Autori i “Lum Lumit” dhe shumë veprave të tjera letrare, poeti Ali Podrimja, i cili i këndoi dhimbjes personale dhe asaj kolektive është përcjellë sot për në banesën e fundit. Familjarë, miq, shkrimtarë dhe qytetarë të Kosovës i dhanë lamtumirën e fundit poetit Ali Podrimja, që vdiq në Francë, ku po qëndronte në festivalin e poezisë “Zëri i Mesdheut” që zhvillohej në Lodeve të Francës.
Të pranishmit në këtë ceremoni e quajtën vdekjen e tij humbje të madhe për familjen, shqiptarët si dhe lexuesit e tij, të cilët u mësuan ta shohin fatin në vargjet e tij, të shërojnë dhimbjen me fjalët dhe ta fisnikërojnë shpirtin me humanizmin e poezive të poetit Ali Podrimja.
Akademiku Ali Aliu tha se një popull që lind poet si Ali Podrimja është një popull me fat.
“Një popull që lind poetë si Ali Podrimja, poet përmasash universale, është popull me fat. Për gjysme shekulli ne shqiptarët u mësuam ta ndjejmë poezinë e Aliut, si një bashkëndërrim, bashkërendim, si një zë tmerrësisht tronditës, të mprehtë, të qëndrueshëm, bartës të dhimbjes së të gjithëve, si një melodi e përsosur që gjithnjë është aty kur na duhet dhe na shoqëron pa e kërkuar. Të mëdhenjtë si Ali Podrimja, që arrijnë në këtë prani të natyrshme, të vetëdijshme në jetën e një kombi, kur ndahen nga ne nga kjo botë, humbja përjetohet si gjëmë, si një terr, si zbrazësi e pangushëllueshme. I tillë goditës na erdhi lajmi i kobshëm për Aliun”.
Ndërsa Bastri Çapriqi, drejtor i Pen Qendrës, tha se lajmi për vdekje e poetit të madh Ali Podrimja ka dridhur shqiptarët kudo që janë, pasi për një gjysmë shekulli lexuesit e poetit Podrimja u mësuan të shohin fatin në vargjet e tij, të shërojnë dhimbjen me fjalët e tij dhe ta fisnikërojnë shpirtin me humanizmin e poezive të poetit Podrimja.
“Ali i dashur, jemi mbledhur sot nga të gjitha anët, me kokën ulur, të bëjmë nderimet e fundit për poetin e madh. Është shumë e vështirë të pajtohemi, se po largohet prej nesh, njeriu ynë i dashur, i cili për një gjysmë shekulli, mbajti gjallë shpresat e këtij populli, artikuloi si askush tjetër, idealet e tij liridashëse dhe i dha ritmin jetës dhe kulturës së këtij vendi. Ali i dashur, ke dridhur sot gjithë shqiptarët, gjithë koleget e tu shkrimtarë nga rajoni i Ballkanit dhe Evropa, janë shtangur gjithë lexuesit tu, anë e kënd botës, me lajmin e hidhur e të rëndë, se po largohet përgjithmonë bardi i vërtetë i poezisë shqipe”, pohoi Qapriqi.
Ndërsa nipi i Ali Podrimjes, Genti Salihu, tha se e adhuronte gjyshin e tij fshehurazi. Ai foli për gjyshin Ali Podrimja, për tregimet dhe energjinë e tij të hatashme, e cila e përcolli gjatë tërë jetës.
“Gjyshi na sfidoi, t’i kthehemi zbulimit të vetës në radhë të parë, me vlerat dhe sinqeritetin e tij ndonjëherë si të fëmiut, gjyshi pati ndikim të madh tek të gjithë ne. Por ndikimi i tij nuk ishte fare ngulfatës. Përkundrazi, gjyshi jo vetëm që na dha hapësirë, të gjejmë vetveten , ai vazhdimisht na inkurajoi të bëhemi zot të fatit tonë. Shkoi tash gjyshi, por neve familjes për poezi nuk do të na mungoj. Sepse vepra e gjyshit mbetet tek të gjithë ne. Do të na mungoj aroma e tij, puthjet e tij të lagëta, e telefonatat e tij të shpeshta e ndonjëherë dhe të bezdisshme. Por gjyshi shkoi, humbje e dhimbshme për ne shqiptarët, të cilët shprehën pashtershëm këto ditë admirimin dhe respektin për Ali Podrimjen”, pohoi Salihu.
Poeti Ali Podrimja, i cili po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée” , në qytetin e Lodeve, kishte humbur kontaktet me zyrtarët dhe kolegët e festivalit që nga 17 korriku në mbrëmje. Ndërsa pas tri ditëve është gjetur trupi i pajetë i poetit të njohur shqiptar Ali Podrimja.
Ali Podrimja lindi me 1942 në Gjakovë ku edhe kaloi rininë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.
Pas poemthit lirik ,Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist, një vit më pas, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999)./EXPRESS
Çudi se si mund të humb jetën një intelektual i madh shqiptar në një vend të huaj, gjatë një vizite të tij zyrtare nga shteti i tij.
Sa dhembje që qeveria jonë nuk mund të na sqaroj neve pse dhe si. Sigurisht kjo nuk është pjesë e planit të huaj me numër…
Podrimja ishte poeti qe ka bere simtezen e fatit te shqoiptarit ne shekuj………qe vdekkja e ndjek pas ngado . Ne Shqiperi nuk e kemi ditur kete fakt ,porse tani qe jemoi ne emigrim shilojme se te jesh shqiptar qe mbron identitetin e tij hqiptar eshte me te vertete nje lufte e perditeshme me vdekjen……….. Podrimja eshte poeti i vetem qe e ka shprehur kete fakt me force be poezine e tij. Mendoj se ne rastin e humbjes se Podrimes bota kulturore shqiptare ka humbur shume,shume .lka humbiur dritaarenm e saj ne poezine europoiamne ,nderkq qe ne emigramntet kemi humbur poetin tone, meuesin tone,kujdestarin tone ……… Podrimja iku por poezia e tij eshte nje Bibel patriotike qe na mbron nga armiqte dhe ne te njejten kohe na mpreh shijen artistike me memndimin e saj te sofistilkuar poetik. I qofte dheu i lehte poetit tone te madh. Ngushellimet e mija me te sinqerta shkojne tek famljaret dhe miqte e poetit.
Do shtoja edhe dicka tjeter se nuk e nxinte pasi po shkruaj nga celulari. Presidenti Shqiperise e ka per detyrim moral dhe kombetar ti akordoje Podrimes nje dekorate per nivelin e tij teper te larte artistik ne rang europioan, dhe per nivelin e larte dhe kurajon patriotike ne vargjet e poezise se tij si askush tjeter
E kam njohur poetin e talentuar ne prill te vitit 2001 kur ai beri nje promovim libri.E kam te gjalle nenshkrimin e tij.Mua dhe Podrimen na bashkon i njeti fat.Ai humbi Lumin per te cilin shkroi dhe nuk pushoi kurre.Edhe une djalin e vetem 25 vjeç.Vertet nje paralelizem i pa deshirueshem por kohes , fatit nuk ke ç’i ben.Aliu ishte atdhetar dhe teper kurajoz, nuk i trembej rrezikut, por e merrte gjithmone me vete.Me humbjen e Ali Podrimes Shqiperia humbi nje pene te arte ne lemin e poezise qe do ta ndjeje per shume kohe.Ngushellime familjes, niperve dhe mbesave, gjithe bashkeatdhetareve tane brenda dhe jashte Shqiperise, kudo qe punojne e jetojne.Vepra e Ali Podrimes do rezatoje ne shekuj.
Odise Çaçi Docent,Pedagog ne Universitetin “Ismail Qemali ” Vlore