Një anketë e sponsorizuar nga Bashkimi Europian tregon se gazetarët gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik në Kosovë dhe se shfrytëzimi i internetit si burim lajmesh është rritur dukshëm që nga viti 2010, duke kaluar në vendin e dytë pas televizionit.
Anketa e kryer nga UBO Consulting, që është prezantuar të martën bashkë me zyrën e BE-së në Kosovë dhe Ministrinë kosovare të Integrimit, thotë se pas gazetarëve, vendimmarrësit e BE-së gëzojnë vendin e dytë të besimit nga publiku në vend.
Sipas anketës, në një referendum për t’iu bashkuar BE-së, 72 për qind e qytetarëve të Kosovës do të kishin thënë “Po” – që është një përqindje, e cila nuk ka ndryshuar fare nga dy vitet e kaluara.
“Shumica besojnë se integrimi do të ishte një përparësi për Kosovën; pothuaj 90 për qind e të anketuarve e konsiderojnë si të rëndësishëm fuqizimin e lidhjeve me BE-në dhe më shumë se 70 për qind e tyre e shohin integrimin në BE si një zgjidhje të mundshme për problemet ekzistuese në ekonomi, udhëtim, korrupsion, sigurim të së ardhmes për të rinjtë, mirëqenie sociale dhe në fushat e bujqësisë”.
Ndërkohë, niveli i besimit në OJQ/përfaqësues të shoqërisë civile ka rënë dukshëm – nga 18 për qind në vitin 2010 në 7 për qind. /Gazeta JNK/