Topi: Është lajm i mirë që Berisha më thotë je president i shkëputur nga interesat partiake

29 Dhjetor 2011, 20:05Politika TEMA

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi tregon për Deutsche Welle-n mbi zhvillimet më të rëndësishme në Shqipëri, raportet e tij të vështira me mazhorancën e djathtë, etj.

Bisedoi: Arben Muka

DW: Zoti President i Republikës, në zhvillimet e këtij viti që po lëmë pas, çfarë ju ka mbetur si gjëja më pozitive që ka ndodhur dhe cilën e konsideroni si më negativen, ose që nuk do të dëshironit të ndodhte?

Presidenti Bamir Topi: Natyrisht në jetën e një vendi ka ngjarje që konsiderohen si pozitive, ka ngjarje të tjera që konsiderohen si negative dhe këtu nuk ka asgjë të ndarë me thikë. Në sensin kronologjik ajo që nuk do të dëshiroja të ndodhnin, janë ngjarjet e 21 janarit. Ngjarje që krijuan një situatë shumë të rëndë në Shqipëri dhe besoj se krijuan atë kusht paraprak që të mos merrej në konsideratë si një element pozitiv në integrimin e Shqipërisë në BE. Pra mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, përveç disa elementëve të tjerë që lidhen me plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian patjetër që janë të influencuara dhe nga ngjarjet e janarit. Ajo që mund të konsiderohet pozitive, po në sensin politik, ishte rikthimi tek dialogu, rikthimi i bashkëpunimit parlamentar. Dhe ajo që është akoma dhe më pozitive është fakti se pavarësisht situatave politike që kaluan unë besoj se institucionet shqiptare janë të tilla që garantojnë jo vetëm një respektim të dokumentit themeltar të shtetit, por garantojnë dhe funksionalitetin e tyre, që do të thotë se shteti sa vjen dhe konsolidohet. Nga ana tjetër do të thoja që jeta është e mbushur me episode nga më të ndryshmet dhe po t’i jepje një dimension disi më të gjerë – jo thjesht për ta fokusuar tek zhvillimet politike – do të thoja se në jetën e shqiptarëve ka patjetër elementë, të cilët unë do ti konsideroja si elementë bazalë për një optimizëm për vitin 2012.

 

DW: Një nga fenomenet negative, prej të cilave Shqipëria nuk po i shpëton dot renditjes në shkallët më të ulta në rang rajonal e global, është prania e korrupsionit. Këtë e konstatonte dhe Transparency International në raportin e fundit për indeksin e perceptimit të korrupsionit gjatë 2011-s. Pse sipas jush, z. President në vitet e fundit ose jemi në vendnumëro ose me hapa prapa në luftën kundër korrupsionit?

Presidenti Bamir Topi: Mendoj se çështja e luftës kundër korrupsionit duhet të përballohet nga të gjitha institucionet. Kur them nga të gjitha institucionet së pari janë ato të politikës. Sepse kjo është një sëmundje që ka nevojë të trajtohet para se të shërohet, ka nevojë për reforma të thella. Këto reforma bëhen vetëm mbi bazën e një vullneti reciprok politik për të garantuar jo vetëm ligje por dhe institucione të forta. Në themel të luftës kundër korrupsionit padyshim që është ligji, por janë dhe institucionet. Padyshim që këtu kam në konsideratë institucionet e drejtësisë, të cilat patjetër që e kanë detyrë për të trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë para ligjit. Për ta bërë këtë element në kushtet e barazisë së plotë, duhet që në rastin e politikanëve që përballen me ligjin ata ta heqin koracën. Vazhdimisht është diskutuar mbi çështjen e imunitetit, por unë po gjej rastin e kësaj interviste që të them se është e domosdoshme që të gjithë politikanët, të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë duhet ta lëshojnë imunitetin e tyre. Kjo është një kërkesë në radhë të parë e shoqërisë shqiptare që njerëzit të ndjehen të barabartë para ligjit, por është kërkesë dhe e partnerëve ndërkombëtarë. Për të bërë një luftë pa paragjykime kundër korrupsionit, njerëzit duhet të jenë pa imunitet. Pastaj i takon politikës që të bëjë ligjet, i takon dhe institucioneve që të zbatojnë ligjet. Çështja e zbatimit të ligjit është një çështje parësore, që nuk ka nevojë për komente të tjera.

 

DW: Në një kohë që ju kanë mbetur dhe rreth 6 muaj nga përfundimi i mandatit në postin e Presidentit të Republikës hapur po dallohet një marrëdhënie e vështirë e juaja me mazhorancën. Madje në atmosferën e krishtlindjeve shefi i mazhorancës, kryeministri Sali Berisha ju adresoi kritika të ashpra për rolin tuaj kur tha se “Zoti Topi gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh të papajtueshme, kryekëput me programin e PD-së. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht e ktheu institucionin e presidencës në selinë e një partiçke të vogël çka nuk ka ndodhur në historinë e një vendi.” Si i vlerësoni ju këto kritika që vijnë jo nga zëdhënës apo eksponentë të veçantë por nga vetë kreu i qeverisë?

Presidenti Bamir Topi: Së pari do të thoja që është një lajm i mirë kur presidenti cilësohet si i shkëputur nga interesat partiake. Ju e dini që në momentin kur unë u zgjodha që të vija këtu në Presidencë, kisha dhe një detyrim kushtetues për të hequr dorë nga çdo impenjim partiak. Fakti që Presidenti akuzohet në këtë linjë është tregues i korrektësisë institucionale dhe konstitucionale të Presidentit, në përmbushje të detyrimeve madhore të tij si President i Republikës. Sa i takon aktivitetit të Presidentit ka një tregues. Ju e dini që të gjitha institucionet e kanë të detyrueshme të jenë konform kushtetutës, ta respektojnë atë dhe të jenë përgjegjës para zbatimit të neneve të kushtetutës. Garanti për kushtetutën sipas kushtetutës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese. Fakti që deri më sot kur kanë kaluar 4 vite e gjysmë nga mandati i Presidentit dhe ai nuk është kundërshtuar qoftë dhe në një rast të vetëm nga kjo Gjykatë, ndërkohë që institucionet e tjera janë kontestuar nga kjo Gjykatë – tregojnë që këto akuza që i hidhen Presidentit janë të pabaza. Unë ndjehem mirë në zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, e kam bërë këtë me koshiencë të plotë dhe nuk më shqetësojnë akuzat e partive politike, cilado qoftë ajo. Mua më jep kënaqësi mendimi i qytetarit. Dhe meqë jemi vazhdimisht në kontakt me qytetarët unë marr konsiderata të tjera nga qytetarët.

 

DW: Cili është vlerësimi juaj për procesin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kur nga 17 shkurti i vitit 2008 ende nuk është arritur as gjysma e vendeve anëtare të OKB-së që ta bëjnë një akt të tillë? A shpresoni që gjatë vitit 2012 të paktën këtë do ta bëjnë vendet e mbetura nga radhët e BE-së?

Presidenti Bamir Topi: Do të thoja që procesi i njohjeve për Kosovën ka kaluar në një rrugëtim relativisht të gjatë dhe jo pak të lehtë. Por unë do t’i njihja nota pozitive progresit të bërë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ka patur një impenjim qoftë të faktorit institucional të shtetit të ri të Kosovës, të diplomacisë së Kosovës, por dhe asaj të Shqipërisë me një suport të rëndësishëm të diplomacisë ndërkombëtare që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete. Është e vërtetë që 5 shtete të BE ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj dhe që është një çështje që lidhet totalisht me pozicionimet specifike të këtyre shteteve tashmë të deklaruara. Por duke patur parasysh që njohja është bërë nga vendet më të rëndësishme, nga pjesa dërmuese e BE-së, nga SHBA dhe mjaft vende të tjera me peshë në politikën botërore, gjithashtu dhe tendenca për një ripozicionim të vendeve që fillimisht kanë qenë skeptike duke dhënë premtime që do ta njohin, unë them që e ardhmja e këtij procesi është shumë optimiste. E rëndësishme është që procesi të eci. Dhe në fakt ai po ecën.

 

DW: Ju përmendët që mes vendeve që nuk e kanë bërë akoma njohjen janë dhe 5 vende anëtare të BE-së. Dihet që ndër to është dhe fqinji i Shqipërisë Greqia. Ky qëndrim i Greqisë lidhet më shumë me raportet që ajo ka më Shqipërinë, apo lidhet me specifikat që ka në marrëdhëniet e saj me Kosovën?

Presidenti Bamir Topi: Natyrisht që situata është komplekse në këtë këndvështrim. I takon patjetër institucioneve përfaqësuese të Greqisë që të shprehen për këtë çështje. Ne vetëm mund të bëjmë vetëm analiza politike rreth këtij pozicionimi, të cilat lidhen ndoshta dhe me raportet tradicionale që Greqia ka patur me Serbinë dhe anasjelltas. Por lidhet dhe me çështje të një lloj preference që konsiderohet sui generis në marrëdhëniet ballkanike. Por unë mendoj se gjithsesi një lehtësim i regjimit të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës drejt Greqisë me pasaporta të Kosovës është një shenjë që duhet ta marrim me pozitivitet. Ky është një proces që nuk vjen në një ditë, është një proces që do të vijë hap pas hapi dhe unë jam i bindur që Kosova do të jetë e njohur jo vetëm nga më shumë shtete, por do të jetë patjetër pjesë e projekteve për integrimin në BE dhe në NATO më vonë.

 

DW: Ka zëra së fundi nga opozita serbe në Serbi që në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit të ketë prezencë dhe nga ana e SHBA dhe Rusisë. Si ju duket ky opcion, z. President?

Presidenti Bamir Topi: Tashmë gjithçka është e sanksionuar në një status mjaft të rëndësishëm sikurse është niveli i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të monitoruara nga BE. Ky është një process që po ecën. Ka filluar të japë rezultatet e veta të para dhe unë uroj që këto rezultate të vijnë duke u thelluar në sensin pozitiv.

 

DW: A ka përgatitje në qarqet zyrtare për një vizitë në Shqipëri të homologut tuaj serb, Boris Tadiç? Kam parasysh këtu që më herët në pranverën e këtij viti u fol për mundësine e vizitës, por ngjarjet e tensionuara në pikat e kalimit kufitar mes Kosovës –Serbisë që ndodhën atë kohë sikur kanë prishur axhendat në bashkëpunimin mes dy vendeve, pra mes Shqipërisë dhe Serbisë. Cili është vlerësimi juaj z. President?

Presidenti Bamir Topi: Ajo ftesë realisht është bërë dhe qëndron në fuqi. Pra do të shikohet si një mundësi kur vërtet palët, qoftë Shqipëria, qoftë Serbia, përfaqësuesit e protokollit të Presidentit, do të shohin të mundur realizmin e një vizite, e cila është pranuar për t’u realizuar. Kjo edhe mbi bazën e një ftese që vjen në kuadrin e një bashkëpunimi të nevojshëm bilateral që duhet të ketë Shqipëria me Serbinë dhe me çdo vend tjetër të rajonit. Unë mendoj se forcimi i marrëdhënieve me të gjithë shtetet e Ballkanit është një parakusht shumë i rëndësishëm, i konsolidimit të paqes afatgjatë në Ballkan dhe për të ndërtuar ura komunikimi për zhvillimin e ekonomisë por dhe për komunikime të njerëzve në një rajon, i cili ka ikur prej kohësh nga konfliktet ndëretnike.

 

DW: Zoti President i Republikës, cila është pritmëria juaj për vitin 2012, që është në të njëjtën kohë dhe Jubileu i 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar?

Presidenti Bamir Topi: Viti 2012 është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse sikundër dhe e përmendët është viti jubilar i shpalljes së Pavarësisë, por është dhe një moment kur të gjithë presim që të marrim statusin e vendit kandidat për në BE. 100 vite janë 100 vite qëndrese kur Shqipëria ka kaluar vërtet situata të vështira, por që dhe ka ditur të dalë prej tyre dhe sot është një vend anëtar i NATO-s dhe afër marrjes së statusit të vendit kandidat. Besoj se është një moment shumë i rëndësishëm për ta parë në një refleksion të thellë të marrëdhënieve edhe midis njerëzve, edhe midis politikanëve, edhe midis institucioneve, për ta sjellë shtetin shqiptar në të gjitha strukturat e veta, si në strukturat e shtetit po ashtu dhe në komunikimin mes njerëzve në parametrat e një shteti modern, të denjë për të qenë pjesë e familjes europiane.

 

DW: Viti 2012 është njëkohësisht dhe 25 vjetori i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Si i vlerësoni ju z. President aktualisht këto marrëdhënie?

Presidenti Bamir Topi: Unë mund të them që marrëdhëniet me Gjermaninë janë të shkëlqyera, qoftë në planin politik qoftë në bashkëpunimin njerëzor, ekonomik dhe institucional. Shteti gjerman është një shtet shumë serioz, i fortë në Europë, por me peshë të jashtëzakonshme dhe në rrafshin global. Unë mund të them se gjatë këtyre viteve është parë një pozicionim i qartë i Gjermanisë për t’i qenë afër Shqipërisë dhe për ne Gjermania është një partner strategjik, një partner shumë i rëndësishëm, që e kemi patur pranë dhe në momentet më të vështira, që lidhen me problemet që ka kaluar Shqipëria, por dhe me rrugëtimin e saj për në BE. Ka qenë një vend gjithmonë dashamirës, dhe kjo e demonstruar jo vetëm nga politikanët, por dhe në marrëdhëniet më të gjera njerëzore të qytetarëve të thjeshtë. Këtë e kemi konstatuar, vijojmë ta konstatojmë dhe bashkëpunimi është i gjithanshëm me Gjermaninë. Ne i jemi shumë mirënjohës për këtë stad të bashkëpunimit dhe uroj e besoj, dua të them që jam i bindur që edhe e ardhmja e këtyre marrëdhënieve do të jetë po kaq e fortë sa deri me tani.

 

 

9 komente në “Topi: Është lajm i mirë që Berisha më thotë je president i shkëputur nga interesat partiake”

  1. sheqerja says:

    Cdo njeri ka dicka per te kritikuar edhe zoti Topi njeri eshte me te mirat dhe te keqijat e tij por nje gje e ka pozitive eshte qytetar dhe e tregoi qe vjen nga nje familje qytetare ,politikan pa eksese,bravo per formimin e tij qytetar dhe intelektual

    1. raimondi says:

      Topi edhe mund te jete qytetar edhe mund te mari vota nga PD-ja , por ama Topi
      ne politken e jashteme eshte shume i dobet

      Ai thote :… duhet te kemi maredhenie me Serbine !!!!????

      __Po ca marredhenie do kesh Ti me Serbine more !–Ata te kane vrare 12,000 shqiptare
      dhe nuk kane kerkuar aspak falje dhe akoma sillen ne menyre kriminale duke perdorur serbet e Kosoves per te destabilizuar Kosoven

      Atehere si mund te bisedohet me Serbine ?

      ———- -Shqiperia duhet ti kekroje Serbise ,qe Serbia te paguaje dem -shperblimet
      e luftes ne Kosove, si dhe Serbia te kerkoje Falje per krimet qe ka bere ndaj popullit shqiptar te Kosoves–
      Se ato krime jane tamamn genocid

      –Pastaj ti mund te ftosh presidentin serb te vije ne Tirane —

      ——–Si mund te vije presidenti serb ne Tirane kur poltika e atij presidenti
      neper bote, punon ne menyre permanente me agresivitet te hapur Armiqesor
      kunder kombit shqiptar ?

      —–Eshte fyerje per ne shqiptaret te presim ne Tirane nje president serb

      -Nuk ka asnje arsye,as politke dhe as moral,e te vije ne Tirane presidneti serb……

      ——–Keta politkanet tane nuk kane respekt per ndjenjat e populli shqiptar

  2. Argita_B says:

    Nje gje eshte e sigurte se Topi po arrin te fitoje qindra vota dita dites dhe Berisha po i humb ato.
    Topi ka avantazhin te mos jete i perfolur per korrupsion, per pjesmarrje ne klane mafioze, per neopotizem, ka ditur te rrethohet nga njerez shume pak te perfolur dhe kopetente, ka terhequr ne stafin e tij ish studente qe kane mbaruar studimet e kane punuar ne perendim, pra kane nje kulture pune perendimore, ka gjithashtu avantagjin e madh qe nuk eshte i ardhut ne Tirane si Berisha qe vjen nga Vicidoli, por eshte nga te vetmit perfaqesues te kryeqytetit.

    Pra Topi nese vazhdon me kete strategji do te behet me te vertete nje pengese e madhe direkte per Berishen pasi do te mbledhi nje numer te konsiderushem te elektoratit te djathte, te gjithe te pakenaqurit e Berishes, ata qe nuk votojne do te kene tendence te votojne per Topin pasi eshte vigure e palyer ne politiken shqiptare, si dhe nje pjese e deputeteve te djathte qe nuk kane me hapsire ne PD do te kalojne nga ana e Topit.

    PD-ja ne 2013 do te kete probleme te medha pasi Berisha eshte i destinuar te humbi zgjedhjet, nese humb zgjedhjet eshte fundi i karieres se tij politike, lufta qe sot behet e mbyllur ndermjet klanit Basha dhe Klanit Topalli do te rihapet shume shpjet, pra kjo do çoje drejt copetimit te PD-se.

    Ndaj dhe Berisha ka frike dhe sulmon Topin, pasi eshte i vetmi kundershtar serioz politik i krahut te djathte.

  3. fule says:

    Merre dhe cliroje PD-ne nga kthetrat e Sales dhe ish-sigurimsave o Z. President dhe futi fshesen Ciljetave, FariBAllinjve e pislliqeve te tjera

  4. Homeri says:

    Berisha luajti shume me percarjen e te majtes por ra prehe e atyre qe kerkojne pushtet brenda PD. Dhe ajo qe ndodhi me te majten do ti ndodhe pd, Po mundohem te percaktoj zonen e elektoratit te z.BAMIR TOPI .–Teme falni nuk e them me percmim po zona elektorale ku ai mund te marre vota do jete ajo e HAXHI QAMILIT –Tirane ,Shijak, Durres,Kavaje, Peqin—nuk shkon dote ne bathore e me teje . Kjo zone voton sipas asaje qe fitojne veende pune apo jo dhe kur ta shikojne se ngelin me gisht ne goje do ti largohen ose do ta detyrojne bamirin te beje kualicion me Berishem pra nje e ardhme si ajo e Neritan cekes

    1. Argita_B says:

      Berisha te bej koalicion me Topin!!
      Ska gje qe nuk ndodh, aq me teper ne Shqiperi, por problemi eshte se Berisha eshte 67 vjet, gati 70 vjeç ne 2013, nese humb zgjedhjet Berisha eshte i dale nga politika pasi do ti duhet te presi 4 vjet ne opozite, 74 vjeçe Berisha eshte ne mos i vdekur, mùe nje kembe ne varr.
      Keshtu qe me Topin si bije radha te bej me kualicion.

  5. arber says:

    une mendoj topi nuk merr vota nga e djathta ai mund ti ndaje me ramen lider i te djathtes eshte z berisha deri sa te jete gjalle dhe ato vota qe ika marre ne 2009 i ka gjithmone

    1. Landi- Sverige says:

      Eshte e vertete, te “djathtet” si puna jote bajraktarin do votoni deri ne ngordhje.

    2. Rekordmeni i Dhermiut says:

      Une jam i djathte sepse vij nga familje ish-pronaresh dhe ish te burgosurish politik dhe po te them qe as une as familja ime dhe as shume te tjere qe une njoh nuk kane per ta votu me Berishen,sepse Pd eshte gjithcka por Parti e Djathte KURRË…Ish te burgosur Politik qe pas 20 vjetesh nuk kane marre akoma demshperblimin e burgut dhe jo “ish pronareve” por pronareve legjitim po ju zaptohen pronat cdo dite….Prandaj nga te djathtet e vertete Berisha do te marri K..in.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje