Në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Kombet e Bashkuara kanë shpallur se mosha e fëmijërisë ka të drejtë për një përkujdesje dhe përkrahje të veçantë. Duke pranuar se fëmija, për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit të tij, duhet të rritet në mjedis familjar, në një atmosferë lumturie, dashurie dhe mirëkuptimi. Sipas Konventës mbi të Drejtat e Fëmijëve, cilësohet se me fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, ratifikuar nga vendi ynë më 27 shkurt 1992.
Çdo fëmijë ka të drejtën e përkujdesjes e nëse kjo përkujdesje nuk sigurohet nga prindërit e fëmijës duhet të sigurohet nga shteti nëpërmjet “përkujdesjes alternative”. Por sot ne shohim një numër të madh fëmijësh që ndodhen jashtë kësaj përkujdesjeje jo në kohën e duhur dhe jo me përgatitjen e nevojshme. Bazuar në Ligjin e Statusit të Jetimit fëmijët në institucionet shtetërore ose private të përkujdesit shoqëror përfitojnë deri në moshën 15 vjeç me mbarimin e shkollës së detyrueshme 9-vjeçare. Pas kësaj moshe fëmijët largohen nga qendrat e përkujdesjes duke u strehuar në konviktet e shkollave profesionale dhe përballuar me një situatë dramatike për mbijetesën e tyre. Si në perspektiven social dhe atë psikologjike kjo nuk është e përshtatshme për zhvillimin e normal të fëmijëve dhe të rinjve. Ata hasen me vështirësi duke filluar me mungesën e personave dhe strukturave mbështetëse. Edukim jo cilësor dhe ndërprerjen e studimeve, në shumë raste ata kanë vetëm arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Probleme sociale dhe ekonomike, ndihmë ekonomike minimale me të cilat nuk plotësohen dot as nevojat bazë, kequshqyerje si pasojë e të ardhurave minimale, izolim social, përfshirja në aktivitete ilegale ose varësi ndaj substancave narkotike, jo të paktë janë të rinjtë që shfaqin probleme psikologjike. Mungesa e punësimit, pasi ata kanë arsimim të pamjaftueshëm, mungesa e specializimeve të duhura profesionale dhe të rrjetit social të dobët,bën të rinjtë përballen me vështirësi të mëdha për t’u integruar në tregun e punës, i cili është shumë konkurrues. Probleme të strehimit, në shumë raste ata kalojnë gjithë jetën në konvikte me hapësira të limituara ku kushtet higjienike janë skandaloze. Kjo mungesë dhe lënie e përkujdesit që në moshë të hershme vetëm 15 vjeç çon në një numër të pafundmë pasojash për pavarësinë dhe integrimin e tyre në shoqëri.
SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri bazuar në situatën e të rinjve që lënë kujdesin në moshën më delikate vetëm 15 vjeç, që nga viti 2009 po zhvillon fushatën advokuese “Unë Vlej”. Kjo fushatë ka në fokus të saj advokimin për përmirësimin e situatës së të rinjve 14 – 18 vjeç në kujdes alternativ ose që kanë lënë kujdesin.
Këtë fushatë organizata e ka mbështetur në 3 shtylla kryesore: 1) informimin dhe ndërgjegjësimin e aktorëve kryesorë në vend mbi situatën e të rinjve që lënë kujdesin alternativ në vend, 2) pjesëmarrjen rinore nëpërmjet fuqizimit dhe përfshirjes së të rinjve nga format e kujdesit alternativ3) advokimi për ndryshimet e nevojshme ligjore ose përmirësimin e politikave për të mbështetur të rinjtë që largohen nga përkujdesi në moshë të hershme.
Pavarësisht ndërgjegjësimit dhe sjelljes në vëmendje nga shumë aktorë në vend dhe jashtë tij të problematikës së lartpërmendur, për ti siguruar kësaj kategorie përkujdesjen e duhur lipsen masa të menjëhershme nga ana e institucioneve shtetërore përgjegjëse për përmirësimet e nevojshme ligjore dhe të politikave për mbështetjen e të rinjve. Këto ndryshime duhet të synojnë që të rinjtë të marrin shërbime në kujdes alternativ minimumi deri në moshën 18 vjeç. Po ashtu, duhet të sigurohet një mbështetje e vazhdueshme dhe profesionale për të rinjtë pas daljes nga kujdesi si: sigurimi i një ambienteve të përshtatshme për të jetuar, mbështetje financiare që të mund të përballojnë jetesën, mbështetje nga kujdestarë profesionistë, sigurimi i një edukim cilësor dhe profesional, mbështetje për punësimin, sigurimi i lehtësirave në transport dhe shërbime shëndetësore etj.
Mesazhi që vjen nga të rinjtë në kujdes alternativ dhe jashtë tij është shumë i qartë dhe i thjeshtë: “NE VLEJMË dhe duam që të kemi mundësi të integrohemi me dinjitet në shoqëri”.