Takimi i “fshehtë” për bisedime

26 Korrik 2012, 10:41Rajoni TEMA

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si takim të rregullt atë që u mbajt në ndërtesën e Komisionit Evropian në Bruksel, mes Catherine Ashton dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi.

Mirëpo, BE-ja e ka mbajtur pothuajse në fshehtësi të plotë atë deri pak para shtrëngimit të duarve mes Thaçit dhe baroneshës britanike që është dhe përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme të BE-së.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiq, dy ditë më parë i ka thënë “Zërit” se shefi i qeverisë kosovare mund të vijë gjatë javës, por ende nuk është e konfirmuar.

Shërbimi audio-vizuel i BE-së, “Europe by Satellite” të mërkurën, ka postuar vetëm rreth 30 sekonda pamje nga shtrëngimi i duarve mes Ashton dhe kryeministrit Thaçi.

Jozyrtarisht merret vesh se me gjithë kërkesat e vazhdueshme të palës kosovare, zyra e Ashton nuk ka pranuar që pas takimit të ketë edhe konferencë me gazetarë.

Vizita e kryeministrit të Kosovës në Bruksel është bërë pak ditë pas vizitës së presidentes Atifete Jahjaga, e cila u prit nga zyrtarët më të lartë të BE-së. Maja Kocijançiq, e cila të mërkurën nuk është përgjigjur fare në telefon, përmes postës elektronike ka njoftuar për temat e diskutimit mes Ashtonit dhe Thaçit./Zeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje