Protesta e gazetarëve
Nga Lindita Çela
“Zyrat e redaksive janë shndërruar në laboratorë sterilë ku njerëzit rropaten të ishulluar nga bota, vende ku është më e lehtë të komunikosh nëpërmjet yçklave të elektronikës sesa duke prekur drejtpërdrejt zemrat e lexuesve. Dehumanizimi është duke u përhapur me një ritëm alarmues”.
E ndërsa Markezi, pak ditë më parë i ra kambanave të alarmit për dehumanizimin e medias, në Shqipëri askush nuk flet.
Heshtin të gjithë, edhe pse zyrat e redaksive janë shndërruar në laboratorë sterilë, ku gjithnjë e më shumë ka vend për njerëz cinike, mercenarë, demagogë e të paaftë. Janë ata që kanë shndërruar median në një makinë propagandistike ku misioni dhe roli i gazetarit duket aq mjeran sa përditshmëria e tyre.
Sipas kryetarit të Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, 90% të mediave nuk paguajnë gazetarët, ndërsa një protestë e thirrur prej tij, në Ditën Botërore të Medias, thuajse ka dështuar. Kryetari i Unionit është gjendur i rrethuar nga një grusht njerëzish, që kërkuan më shumë dinjitet, kontrata të rregullta pune e sigurisht më shumë liri për misionin e tyre.
Ishin aq të paktë, sa prezenca e tyre nuk shqetësoi as edhe një togë policash që ishin urdhëruar të rrinin në hyrje të Kuvendit, aty ku gazetarët e kishin vendosur të ngrinin zërin e tyre në emër të lirisë dhe dinjitetit.
Çipa tha se ata që nuk paguhen, nuk janë pjesëmarrës në protestë, pasi janë në presionin e pronarëve për t’u hedhur fare në rrugë, nëse reagojnë për gjendjen e tyre.
Ndërsa Andrea Stefanin thotë se media është futur në krizë për shkak të mungesës së sistemit të drejtësisë, të sistemit të vlerave dhe krizës që po përjeton shoqëria shqiptare.
Sipas Stefanit, rotacioni politik, nëpërmjet votës së lirë, do të sjellë dhe lirinë e medias.
Por krejt të kundërtën thotë Arben Muka. Sipas tij, gjendja e mjerueshme e medias shqiptare ka ardhur për shkak të mos solidaritet të gazetarëve.
Megjithëse gazetari i Deutsche Welle nuk është ithtar i protestave, bën thirrje për solidaritet. Kjo, sipas tij, do të sjellë dhe ndryshimin në median shqiptar.
Po kaq fajtorë për gjendjen e mjerueshme i bën gazetarët edhe Ilirian Agolli.
Gazetari i Zërit të Amerikës thotë se nuk ka asnjë kuptim që media të kërkojë lirinë dhe rrogën tek qeveria, pasi sipas tij, ekzistenca e një medie kaotike, mercenare dhe po kaq demagoge, është në interes të qeverive.
Tre gazetarët e njohur kanë dhënë këto opinione për TemA-n, në Ditën Botërore të Medias, teksa i janë përgjigjur pyetjes, përse është në këtë gjendje media në Shqipëri.
Ndërkohë që në raportin vjetor të Reporterëve pa Kufij Shqipëria shihet si një vend çdo ditë e më pak i lirë. Ata e kanë zbritur 22 vende, nga pozicioni 80 që mbante Shqipëria më 2012.
Ndërsa Freedom House thotë se Shqipëria ka bërë përparime, gjatë vitit të shkuar duke na afruar 11 vende më lart, në të 96-in nga vendi i 107-të.
Andrea Stefani
“Fakti që në këtë protestë ka kaq pak gazetarë, tregon më së mirë se dhe gazetarët nuk mund të përjashtohen nga klima që karakterizon shoqërinë shqiptare. Para pak kohës, në një emision televiziv, kishte një kronikë ku pyeteshin mësuesit e provincave se përse qeveria nuk i rimbursonte lekët e transportin. Mësuesit fshiheshin e luteshin që të mos merreshin në intervistë. Pra në këtë vend njerëzit kanë frikë të flasin edhe për të drejtat më elementare. Ashtu si gjithë shqiptarët, edhe gazetarët janë krejtësisht të pambrojtur, jo vetëm nga legjislacioni, por dhe nga gjykata, në rast se humbin vendit e punës. Pra, dhe gazetarët u tremben hakmarrjes që mund të pësojnë nga pronarët për një kërkesë tyre të ligjshme. Mendoj se kjo është shprehje e mungesës së drejtësisë. Në kushtet kur një shoqëri nuk është në gjendje të ngrejë institucione që mbrojnë dinjitetin e njeriut, sigurisht që pjesë e denigrimit do të jenë dhe gazetarët. Është e vërtetë që gazetaria është një mision fisnik dhe shoqëri si këto tonat, ku mungon drejtësia, që ta çosh përpara këtë mision fisnik, duhet sakrificë, mos të përmendur heroizëm, por jo të gjithë njerëzit janë të aftë për të ndërmarrë këtë lloj sakrifice. Mendoj se bashkë me rotacionin politik do të vijë dhe ditë më të mira për median shqiptare. Demokracia është shpikur që të realizohet rotacioni, zgjedhjet janë shpikur për këtë qëllim dhe bashkë me rotacionin mund të vijë dhe një ndryshim i raporteve të pushtetit me institucionet, një raport tepër i deformuar tani për tani”.
Arben Muka
“Ka disa arsye përse media në Shqipëri është në këtë gjendje. Një prej tyre është diversifikimi, pra mediat që janë afër politikës janë pozicionuar në krahë të ndryshme dhe natyrisht kanë interesa të ndryshme. Unë nuk jam për protesta, por gazetarët kanë mënyrat dhe mjetet e tyre për të shprehur solidaritetin dhe reagimin e tyre. Pra të merremi pak më shumë me veten. Ata që kanë një blog, të mos vijnë këtu, por ama të shkruajnë diçka, të reagojnë. Media e ka këtë mundësi, që edhe të veçuar e diversifikuar, mund të japin kontributin e vet në përmirësimin e situatës. Por duhet të reagojë, sepse sot i ndodh një grupi të caktuar një mohim ekonomik, një kërcënim apo edhe mosrespektimi i së drejtës, nesër mund të jenë dhe ata në këto situata. Por sigurisht që dhe media vuan dhe ka po ato problematike siç ka edhe e gjithë shoqëria në Shqipëri. Në qoftë se ne vuajmë se nuk mund të bëjmë një palë zgjedhje, ne vuajmë se nuk i kemi pushtetet e ndara, atëherë edhe pushteti mediatik do ketë po këto simptoma. Ke njerëz që në darkë bëjnë fjalimet e politikave dhe sa hap televizorin i shikon se janë në një emision që bëjnë të pavarurin në analizat e tyre. Pra ky është realiteti. Por mendoj se nëse do të kishte një solidaritet mes gazetarëve, nuk do të ishte kjo situata. Mungesa e solidaritetit të gazetarëve ka sjellë mosfunksionimin e medias, qoftë edhe për t’u marrë me hallet e veta.”
Ilirian Agolli
“Media sot në Shqipëri është në një gjendje e rëndë, e për fat të keq, e shkaktuar nga vetë gazetarët. Unë besoj shumë se, si pjesë e të gjitha modeleve të komuniteteve të gazetarisë së zhvilluar në botë, kjo gjendje mund të përmbyset vetëm nga vetë organizimi i medias shqiptare. Është e kotë që të kërkojmë që Ministria e Financave apo ndonjë organizatë ose institut shtetëror të merret me shqetësimet tona apo të mund të na organizojë ne. Shpëtimi i vetëm dhe rrugëdalja e vetme nga kjo krizë është ndërtimi i strukturave vetëqeverisëse së komunitetit të medias. Një ide mund të ishte organizimi i kongresit të medias, por vetëorganizimi i saj është domosdoshmëri, sepse po ngelëm kështu, ku secili do të ruajë kasollen e vetë, këto kasolle asnjëherë nuk do të bëhen qytete. Mediat tona janë kasolle, ku edhe profesionalizmi është relativ. Nëse publiku nuk na blen gazetat, nuk shikon programet tona, është e kotë të mburremi me veten. Unë e di që disa media kanë falimentuar në Shqipëri. Do të ishte gjëja më normale në botë që disa prej tyre të bashkojnë asetet dhe të fuqizojnë njëra-tjetrën. Megjithatë shpëtimi ynë do të vijë nga vetë organizimi ynë. Asnjë nuk ka pse të presë nga Ministria e Financave apo një institucion tjetër që të rregullojë median. Askush nuk do e bëjë këtë. Qeverisë kështu ia do interesi ta ketë median”.
ooooooooooo tani e teprove Lindita…perseri me kete shprehjen tende “ne zgrip te mjerimit..”…pfff
Përshëndetje Lindita! Nëse ju dhe Çipa, ashtu si dhe dje në artikullin e tij te “Shqip”, por dhe te fjala e mbajtur, nuk jepni shembujt se kush media mercenare e pushtetit dhe media informale, nuk paguan rrogat e gazetareve, çfarë prisni? Kush përmendi nga ju se Koha-gazetë, Koha-TV, ABC-TV, Klan Tv, gazeta e Sportit,etj nuk paguajnë pagat? Askush. Kjo e ka emrin OPORTUNIZËM me brirë