Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka diskutuar gjatë deri sa ka arritur të miratojë ligjin “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në Republikën e Shqipërisë”, por tashmë pa kaluar pak muaj nga miratimi i këtij ligji, ekspertët kërkojnë ndryshimin e tij.
Pika kryesore është zgjerimi i rrethit që mund të dhurojë organ për transplant. Kur është miratuar ligji nuk janë marrë parasysh persona që nuk kanë të afërm me lidhje gjaku, siç janë jetimët. Dhe sipas ligjit kjo kategori mund të vdesë pasi ligji ndalon dhurimin e veshkës, qoftë dhe mes njëri-tjetrit.
“Nuk më duket normale që dhurues organesh të jenë jashtë trungut familjar. Pra një shok mund t’i dhurojë shokut të tij veshkën. Kjo do sillte abuzime sepse ai mund ta shesë veshkën 20 mijë euro dhe kjo mund të sjellë ndonjë situatë si në Bangladesh”,- theksoi Tritan Shehu, zv/kryetar i komisionit, në periudhën e diskutimit të këtij projektligji. Më tej ai vazhdoi “Duhet të saktësojmë nenin që ka të bëjë me njerëzit e paaftë, por edhe për të afërmit e trungut familjar. Ky është një ligj i vështirë dhe ka debat kudo në botë. Grupet e eksperteve të Komisionit të Shëndetësisë dhe Ministrisë po punojnë bashkë për të bërë ato ndryshime që vlerësohen të domosdoshme”, tha Tritan Shehu.
Në fakt këto që thotë e mendon z. Shehu janë të pavërteta…
Vetëm vende si Shqipëria dhe Italia kanë një ligj të tillë
Ligji për transplantin e veshkave në Shqipëri ngushton rrethin e të afërmve për dhurimin e veshkës. Sipas specialistëve për të hartuar këtë ligj është marrë si shembull Italia por nuk mund të merret si shembull një vend ku ndikimi i Kishës Katolike është maksimal, ndonëse, për hir të së vërtetës vetë Kisha Katolike ka evoluar në qëndrimin e saj përsa i përket transplanteve. Vetë Papa Gjon Pali II ka theksuar nevojën e shpëtimit të jetëve njerëzore, sigurisht jo duke i hequr një njeriu tjetër mundësinë e jetës.
Vende si SHBA, jo vetëm që lejojnë dhurimin e organeve nga dhurues që nuk kanë asnjë lidhje as gjaku e as njohjeje, por e inkurajojnë këtë gjë.
Historia-ime.com botoi pak kohë më parë një reportazh të Reuters ku flitej për një projekt dhe një zgjidhje shumë brilante:
Një çift që pret të martohet së shpejti, një mësues në pension dhe gruaja e tij, dy baballarë secili me djalin e vet, por edhe dyshe të tilla të tjera, ishin këtë javë mes njerëzve që u ndryshoi jeta krejtësisht. Mes tyre ishte edhe një nënë 35 vjeçare nga Karolina e Veriut e cila e rrit fëmijën e vetme, e që i dhuroi një veshkë të saj një të panjohuri nga Nju Jorku!
“Nuk po humbas asgjë”, tha për Reuters Honica Brittman, nëna 35 vjeçare, teksa ishte ulur në një shtrat të spitalit pak para operacionit të dhurimit të veshkës, dhurim të cilin ajo do ta bënte falas, si edhe të tjerët, pranë një qendre mjekësore në Nju Jork që shërben edhe për studentët e Columbia University.
“Të ndihmosh dikë të jetojë më mirë, apo më shumë, është diçka e jashtëzakonshme”, shtoi ajo.
Bëhet fjalë për një nismë apo skemë të re të dhurimit të organeve jetësore që ka shumë mundësi të revolucionarizojë të gjithë këtë fushë.
Gjithçka është shumë e thjeshtë në logjikë, por matematikisht shton mundësitë për jetë për qindra, mijëra e miliona pacientë nëse zbatohet: në një çift, në një familje apo mes dy personave njëri ka nevojë për një veshkë, tjetri është i gatshëm ta dhurojë, por parametrat mes të dyve nuk përputhen! Çfarë ndodh atëherë? Personi që vendos të dhurojë veshkën për të dashurin e vet, e dhuron atë tek një i panjohur, me kushtin që brenda dy ditëve stafi mjekësor t’i ketë gjetur të dashurit të vet një veshkë tjetër të përshtatshme.
Brittman, e cila vendosi të ishte pjesë e këtij zinxhiri jashtëzakonisht praktik kur zbuloi se veshka që do i dhuronte një familjari nuk përputhej, është, në fakt, vetëm një nga shumë e shumë të tjerë që doktorët amerikanë e quajnë pjesë e numrit në rritje të dhuruesve “altruistë”, apo dhuruesve të tjerë që nuk kanë lidhje gjaku apo njohje me personin që përfiton nga ky dhurim.
Rreziku shëndetësor për dhuruesit e organeve besohet masivisht të jetë i ulët. Doktorët besojnë se rrezikon për të pasur komplikacione vetëm 1 në 1.700 dhurues, ndërkohë që sipas Fondacionit Kombëtar për Veshkat në SHBA, jetëgjatësia e personave që dhurojnë një veshkë nuk ka asnjë ndryshim me atë të njerëzve të tjerë, të cilët kanë dy veshka.
Tereska: Duhet riparuar ligji për transplantin e veshkave
Zgjidhja nuk është që njerëzit të mund të dhurojnë veshka vetëm për familjarët e tyre, por tashmë është provuar në të gjitha vendet e zhvilluara që zgjidhja më e mirë është krijimi i një banke të posaçme për dhurimin e organeve, e për këtë duhet një projekt i mirëfilltë dhe bashkëpunim i të gjitha instancave.
Megjithatë ka ardhur koha që të bëhen disa ndërhyrje në ligj. Për këtë kemi biseduar me doktor Nestor Tereskën, i cili është shef i shërbimit të nefrologjisë në QSUT.
Ai e fillon bisedën duke pohuar se këto ditë në zyrën e tij kanë trokitur dy persona të cilat donin të shisnin veshkën. Kjo po përsëritet herë pas here. Megjithatë Tereska është i mendimit që rrethi i familjarëve që mund të dhurojnë veshkën të zgjerohet, madje në këtë listë të futen miqtë dhe të njohurit, por baza ligjore të jetë aq e fortë sa të pengojë trafikimin e organeve.
Çfarë konkretisht mund të ndryshohet në ligj? “Për shembull”, përgjigjet në një intervistë për historia-ime.com prof Tereska, “rrethi i personave që mund të dhurojnë veshkën të zgjerohet e mos kufizohet vetëm te nëna, babai, motra dhe vëllai. Duhet zgjeruar pak dhe rrethi shoqëror. Për këtë u konsultova me disa profesorë si Mustafa Xhani, Petrela etj, dhe ramë dakord që duhet zgjeruar, por duhet të ruhemi në maksimum nga çdo mundësi e trafikimit të organeve. Dhe në këtë drejtim unë jam jashtëzakonisht strikt. I ruhem si djallit trafikimit të organeve. Në Shqipëri vetëm këto tre javë më kanë dy persona për të shitur veshkën! “A shitet veshka se duam ta japim”, kështu më kanë thënë”.
Duke saktësuar se është tjetër gjë dhurimi i veshkës dhe tjetër gjë shitja apo trafikimi i saj për motive ekonomike, profesori tha më tej: “Sot jetojmë në grup dhe nëse një nga kolegët e mi do të kishte nevojë personalisht do të isha i gatshëm t’i dhuroja veshkën. Por kjo ndodh dhe në ambiente të tjera pune. Duke zgjeruar grupin e dhuruesve zgjerojmë mundësinë për të shëruar të sëmurët”.
Përse është kaq strikt ligji? Ai përgjigjet: “Ndoshta nga frika e trafikut të organeve dhe korrupsionit. Mendoj se këtë kanë pasur parasysh kur është ngushtuar grupi i dhuruesve”.
Ai shton se “të gjitha këto që diskutuam duhet të kenë një bazë ligjore dhe e dyta një doktor ngriti (i referohet konferencës së fundit ku ka qenë i pranishëm) problemin e krijimit të një banke për dhurimin e organeve. E jep një familjar, nuk i korrespondon, ia kalon një pacienti tjetër që mund t’i korrespondojë. Një koleg e pasqyroi këtë ide me eksperiencën e transplantim të palcës së kockave, pasi banka e transplantit të kockave është një organizim i përsosur”.
Si mund të krijohet kjo bankë? Tereska thotë se “kjo kërkon një parapërgatitje, do organizma të tërë që të ndihmojnë si: Organizata Botërore e Shëndetësisë, të vihet në lojë një projekt i madh me Këshillin e Evropës sikurse ishte projekti i transplantit që kishim me Italinë. Nga ana tjetër duhet të futen në lojë shumë anastezistë, reanimatorë, urologë, nefrolog, ekspert ligjorë. Them se ka ardhur koha të mblidhen ekspertë me eksperiencë evropiane. Unë jam shumë dakord që ligji aktual është i mirë por duhen parë mundësitë e një ripërpunimi. Pikërisht këtë po bëjnë dhe francezët, po zgjerojnë gamën e personave që mund të dhurojnë.”
Diskutimet ne mbledhjet gjatë diskutimeve në komision, të gjitha mbledhjet janë drejtuar nga Tritan Shehu.
6 Korrik 2011 (Transkripti i bisedave në komision, siç është botuar në faqen zyrtare të Parlamentit – Historia-ime.com do të sjellë të gjitha bisedat dhe mbledhjet për këtë ligj në mënyrë që lexuesit të bëjnë vetë dallimin në qëndrimet e deputetëve. Në tekst kemi ndërhyre në disa momente për të bërë komentet tona përkatëse)
Tritan Shehu – Të nderuar kolegë mirë se erdhët, le të fillojmë mbledhjen. Në mbledhjen e sotme do vazhdojmë përsëri me projektligjin “Për Transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve, në Republikën e Shqipërisë”.
Kemi të pranishëm përfaqësuesit e ministrisë së shëndetësisë për të diskutuar për shqetësimet që ne patëm mbledhjen e kaluar. Ne shprehëm shqetësim për identifikimin më mirë të të afërmve të donatorit, folëm për institucionet private, cilat nga këto do ta kryejnë transplantimin.
Vjollca Duro – Mendimi im personal është që transplantimi të bëhet vetëm në institucionet publike, por përkufizimi që kemi në projektligj është në përputhje me direktivat e BE-së.
Tritan Shehu – Unë mendoj, se projektligji duhet të jetë më i qartë në përcaktimin e personave që lejohen të japin pëlqimin për dhurimin e organeve për transplantim. Duhet të bëhet një sistem i veçantë licencimi për klinikat që do bëjnë transplantet. Dua të di, në cilin vend të BE-së transplantet mund të bëhen në institucionet private?
Sokol Frroku – Direktivat e BE-së parashikojnë që transplantet të bëhen si te publiku ashtu dhe tek privati.
Tritan Shehu – Po në vendin tonë si do operohet?
Vjollca Duro – Nuk mund t’i kufizojmë privatët.
Flamur Noka – Ky përkufizim është marrë nga direktivat e BE-së.
Tritan Shehu – Në Itali dhe në Francë transplantet bëhen vetëm tek publiku. Ne duhet të vendosim mënyrën si do operojmë në vendin tonë. Këtë gjë do ta diskutojmë kur të jetë i pranishëm dhe ministri.
Flamur Noka – Ne duhet të kemi parasysh dhe të marrim në konsideratë kriteret që do vendosen për licencimin e institucioneve që do kryejnë transplantin. Duhet ti bëjmë shumë të rrepta, shumë strikte.
Tritan Shehu – Ne shprehëm shqetësim dhe për vdekjen celebrale. Në projektligj thuhet që, vdekja përcaktohet nga tre mjek. Mendoj që të fusim konceptin e vdekjes celebrale, si është në ligjin e vjetër, është më e saktë. (në fakt vdekja celebrale është një nga çështjet kryesore të debatit mes vetë Kishës Katolike dhe doktrinës së saj)
Vjollca Duro – Ligji vështirësinë e ka në zbatim, jo në hartim.
Flamur Noka – Ky është një projektligj shumë delikat dhe duhet parë me shumë vëmendje.
Tritan Shehu – Duhet të identifikohen më qartë njerëzit e afërt të donatorit, që japin pëlqimin për dhurimin e organeve, dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme sepse le vend për abuzime.
Vjollca Duro – Ky projektligj përfshin dhe personat jashtë familjes.
Tritan Shehu – Përcaktimi që është në projektligj është shumë i gjerë. Cili nga vendet e BE-së e ka kaq të gjerë rrethin e personave që japin pëlqimin për dhurimin e organeve? Legjislacioni Italian e ka të përcaktuar qartë, SHBA-ja po ashtu, kufizohen vetëm brenda familjes. Ky moment duhet parë me kujdes. (në këtë moment z. Shehu po thotë diçka të pavërtetë…)
Flamur Noka – Ky projektligj është shumë i rëndësishëm, duhet të jemi shumë të qartë në formulimin e tij. (Noka, atëherë deputet, jo ministër, vazhdon të jetë i paqartë dhe gati- gati i frikësuar)
Duhen shpetuar jetet e njerezve, humanizmi duhet te jete te gjithe ne dhe te gjithe ato familje qe vuajne per te afermit e tyre
Lejojeni ligjin e transplanit dhe shikojeni se si do te vdesin patientet nga “zemra” per tu pasuruar me shume kasapet e spitaleve. Ohu sa kujdes duhet dhe sa specialiste duhet te jene ate qe duhet ta hartojne kete ligj. Mos me cofte zoti ne doren e atyre kasapeve, mjer ai popull qe jeton atje. Eshte nje teme shume shume delikate se njerezit kane nevoje per para dhe do ti shesin organet e tyre neper spitalet private. Shteti duhet te beje kujdes me kete ligj, po cfar shteti kemi ne, te gjithe jane gjysmaker nga trute dhe mafioze. Hajde te presesh ligje te drejta nga kriminelet.
sa mire do te behet pastaj moj nadia, kur te vish ne spital pervec mundesise per te kryer hallin qe te con atje do kesh mundesi qe te shohesh ne ndonje tavoline per ndonje organ, sy, veshke, melci a ndonje gje tjeter… qenke ftohur fare, po fare.
ku i ke pare ti keto kasapet? ceshte gjithe ky gjykim negativ? kasaperia qendron neper hipoteka, ku per te legalizuar nje prone tjeter njerez deri dhe te pashkolluar te kerkojne nga 15 mije euro, neper gjykata e prokurori ku dalin te pafajshem persona qe vrasin, neper drejtorira partiake ku militantet dallkauke partiake yene poste drejtuese apo poste specialistesh dhe na bejne neve te tjereve politika drejtuese, ku per te gjetur nje vend pune psh mesuesi, infermier, apo dicka tjeter ne shtet duhet te paguash nga 4-5 mije euro, e duke i permbledhur te gjitha keto ne nje togfjalesh mund te themi se kemi te bejme me nje kalbje te te gjithe shoqerise…