci nuk mund të gjesh mall nga një shtet tjetër. Në Kosovë është anasjellas!

  4. ai Burri says:

    Hajde ti shkembejme mallrat me njeri tjetrin, lere ca thote Sali Serbovici.

  5. united states of albania says:

    nqs kjo ndodh keshtu sic shkruajne serbet mos u merzitni thjesht eshte deshtimi i radhes i qeveris shqiptare edhe ktij palles qe quan veten kryeminister edhe se fundmi kryebashkiak.po mos harrojme se shqiperia nuk mund tja zere tregun sebreve se jemi krushqi.sala e ka serbin ne krevat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje