INTERVISTA/ Moisiu: Aleanca PS-LSI, e papëlqyeshme, por e nevojshme

16 Prill 2013, 10:11Politika TEMA

Ish-presidenti komenton situatën politike e zgjedhore, duke u shprehur se po bëhet kritike nevoja për një rotacion politik në 23 qershor. Por kujdes! Nuk duhet thjesht rotacion figurash, por ndryshim metodash qeverisjeje

Nga Skënder Minxhozi, JAVA

 

 

President Moisiu, po përjetojmë një dimër të gjatë dhe të ngarkuar, si në planin politik, ashtu edhe në atë social e ekonomik. Si do ta përshkruanit ju situatën që kalon aktualisht vendi?

Po keni të drejtë, është një dimër që nuk mbahet mend prej kohësh, si rrallë ndonjëherë. Dua të them jo vetëm për klimën, por edhe për gjendjen social-ekonomike, si dhe për zhvillimet politike. Me gjithë mungesën e paparë të transparencës, nuk është vështirë të kuptohet dhe të ndihet një rënie e përgjithshme ekonomike. Vihet re një rritje e theksuar e varfërisë së shqiptarëve, e papunësisë, mungesës së sigurisë si dhe rritjes së krimit e korrupsionit. Një rritje e përmbytjes së strukturave tona shtetërore me militantë të etur për të ruajtur statukuonë dhe të gatshëm për të bërë gjithçka që kërkon partia në pushtet. Pra një situatë e tejmbushur me negativitete të dëmshme dhe të padurueshme.

 

Ju dhe Presidenti Meidani keni qenë të angazhuar prej kohësh nëpërmjet Aksionit Civil, në një sërë nismash që synojnë përsosjen e demokracisë. Sa efektive mendoni se është sot iniciativa civile në Shqipëri? Sa dëgjohet zëri dhe mendimi i aktorëve jashtë skemës politike e institucionale?

Në sensin pozitiv pyetja juaj është ngacmuese për situatën në të cilën ndodhemi. Si unë ashtu edhe Presidenti Meidani, duke e konsideruar veten tonë jo vetëm si qytetarë të këtij vendi, por edhe si njerëz që kemi pasur detyra të rëndësishme në drejtim të shtetit, menduam se një fjalë e thënë, në interes të shoqërisë dhe me ndjenjë dashurie për Shqipërinë do të ishte një ndihmesë e mirë për këdo. Por për fat të keq, vëmë re se politikanët tanë gjykojnë se ata çdo gjë e dinë vetë dhe nuk kanë nevojë për mendimin e të tjerëve.

Sigurisht që ky është një fakt që vërteton papjekurinë e politikanëve dhe tendencën e “Unit” tek ata. Jo vetëm kaq, por tek politikanët tanë vihet re një tendencë nihiliste për përvojën dhe vlerat njerëzore të intelektualëve të lirë. Bota perëndimore dhe ajo përparimtare e ka gjykuar dhe e gjykon krejt ndryshe këtë fenomen të shoqërisë bashkëkohore njerëzore. Si në SHBA ashtu edhe në shtetet e BE-së, vlerësimi dhe qëndrimi i politikës dhe i shtetit në tërësi kundrejt shoqërisë civile, është krejt ndryshe. Kjo u vërtetua më së miri nga fakti që komisioneri Fyle e deputeti i Parlamentit Europian, Kukan, erdhën në Tiranë dhe morën takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të medies. Me këtë rast doja të tërhiqja vëmendjen edhe për një pjesë të medies, të cilët pak përpjekje bëjnë për të vlerësuar dhe ekspozuar me forcë analizat dhe konkluzionet e rëndësishme që dalin nga takimet e shoqërisë civile. I vetmi rast që u vlerësua si një lëvizje serioze e shoqërisë civile është ajo kundër importimit të plehrave të rrezikshme, që pas një pune të gjatë këmbëngulëse më në fund u vendos të shpallej referendumi.

 

Së fundi u vërejt një debat i ndezur politik, në lidhje me kandidaturat e paraqitura nga presidenti Nishani për Gjykatën Kushtetuese. Përplasja ndodhi për shkak se u anashkaluan dekretet që ish-presidenti Topi kishte paraqitur në Kuvend. Si e shihni ju këtë impas ligjor që u konsumua?

Kjo që ndodhi e bën me të vërtetë qesharak Kuvendin shqiptar. Dhe kjo nuk ndodh për herë të parë, sepse ende në sirtarët e atij institucioni qëndron një dekret imi për emërimin në Gjykatën e Lartë të gjyqtares Gjenovefa Gaba! Dhe për çudi askush nuk kujtohet për të. Pra, anashkalimi i dekreteve të Presidentit, është bërë tashmë një manovër politike për të seleksionuar ata që mazhorancës aktuale ju duken të papërshtatshëm për punët e tyre. Në këtë rast nuk mund të them asgjë përsa i përket aftësisë profesionale të kandidaturave konkrete, pasi i njoh mirë me qenë se janë dhe të zgjedhurit e mi për në Gjykatën e Lartë si dhe Zaganjori për në Gjykatën Kushtetuese.

Por në rastin konkret problemin e shtrohet në pikëpamje të zbatimit të ligjeve dhe të rregullave. Ky parlament si dhe ai në të kaluarën, shkeljen e ligjeve dhe të rregullave nuk e kanë pasur përjashtim, por përkundrazi metodë pune, për çka mendoj se shkelësit duhet të mbajnë përgjegjësi institucionale. Nuk di pse opozita hesht për këtë shkelje dhe të tjera të këtij lloji?! Ajo, me përjashtim të disa deklaratave dhe largimit nga mbledhja e komisionit, nuk bëri asgjë tjetër që vërtet të kishte impakt të ndjeshëm për shkelje të tilla, sepse vetëm kështu mund të arrihet që të mos luajmë me ligjet dhe Kushtetutën. Veprime të tilla mund të shpjegohen edhe me një proverb popullor që thotë se “Nuk më vjen keq se kaloi miu në mjekër, por bëhet rrugë…!”

 

Nga shumë anë, prej vitesh, ka një kriticizëm të rritur për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Si i shihni ju sot ato ndryshimet? A janë ato në themelin e shumë krizave nëpër të cilat kemi kaluar, apo mendoni se nuk ka sistem të keq, por ka zbatim të keq të tij?

Mendoj se të dyja qëndrojnë, por duhet të them se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë qenë si të thuash varrmihëse për demokracinë shqiptare. Që në fillim kam qenë kundër tyre. Pikërisht kjo ishte arsyeja që u përfshiva edhe në lëvizjen për organizimin e një referendumi popullor për anulimin e atyre ndryshimeve, që u bë edhe një nga arsyet e grevës së deputetëve të LSI-së, të cilën unë e përkraha. Por ne ende jemi si të shurdhuar ndaj zërit të arsyes, në se ajo bie ndesh me llogaritë dhe interesat e politikës që ka pushteti. Këtu dalim rishtas në ato përfundime që përmenda, në përgjigjen e pyetjes së dytë.

Duhet ta themi hapur dhe për mua nuk ka asnjë hezitim, se këto ndryshime sollën në prishjen e ekuilibrave të pushtetit, që aq bukur ishin gërshetuar në kushtetutën e vitit 1998. Si pasojë mund të thuhet se balanca e ndarjes së pushteteve, që është baza më e rëndësishme e çdo demokracie, u prish dhe kjo mënyrë i dha mundësi mazhorancës së sotme të rregullojë raportet sipas interesave të saj në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë. Gjithashtu kjo prishi edhe rregullin e zgjedhjes së Presidentit me konsensus. Me një fjalë këto ndryshime krijuan të gjitha kushtet për të grumbulluar maksimalisht pushtetin në duart e asaj force që ka mazhorancën. Pikërisht ky sipas meje ishte një minim që ju bë demokracisë së re shqiptare.

Është e vërtetë që rregulla të tilla ka edhe në demokracitë e përparuara europiane, por ne ende kemi shumë ndryshime me ato. Tek ne ende janë gjallë tendenca të partisë shtet, të trashëguara nga e kaluara. Kjo sepse politikanët tanë kryesorë janë të formuar në ato vite, ndaj dhe ju duken shumë të pranueshme ato rregulla. Deri tani, tek ne është shumë e vështirë të ndodhë që forca politike në pushtet të propozojë në detyrën e Presidentit të Republikës ndonjë emër që vjen nga krahu tjetër, sepse mentaliteti pushtetmbajtës e konsideron atë funksion si domosdoshmëri, për të vazhduar ta mbajë pushtetin me çdo kusht. Pra zbatimin e keq të rregullave, sipas tyre nuk e quajmë gabim por rregullsi normale.

 

Shumica aktuale po mbyll mandatin e dytë të saj. Nëse do t’ju ftonit të bënit një bilanc të punëve të saj, cili do të qe ai?

Është një shprehje klasike që përdoret jo rrallë se: “Politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë”. Dhe po në këtë drejtim mund të përmend fjalën popullore: “Një fshat që duket nuk do kallauz”. Pra treguesit e ekonomisë, në të gjitha drejtimet, edhe sipas INSTAT, pasqyrojnë një rënie të dukshme të saj. Por le të mos merremi me shifrat dhe analizat akademike. Le të shohim çfarë po ndodh në realitet. Varfëria ka pllakosur shumicën e shqiptarëve. Kjo jo vetëm si rezultat i krizës, që unë asnjëherë nuk e kam kuptuar pse i tremben ta thonë hapur, në një kohë kur ajo ka përfshirë vende shumë më të zhvilluara se vendi ynë. Familjet shqiptare në shumicën e tyre me zi mbyllin muajin, shumë prej tyre marrin në dyqane ushqime me listë e tjera. Borxhi i vendit për ditë shtohet sa më shumë, tej limiteve të pranuara. Privatizimet po dështojnë. Psh CEZ-i në vend që të lehtësonte problemet e energjisë elektrike, ai i shtoi ato. Atëherë lind pyetja pse bëhen privatizimet, për të shtuar hallet apo për të përmirësuar menaxhimin e problemeve?! Por në realitet ndodhi e kundërta. Ndërsa tani me paturpësi na thuhet, se CEZ-i shqiptar po e bën më mirë detyrën, pra pranohet që privatizimi u bë një Zot e di pse?! Bilanci import-eksportit është bërë më negativ sesa ishte. Po kështu investimet e huaja kanë një rënie të pashpjegueshme, shëndetësia është në nivele shumë të rënduara. Korrupsioni gjithashtu është rritur në maksimum, gjë që u vërtetua edhe nga Organizata Transparency International. Siguria e jetës njerëzore ka mbërritur nivele të papranueshme dhe sa e sa probleme të tjera që po i ndodhin këtij populli të keqqeverisur.

 

Ju keni pasur një përvojë bashkëjetese institucionale, si President i Republikës, me kryeministrin Berisha. Janë të njohura fërkimet mes Jush, ashtu siç dihen tashmë publikisht edhe përplasjet e forta me pasardhësin Tuaj Bamir Topi. A besoni edhe Ju, si shumë të tjerë, se Sali Berisha e ka të vështirë, thuajse të pamundur, të ruajë raportet dhe marrëdhëniet formale që imponon kushtetuta, kur është fjala për institucionet e pavarura?

Kjo është një pyetje të cilën unë e kam përshkruar më së miri, në librin tim të kujtimeve “Midis Nanos dhe Berishës”. Megjithatë në respekt të lexuesve të revistës “Java”, po ju them shkurtimisht se me të dy kam pasur probleme. Ato nuk kanë qenë probleme personale, por vetëm fërkime për një mbarëvajtje më të mirë të zhvillimit dhe forcimit të demokracisë dhe të shtetit shqiptar. Që të dy, me veprimet e tyre kërkonin me çdo kusht të forconin pushtetin e tyre personal, gjë që, kur dilnin jashtë kufijve të ligjeve dhe të kushtetutës, aq sa më lejonin kompetencat e mia si Kryetar i Shtetit, nuk i lejoja. Por ama qëndrimet e Nanos, ndonëse të papranueshme, ishin më qytetare. E them këtë se asnjëherë Nano nuk arriti në ato veprime indirekte, sikundër veproi Berisha me familjarët e mi në kompaninë “Albatros”. Deri në mbyllje, sepse nuk plotësoja kërkesën e tij për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Por nuk dua të zgjatem me këto. Duke ju përgjigjur pyetjes tuaj, se përplasjet me mua u përsëritën, në forma të tjera edhe me Presidentin Topi, nuk ka dyshim që kjo tregon katërcipërisht se Kryeministri ynë nuk ka aspak dëshirë të ruajë raportet kushtetuese, si me presidentët ashtu edhe me institucionet e tjera të pavarura kushtetuese. Ai kërkon pushtet të pakufizuar nga çdo ligj dhe Kushtetutë. Vetëm në këtë mënyrë ai mendon që ta mbajë pushtetin në pafundësi.

 

Po i drejtohemi zgjedhjeve të 23 qershorit. Si e analizoni klimën politike në këtë prag-fushate? A prisni edhe ju, siç vërente një raport i OSBE në vjeshtën e shkuar “zgjedhje ta egra”?

Në radhë të parë dëshiroj të vë në dukje se kjo fushatë ka filluar me shumë anomali, të cilat marrin nismën që nga KQZ-ja e re. Klima në këtë institucion nuk po duket aspak e mbarë. Aty shohim përpjekje jo si të organizohen më mirë këto zgjedhje, duke zbatuar kodin dhe Kushtetutën, që është edhe detyra kryesore e këtij institucioni, por përpjekje maksimale si të zbatohen dhe mbrohen interesat partiake, të cilat ata përfaqësojnë. Përplasjet e fundit midis mazhorancës dhe opozitës mbi ndryshimet në KQZ, që kërkohen të bëhen, duke mos pasur asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese, gjithashtu tregojnë për një atmosferë fare të papranueshme dhe shqetësuese. Pa folur këtu që fushata zgjedhore ka filluar shumë më shpejt sesa e përcakton kodi zgjedhor.

Në të njëjtën kohë, ka ende shumë anomali të pazgjidhura, përsa i përket listave zgjedhore. Është vënë re që ky fenomen po na shoqëron në të gjitha zgjedhjet, që më shumë se për paaftësinë e organeve përkatëse, tregon veprime me dashje të kësaj parregullsie. Gjithashtu, vihen re incidente që trubullojnë atmosferën zgjedhore, duke përdorur deri edhe ndeshjet sportive, sikurse ishte rasti i Kavajës apo inicime arrestimesh për zhurmë.

Të gjitha këto shenja, duke i shtuar edhe anomalitë që mund të lindin si pasojë e përmbylljes së koalicioneve, të cilat sikurse e përmenda po hapin probleme antikushtetuese të ndryshimit të raportit të forcave në komisionet zgjedhore, e tjera që mund të dalin, të shtyjnë të mendosh për një ashpërsim të mundshëm më shumë sesa duhet në klimën zgjedhore. Kështu edhe pas më se njëzet e dy viteve të tranzicionit, ka shumë mundësi të duket prapë mungesa e dëshirës për të zhvilluar një fushatë zgjedhore  bashkëkohore. Gjykoj se, për të gjitha këto mangësi të deritanishme dhe çka mund të pritet, determinuese për politikanët tanë, e në mënyrë të veçantë për mazhorancën është teoria e Makiavelit, për të arritur fitoren me çdo kusht.

 

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën vendimin për krijuar një aleancë paraelektorale. Si e shihni këtë lëvizje të papritur brenda spektrit politik?

Në politikën shqiptare këto vitet e fundit kanë ndodhur veprime të çuditshme, që më parë, jo vetëm nuk njiheshin, por as ndodhnin. Pra, po ndodhin kompromise politike që megjithëse jo të pëlqyeshme do t’i quaja të nevojshme, kur ato janë në të mirë të vendit.

 

Meqë jemi në situatë elektorale, si do të përgjigjeshit nëse do t’ju pyesnim a ka nevojë Shqipëria për rotacion politik në 23 qershor?

Edhe disa ditë më parë, në një intervistë dhënë një organi mediatik shqiptar, jam shprehur se në natyrë ekziston një ligj biokimik, që edhe uji i ndenjur prishet, ndaj ndryshimi është progres. Pa folur për këtë ligj të natyrës, mendoj se tetë vite në pushtet nuk janë pak, por shumë tepër, për të parë se po ecet përpara apo po rrimë në vend, për të mos thënë që ka gjëra që kanë ecur prapa. E them këtë, sepse të dhënat e publikuara si dhe analizat e ndryshme nga burimet vendore e ato ndërkombëtare, tregojnë se ka nevojë për një drejtim më të mirë të vendit. Pra duket më se qartë se Shqipëria ka nevojë maksimale për të pasur një rotacion. Por ama me fjalën rotacion, dua të them jo thjesht ndërrim figurash politike, por ndryshim rrënjësor të metodës së drejtimit. Është e nevojshme që më në fund të kemi një shtet të vërtetë, sipas modeleve europiane, që kushtetuta jonë e parashikon, me gjithë sakatimin që i është bërë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të justifikojmë kërkesën tonë të ligjshme për integrim më BE.

21 komente në “INTERVISTA/ Moisiu: Aleanca PS-LSI, e papëlqyeshme, por e nevojshme”

  1. anonim says:

    normal, si marreveshja qe te zgjodhi ty president!

    1. Tani says:

      ska te bej fare! ky ka qene presidenti m me integritet qe ka nxjerre ky vend! Respektet maksimale per ju dhe fjalen qe ju mbani!

      1. anonim says:

        se kemi pasur anonime si ky jemi ketu sot!

      2. Anton Nepravishta says:

        Ate anetarin qe u hoq dje nga KQZ e ka shkarkuar Moisiu. Pra, gjithe llumin e Shqiperise kudoqofte e gjen LSIja dhe e propozon ne instancat me te larta te shtetit. Dhe ky na keshillon te bashkohemi me keta plehra?!

    2. arvi says:

      PO jam dakort sepse kjo eshte e vetmja menyre per te larguar Sali Berishen.

  2. ana says:

    e nxori koken prap ky fodulli plake,u kthye ne origjine :p

  3. al says:

    aleanca ana dhe anonim leshi ,po keni fytyre ju te flisni per alfred moisiun qe ishte i vetmi president qe nuk ju bind politikes por vetem kushtetutes. moisiut ato adashet e tu nuk i vine tek kembet. eshte personalitet i njohur nga mbare populli shqiptar per integritet dhe nje nga familjet qe i ka dhene me shume vendit te tij. megjithate dhe plehrat i ka ardh dita te komentojne.

  4. Ilir says:

    Ky burri plak do te mbahet mend si i pari president i paskomunizmit qe e perdori postin per te bere biznes,privat dhe shteteror.Me poste e privilegje per femijet,me emerime ambasadoresh,gjyqtaresh e prokuroresh,me amnisti per trafikante e kriminele.Me te gjitha keto filloi te bente para.Beri edhe kompanine e fluturimeve qe e paguante me paret e buxhetit per udhetimet e veta.Edhe sot pas kaq vitesh qe nuk eshte ne pushtet,nderet dhe pazaret e asaj kohe i sigurojne vazhdimin e privilegjeve per femijet e tij.
    Tani ankohet se i paskan prishur biznesin te cilin e filloi vetem kur u be president.

  5. al says:

    o ilir mashtruesi or pleher ata nuk ishin femijet e moisiut e para dhe ate kompani e kishin krijuar kur nuk ishte daja vet president. po pse ka hale sity dhe ca zgjebaruk te tjere po shkon shqip[eria e shkrete ne hale.

  6. Oli says:

    Ky eshte i vetmi president qe ka pasur Shqiperia qe vetem ka bere punen e vet dhe nuk ka mbajtur krahun e askujt, kshu qe kushdo qe deshiron ta shaje me mire ta shaje vetveten

  7. Oli says:

    Te gjithe e dime qe nuk ishte i lehte vendimi per nje aleance te tille dhe te gjithe e dine qe nuk eshte lehte as per Edi Ramen

  8. Oli says:

    Ka shume veta qe kane filluar ta akuzojne Edi Ramen si te pamoralshem, gjithsesi mendimi i tyre, por po te shikojme se cfare ben sala vetem e vetem per te mbajtur pushtetin nuk do i quaja te majtet te pamoralshem

  9. Oli says:

    Ja ku e keni zotin kryeminister qe nuk pyet as per nderkombetare dhe per amerike, nderkohe qe deri dje krenohej se i kishte partnere te ngushte

  10. Oli says:

    Rilindja Shqiptare duhet te ndodhi pasi nuk ka me shprese per vendin tone, nese e quani veten shqiptare ne 23 qeshor shkoni ne kutite e votimeve dhe tregojani sales se sa i forte eshte ky popull

  11. ana says:

    plak i rrjedhur komunist, po ske faj ti se te ngriten nga dominoja e te bene president

  12. Konsta Timi says:

    Pjekuria, maturia dhe zgjuarsia jane ato qe bejne dallimin kryesor midis atyre qe me te vertete e meritojne te vleresohen si personalitetet me te nderuara te vendit, dhe atyre qe duan te quhen te tille, por qe ne te vertete nuk meritojne me teper se sa nje te peshtyre.

  13. Konsta Timi says:

    Vleresimin maksimal per deklarimet e ketij burri shteti.

  14. RESPEKTE ZOTI MOJSIU! Si JU dhe Presidenti Mejdani i bete nder ketij vendi dhe atij institucioni.Fjala juaj se:” Marrveshja PS-LSI eshte e papelqyeshme ,po e domosdoshme” eshte me vend dhe duht ta pranojme,pasi largimi i SALIUT, qeverise e partise se tij nga pushteti eshte detyra numer nje e ketij populli. Bashkimi i PS-lsi per shporrjen e kesaj qeverie ,eshte e embel para heqjes se helmit qe na ka helmuar per 8 vjet me radhe.SI eshte nje shprehje:”Ne vend te pules do ham edhe soren” vetem e vetem te shpetojme nga kucedra me 10000 koke,1koke per km rruge.

  15. Zeni says:

    Te gjithe ata qe flasin keq per presidentin Moisiu jane kelyshte e Saliut.Qe prej vitit 1992 ky ka qene presidenti me i pjekur dhe i pavarur i vendit.Ai ka punuar vetem duke respektuar Kushtetuten dhe ligjet.Nuk ka punuar per pasurimin e tij personal,sic ben kryeministri Sali,qe lufton per te ruajtur postin e tij vetem per pasurimin e tij dhe te familjes se tij,sic bente vite me pare presidenti i Filipineve Ferdinand Markos,i cili hengri koken e vet,dhe ashtu shpresoj ta haje edhe sharltani yne Sali.

  16. llogjika says:

    Oli,
    he per he ne po cuditemi duke pare Ramen se cfar ka bere dhe c’po ben per te marre pushtetin:Protesta,greva urie,demostrata,(Kercenime se me 21 janar do te kalohej ne fusha me te vdekur…),Darke me ngjala me shkaktarin e demostrates,lutje qe te bashkohej me te shkaktari i asaj demostrat dhe qaravitje te panderprera per vjedhje votash…Vetem nje i verber s’arrine ti shohe e ti kuptoi keto cudira per shkak te etjes se pa permbajtur per pushtet…

  17. bbb says:

    Si mund te jete e pelqyshme zoti Moisui nje aleanca me nje hajdut si Meta i incizuar me figure she audio duke vbere pazare me parate e shtetiT? Nqs edhe figura te larta si ju flisni atehre cfare mund te presim? Meta eshte fajtori kryesor qe ka mbajt per 4 vjet salen ne pushtet nga ka ndihmuar per forcimin e pushtetit te tij…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje