Të presim Serbinë

30 Korrik 2012, 10:33Rajoni TEMA

Daniel Serwer thotë se Kryeministri serb, Ivica Dacic ka dhënë disa sinjale të mira në raport me Kosovën, por tani duhet parë veprimet e tij. Megjithatë, normalizimi i raporteve mes dy vendeve, sipas tij, është ende larg. Analisti amerikan në një intervistë për Express pohon se diplomacia kosovare përballë kundërshtarëve po shfaqet e talentuar, edhe pse me resurse të kufizuara.

 

Z. Serwer, disa muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve u formua në Serbi u formua Qeveria e re. Cilat janë gjasat tani për një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe mundësitë për të arritur rezultate?

Është ende herët të thuhet. Kryeministri i ri, Ivica Dacic ka thënë disa gjëra të mira: ai do t’i japë prioritet ekonomisë së Serbisë, është duke zvogëluar burokracinë që është e dedikuar për Kosovën, dhe ka thënë se do të implementojë marrëveshjet tashmë të arritura me Prishtinën. Por nuk mjafton vetëm të dëgjojmë se çfarë thotë qeveria e re, por duhet të shohim çfarë bën.

 

Të premten kishte sinjale kontradiktore nga Parlamenti serb gjatë betimit të Qeverisë. Kryeministri Dacic tha se ai do të angazhohet të mbaj Kosovën brenda kufijve serbë, por u shfaq i gatshëm të vazhdojë dialogun dhe të implementojë marrëveshjet e arritura.

Kushtetuta e Serbisë kërkon që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, kështu që në këtë kuptim, Dacic në fakt nuk ka zgjedhje. Politikanët serbë i kanë krijuar vetes së tyre një pengesë të jashtëzakonshme kur ndryshuan Kushtetutën më 2006. Vazhdimi i dialogut nuk është qëllim, por mënyrë. Le të shohim nëse ai do të përmbushë premtimin për të implementuar marrëveshjet tashmë të arritura.

 

Çfarë prisni në fazat e ardhshme sa u përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi? A mund të normalizohen ato kur kemi parasysh lidershipin e ri atje?

Unë pres shumë pak, por shpresoj që Serbia do ta pranojë se normalizimi i marrëdhënieve u shkon interesave të saj më të mira. Normalizimi domethënë për mua që Beogradi dhe Prishtina duhet të kenë përfaqësues në kryeqytetet e tyre dhe të pranojnë integritetin territorial të njëri-tjetrit. Beogradi është ende shumë larg nga kjo. Nuk jam i sigurt që edhe Kosova është e gatshme për këtë.

 

Si e shihni diplomacinë kosovare karshi asaj serbe?

Diplomacia serbe është mirë e etabluar dhe taktikisht ka qenë shumë e mirë: ajo ka ngadalësuar njohjet për Kosovën dhe ka fituar Presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së. Ajo ka bindur shumë shtete se një Kosovë e pavarur është kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.

Por nuk e shoh se çfarë të mire në fakt do të sjellë kjo krejt në fund. Njohjet janë duke ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë. Presidenca e Asamblesë së Përgjithshme do të përfundojë brenda një viti, kur shpresoj që të shohë Kosovën me mbi 100 njohje.

Serbia humbi rastin e vet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur kërkoi një opinion këshillues rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe politikat e saj në Kosovën Veriore kanë krijuar probleme serioze me krimin e organizuar dhe dhunën politike, të cilat tashmë kanë vonuar hapjen e negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE.

Ngadalësimi i gjërave nuk i ndihmon Beogradit, nëse këto e dëmtojnë prospektin e Serbisë për në BE dhe rezultati eventual i Kosovës është i njëjtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje