Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, komenton progres-raportin e fundit të BE-së duke e parë atë si realist dhe një shuplakë të fortë për qeverinë dhe gjithashtu si një mësim për opozitën për të qenë më shumë llogari-kërkuese ndaj ekzekutivit në Kuvend. Ndërsa strategjinë e mazhorancës për të fajësuar për humbjen e statusit opozitën e cila nuk dha votat e saj për ligjet e reformave Hysi e quan një mentalitet monist të vjetër që synon të neutralizojë opozitën. Ndërkohë paktin e ofruar nga ana e PS-së, deputetja socialiste e sheh akoma si një mundësi të mirë për të nisur dialogun dhe për të bashkëpunuar. Sipas saj asnjë kërkesë e bërë aty nuk është jashtë detyrimeve që vendi ka ndaj integrimit.
Zonja Hysi, Brukseli nuk rekomandoi marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë për herë të dytë radhazi duke shënuar kështu një rekord në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Si e konsideroni progres-raportin e BE-së për vitin 2011, ku në dhjetëra faqe adresohej qartë dhe me argumente problematika e vendit tonë?
Raporti është objektiv dhe gjithëpërfshirës. Ai analizon reformat ligjore, institucionale, funksionimin e institucioneve, efektivitetin e tyre dhe shkallës e realizimit të objektivave që qeveria shqiptare i ka vënë vetes në secilën prej fushave të zhvillimit të vendit. Raporti i BE analizon progresin e bërë nga Shqipëria gjatë një viti, që nga dita kur është publikuar opinioni i mëparshëm i këtij institucioni europian. Në raportin e Tetorit 2010, BE i rekomandoi Shqipërisë mes të tjera, 12 çështje prioritare që duhej të përmbusheshin për të marrë një përgjigje pozitive lidhur me statusin e vendit kandidat. Në fakt, sikurse të gjithë jemi dëshmitarë dhe vetë raporti nënvizon, Shqipëria mbeti në klasë për herë të dytë. Asnjë nga detyrat e lëna nuk u përmbushën dhe në fushat e tjera të trajtuara në raport ka patur shumë pak ose aspak progres.
Në pjesën më të madhe të raportit vihet në pah si progres përgatitja e disa projektligjeve, por shumë prej tyre nuk janë miratuar pasi nuk kanë ardhur ende në parlament dhe shumë detyra të tjera janë të papërfunduara. Si shembull, mund të përmend një ndër prioritetet që adreson Raporti: reforma administrative. Raporti përmend disa nisma ligjore të qeverisë për amendimin e ligjit për shërbimin civil ose projekte fillestare të ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës publike. Këto projekte nuk janë bërë publike, nuk janë hedhur në diskutim në publik që të mundësojnë pjesëmarrjen e gjerë të ekspertëve dhe profesionistëve jashtë administratës publike në diskutimin e tyre. Këta të fundit janë të shumtë dhe shumë prej tyre më të zotë se një pjesë e atyre militantëve që kanë mbushur radhët e administratës publike sot.
Shumë nga këto nisma nuk kanë ardhur ende në parlament. Megjithatë, Qeveria justifikohet se opozita nuk voton ligjet me 3/5 dhe nuk thotë se asnjë nga ligjet që realizon reformimin e administratës publike, depolitizimin e saj, vënien e administratës në shërbimit të publikut nuk i ka sjellë në parlament se nuk i intereson, ose edhe kur i sjell, ato nuk i janë nënshtruar një diskutimi të gjerë, por përgatiten nga një grup i ngushtë dhe i njëjtë personash. Edhe kur ftohen grupet e interesit ato dëgjohen për të thënë se procesi është transparent, por shumica e mendimeve të tyre nuk merret në konsideratë. Shumica e ligjeve vijnë në Kuvend në momentin e fundit dhe ligjbërësve nuk i jepet koha e mjaftueshme ti diskutojnë ato.
Ky është një shembull për të ilustruar sesa keq funksionon procesi u bërjes së ligjeve në vendin tonë dhe që padyshim fajtore është qeveria që merr nismën dhe më pas parlamenti që me forcën e kartonit të mazhorancës kalon ligje të hartuar keq, që nuk i qëndrojnë kohës dhe që ndryshojnë brenda një harku kohor të shkurtër nga miratimi i tyre ose që nuk zbatohen fare.
Ky raport është një shuplakë e rëndë për qeverinë, por edhe një mësim për opozitën e cila ka një rol të madh si pakicë për të ushtruar kontroll të fortë parlamentar dhe të përdorë gjerësisht të gjitha mekanizmat që i njeh ligji. Them opozita, pasi mazhoranca parlamentare është bërë njësh me pushtetit dhe nuk arrin të ushtrojë rolin e saj për të kontrolluar pushtetit ekzekutiv. Por që opozita të luajë rolin e saj kushtetues duhet të demokracia parlamentare të funksionojë. Jo rastësisht, BE e ka renditur demokracinë parlamentare si detyrën e parë që duhet të përmbushet për të marrë statusin e vendit kandidat.
Muaj përpara dhënies së opinionit nga Brukseli qeveritarët aktualë po fajësonin opozitën për këtë përgjigje negative. Fajësimi bëhet për bojkotin e gjatë të Kuvendit dhe më pas për mosdhënien e votave për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ju çfarë përgjigje keni për këtë akuzë?
Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i sistemit, mentaliteti monist vazhdon të ekzistojë në mendjen e një pjesë të mazhorancës dhe drejtuesve të saj. Sikurse partia shtet në kohën e diktaturës që, për dështimet e sistemit të asaj kohe dhe paaftësinë e saj, zbulonte herë pas herë armiq të popullit, antishqiptarë, revizionistë ose fajësonte armikun e klasës (lexo të pushtetit), edhe kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit dhe ministria e Integrimit dhe shumë të tjerë në korr, fajësojnë opozitën dhe sipas tyre armiku më i madh i integrimit është z. Rama!! A e kuptoni sesa të vogël dhe e papërgjegjshme është kjo mazhorancë?!
Shqiptarët janë të lodhur me akuza, ndaj sot në përgjigje të akuzave që i bëhen opozitës dua të risjell disa fakte që i përmend raporti. Shërbimi civil vuan nga mungesa e respektimit të parimit të meritokracisë në procedurat e rekrutimit, politizimi i administratës, mungesë progresi lidhur me pavarësinë e gjyqësorit (mos harrojnë që shumë shqiptarë për hallet e tyre trokasin në dyert e gjyqësorit). Lufta kundër korrupsionit, mosdënimi i funksionarëve të korruptuar, çështja e pronës e pazgjidhur, kujdesi i pamjaftueshëm për njerëzit me aftësi të kufizuar, mosbërja e reformës zgjedhore dhe parlamentare janë detyra që duhet t’i përmbushë mazhoranca.
Pa dyshim, opozita luan rol rë rëndësishëm, kur nisma që adresojnë zgjidhje të problemeve të tilla vijnë në Parlament ose me iniciativën e saj. Mënyra sesi funksionin parlamenti tregon se kjo mazhorancë nuk skuqet dhe as turpërohet dhe jo të ndjejë përgjegjësi për gabimet që bën, për vjedhjet dhe shpërdorimit e pasurisë publike, për monopolet që krijohen nga njerëz me pushtet ose të lidhur me pushtetin.
Mendoni se opozita i ka luajtur të gjitha gurët dhe ka ofruar të gjitha mundësitë e saj në mënyrë që procesi i integrimit të mos ngecte siç po ndodh realisht. Nëse jo, çfarë mund të bëjë ajo më shumë?
Sikurse e thashë edhe më lart, opozita luan rol të rëndësishëm në kontrollin e pushtetit ekzekutiv mes disa instrumenteve parlamentarë. Opozita ka luajtur disa gurë, madje njërin prej tyre fill pas marrjes së përgjigjes së parë negative vitin e kaluar. Në një seancë të gjatë, maratonë në parlament, opozita i adresoi Kuvendit një dokument- rezolutë që përfshinte prioritetet e BE dhe disa hapa konkretë për zgjidhjen e tyre. Mazhoranca e refuzoi atë, madje sollën në Kuvend, pa e diskutuar më parë me opozitën një projekt- rezolutë tjetër, me anë të së cilës përshëndeste arritjet e qeverisë për integrimin e vendit dhe fajësonte opozitën. A e kuptoni sesa absurde është kjo qasje e qeverisë!
Zonja Hysi sipas mendimit tuaj cilat ishin pikat kyçe që bënë që Brukseli të linte Shqipërinë pas fqinjëve të saj në rrugën drejt BE-së, a është vetëm ngërçi politik arsyeja kryesore apo ka dhe të tjera, si reforma në drejtësi apo kriteti ekonomik?
Jo, nuk është vetëm ngërçi politik. Ai ka ndikuar në klimën politike në parlament dhe në mosmiratimin e ligjeve me 3/5. Por, Qeveria shqiptare duhej të përmbushte 12 detyra, ndërsa miratimi i ligjeve dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit janë dy prej tyre. Nga ana tjetër, ngërçi politik nuk u shkaktua nga opozita, por nga vjedhja e zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe mungesa e dëshirës së qeverisë për të bërë transparencën e zgjedhjeve, nga kufizimi i hapësirave të pakicës në parlament për të hetuar zgjedhjet, nga vrasja që kjo mazhorancë i bërë opozitës në shesh më 21 janar, nga vrasja e shpresës dhe besimit se ky mazhorancë e do integrimin dhe të mirën e shqiptarëve.
Nga ana tjetër, ngërci politik nuk i ka penguar aspak disa pushtetarë të vjedhin dhe të abuzojnë me pasuritë publike, të ndërmarrin reforma të mbrapshta ekonomike, të vrapojnë në miratimin e ligjeve që sjellin gjithë plehrat e botës, kur nuk jemi të zotë të manaxhojmë plehrat tona, të rrisin taksat në kurriz të qytetarëve, të rrisin kostot e shërbimeve shëndetësore, të energjisë elektrike, të bëjnë ndryshime të ligjeve që ulin barrat fiskale të disa lloje bizneseve të lidhura me pushtetin. E pra, integrim në Europë, nuk do të thotë pasurim dhe shkuarje në Europë të një pjesë të shqiptarëve, por të të gjithëve. Integrim në Europë nuk do të thotë vetëm miratim të ligjeve dhe zbatim i tyre, mirëqënie sociale për të gjithë, jo vetëm për një pakicë.
Ndërkohë vazhdon të mbetet pezull një pakt prej 10 pikat i ofruar nga opozita si një mënyrë për të nisur dialogun me mazhorancën. Nga mazhoranca ky pakt është cilësuar në fakt si një taktikë politike apo si pazar. Sipas jush cila është arsyeja që mazhoranca nuk po pranon të diskutojë mbi këtë pakt?
Së pari ju falenderoj që më drejtoni një pyetje të tillë. Rreth këtij pakti, që është propozim për disa nisma të përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës ka shumë keqinformime dhe janë ngritur shumë tymnaja. Reagimi negativ i mazhorancës nuk është diçka e papritur për opozitën. Një nga problemet që unë shoh si një e re në politikë është se mazhoranca nuk vlerëson asnjë alternativë që vjen nga opozita. Sa herë që kemi bërë propozime ose kemi kritikuar aspekte të veçanta të qeverisjes, vë re se mazhoranca pa menduar ose reflektuar fare i hedh poshtë ato. Ky është një mentalitet monist, ku qeveris vetëm një forcë dhe nuk pranohet asnjë alternative ose mendim tjetër. Por nëse analizojmë kërkesat e parashtruar në këtë dokument, vihet re lehtësisht se ato kanë lidhje me 12 prioritetet që BE i ka lënë për zgjidhje qeverisë. Dokumenti adreson çështje të tilla si: reforma parlamentare, reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, zgjedhja e drejtuesve të institucioneve kushtetuese që mundësojnë profesionalizën, depolitizim, transparancë, zgjedhja jopolitike dhe qëndrime jopartizane për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë, zgjidhja e problemit të pronës, media e lirë, hetimi i ngjarjeve tragjike përfshirë dhe 21 Janari. Nuk e di pse këto çështje janë absurde!!!
Mazhoranca mesa duket vuan nga sindroma që kur nisma të tilla vijnë nga opozita dhe jo nga ajo vetëm ato janë absurde, antievropiane dhe se një pjesë e opozitës dhe lideri i saj përbëjnë një celulë antievropiane !!!.
Duke mos patur kurajon të kundërshtojnë të gjithë çështjet që përfshihen në këtë dokument, spikërit e mazhorancës janë marrë shumë me një shprehje që përdoret në dokument lidhur me qëndrimin që duhet të mbajë politika ndaj prokurorisë dhe hetimin e fakteve që përmenden në kabllogramet e bëra publike në Wikileaks. Por kryeministri I vendit dhe folësit e mazhorancës nuk morën mundimin të bëjnë një riformulim të këtyre çështjeve dhe të mbajnë një premtim publik (detyrimi ligjor ekziston) se nuk do të ushtrojnë presion mbi prokurorinë në hetimin e çështjeve të korrupsionit, të 21 janarit, të hetimit të vrasjeve të rënda, të trafikimit të drogës, të kontrabandës së naftës; të premtojnë se nuk do të shkurtojnë buxhetin e këtij organi, nuk do të tentojnë të ushtrojnë presion mes inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe se nuk do të mbështesin asnjë person të dyshuar se ka kryer një vepër penale, ministër apo njerëz të lidhur me ta.
A mos është tepër vonë, pas dy vitesh debati dhe konflikti të skajshëm, që kjo mazhorancë dhe kjo opozitë të kenë akoma një mundësi për tu pajtuar për diçka?
Mungesa e vullnetit të mazhorancës të bashkëpunojë realisht me opozitën ka dëmtuar shqiptarët. Opozita po adreson edhe njëherë problemin e bashkëpunimit, jo me deklarata, por me nisma konkrete që synojnë të zgjidhin problemet në themel. Sot ka mundësi që të punohet për hir të interesit të shqiptarëve. Por kjo kërkon që qeveria të heqë dorë nga makutëria e pasurimit të saj dhe injorimi i pjesës tjetër të qytetarëve. Opozita do të luajë rolin e saj si një oponencë e qeverisjes për të mos e lënë qeverinë te keq qeverisë dhe nuk do të pajtohet me me rrugëtimin e mbrapshtë të kësaj qeverie.
Së fundmi, reforma zgjedhore nuk po jep asnjë sinjal se do të nisë. Cilat janë kërkesat kryesore të PS-së për këtë reformë, dhe pse kërkoni ndryshimin e sistemit zgjedhor? Mendoni se kjo do të favorizojë opozitën në zgjedhjet e ardhshme?
Reforma zgjedhore është hapi i parë që duhet të ndërmerret. Ka kaluar një muaj nga kërkesa publike e opozitës dhe qeveria hesht ose mjaftohet me disa deklarata formale. Koha po ikën dhe çdo ditë e humbur është një minus në cilësinë e reformës. Besimi i shqiptarëve te zgjedhjet ka rënë. Kjo mazhorancë i ka një borxh të madh gjithë shqiptarëve. Duhet të rritet besimi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë me standarte, se vota dhe vullenti i votuesve nuk do të dhunohet, se ky popull do të qeveriset nga ata që votohen dhe jo nga ata që vjedhin dhe mashtrojnë.
Reforma zgjedhore është hapi i parë dhe i domosdoshëm, por krijimi i infrastrukturës së nevojshme për zbatimin e reformës dhe vullneti politik për ta kuptuar dhe zbatuar drejt ligjin është hapi i dytë po aq i rëndësishëm.
Opozita e Bashkuar dhe z. Rama e kanë theksuar se reforma zgjedhore do të jetë gjithëpërfshirëse dhe produkt i debatit dhe kontributeve të partive politike, të ekspertëve dhe konstitucionalistëve, të organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet. Kjo reforme do të adresojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR në raportet e 2009 dhe 2011 dhe problemet që janë hasur në praktikë dhe që kanë vënë në diskutim legjitimitetin e zgjedhjeve. Deri më sot, nuk është ngritur Komisioni i reformës zgjedhore dhe nuk janë hedhur në tryezë çështje për diskutim. Kam besim se Komisioni i Reformës zgjedhore do të jetë transparent në çështjet që do të trajtojë dhe do të shtrojë për debat të gjerë. Ajo që duhet të bërë, është të fillojë sa më shpejt reforma zgjedhore. Çdo vonesë do të jetë me kosto për cilësinë e saj dhe integrimin e shqiptarëve në familjen evropiane.
Ky konstatim, tregon qe kjo grua me partine e saj, duket qe sapo eshte zgjuar nga nje gjume i gjate letargjik, ku si ka munguar sisa ushqyese e afruar nga partia.Por bejne sikur harrojne me kryesoren: Ate qe shqiptari qe u ka dhene disa here voten dhe atyre ja kane vjedhur sy per sy, vazhdon te jete ekspozuar, ndaj halleve ekstreme ekzistenciale shpirterore dhe fizike,dhe ai natyrshem i zhgenjyer dhe i revoltuar, ka filluar te largohet nga keta frikacake te ushqyer dhe fare pa dinjitet.
O leke , nuk mund te fajesohen keta pse nuk jane hajdute.. Ku eshte diferenca mes tyre e vicidolsit ne fund te fundit?! Si thua ti mos kete kurre zgjedhje ne kete vend, vec vjedhje, rrembim dhe blerje vote? Jo vella une nuk mendoj keshtu.
Ne jemi te pergjumur si shoqeri, smund te flasim nga pas tastieres se pc pse ps sben keshtu e keshtu, jane qindra greva e protesta ne mbare boten, atje ku punet shkojne qindra here me mire se ne kete vend te vjedhur, dhe atje nuk kam pare asnje opozitar ne krye te turmave.
Nuk pajtohem dot me idene, qe vetem deputetet e ps te dalin e te rrembejne kryeministrine ndersa une ta mesoj ketu te Tema, apo ne televizor ne darke dhe pastaj te fle i kenaqur e te them: Ja kjo eshte opozite e forte!
Znj. Hysi ka plotesisht te drejte, po kur ve gishtin ne plage duhet edhe te krijosh koracen e duhur qe mos perseritet cka ndodhi me se u lodhem duke pritur, e Berisha nuk ndryshon 67 vjec