Çfarë ka mësuar Amerika nga lufta e Kosovës në vitin 1999?

12 Shtator 2013, 12:43Rajoni TEMA

Nga Tim Judah

The Economist

 

A e ka studiuar ekipi i presidentit Barack Obama luftën e Kosovës dhe bombardimet 78- ditore të NATO-s në vitin 1999? Sipas të përditshmes amerikane ‘The New York Times’, po.

Por është e diskutueshme nëse leksionet nga Siria përkojnë me ato nga Ballkani. Konteksti gjeopolitik është shumë i ndryshëm.

Nisur nga fakti se Serbia ishte shënjestra kryesore e bombardimeve të vitit 1999, dikush mund të presë që zyrtarët serbë të thonë diçka për këtë çështje. Në publik ata nuk kanë bërë asnjë koment. I vetmi serb i famshëm që ka folur për këtë çështje është Novak Xhokoviç, kampioni serb në tenis, që pa dyshim flet për shumicën e vendit të tij kur kundërshton bombardimet.

Sipas një burimi brenda Ministrisë së Jashtme, Serbia po pret që të rreshtohet përkrah pozicionit të Bashkimi Europian dhe shpreson për një skenar të tillë, ku një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të pranohet nga të gjitha palët. Kjo është pak a shumë një mënyrë për të shmangur pyetjen se çfarë mendon qeveria serbe për një ndërhyrje ushtarake. Serbia, për të përdorur një shprehje të përdorur në luftërat e Ballkanit dhe tani në Siri, nuk ka asnjë interes në këtë çështje.

Nëse liderët e Serbisë do ndjeheshin të lirë për të thënë atë që mendojnë, ata me siguri që do dilnin me zjarr kundër çdo ndërhyrje. Një aspekt fetar është megjithatë në lojë. Serbët, që janë ortodoksë, heqin paralele mes të krishterëve të vënë në vështirësi në Siri dhe serbëve të Kosovës dhe të Bosnjës, që u larguan nga spastrimi etnik gjatë luftërave të Ballkanit.

Në nivelin zyrtar, lidhjet me Damaskun shkojnë pas në ditët e Titos dhe lëvizjes së të paangazhuarve. Këto u përdorën për të bindur Sirinë që të mos njohë Kosovën me shumicë myslimane pasi ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008. Në betejën diplomatike për Kosovën, Rusia ka qenë një aleat i vendosur i Serbisë. Por mbështetja ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, në debatin aktual për Sirinë, do të irritonte Amerikën dhe Bashkimin Europian, që mbështesin nevojën e Serbisë për të nisur bisedimet e anëtarësimit në BE janarin që vjen.

Qeveria e Serbisë nuk ka interes as që të irritojë arabët e Gjirit, që mbështesin opozitën. Serbia shpreson tek investimet nga këto vende dhe ka arritur një sukses të madh. Etihad, linja ajrore nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka blerë 49 përqind të JAT, kompanisë ajrore serbe që del me humbje.

Liderët shqiptarë nga ana tjetër kanë dalë në mbështetje të ndërhyrjes ushtarake. Edi Rama, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria do jetë në krahun e SHBA në çdo front beteje, që ka si synim çlirimin e njerëzve nga regjimet barbare që përdorin armët kimike për të mbijetuar. Shqipëria dhe Kosova kanë lidhje të ngushta me Turqinë, që është po ashtu pro ndërhyrjes.

Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm i Kosovës, ka shkruar një opinion për Foreign Policy, duke hequr paralele të qarta me Kosovën në vitin 1999.

Pozicioni i Kroacisë është edhe më i paqartë. Vesna Pusiç, ministrja e Jashtme, thotë se një aksion që parandalon gjakderdhjen e mëtejshme ka kuptim, përndryshe nuk duhet të ketë ndërhyrje. Kroacia është i vetmi vend në Ballkanin perëndimor që ka interesa të mëdha financiare në Siri. Kompania më e madhe e Kroacisë, INA, ka koncesione domethënëse gazi e naftë në Siri, që ndalën punën sapo hynë në fuqi sanksionet e BE-së në shkurt të vitit 2012. Armët kroate, të prokuruara përmes Arabisë Saudite dhe transportuara përmes Jordanisë, kanë përfunduar në duart e rebelëve.

Liderët boshnjakë nuk kanë shumë për të thënë për Sirinë. Zlatko Lagurnxhija, ministri i Jashtëm i Bosnjës, ka argumentuar në favor të ndërhyrjes në një artikull të publikuar së bashku me Ahmet Davutoglu, ministri i Jashtëm i Turqisë. Bombardimet e NATO-s në vitin 1995 ndihmuan në fundin e luftës në Bosnje dhe të gjithë palët ranë dakord për një marrëveshje paqeje, por ndryshe nga Siria, ata kanë diskutuar për marrëveshje edhe gjatë kohës që ishte duke u bërë luftë.

Myslimanët e Bosnjes, që u shpëtuan nga bombardimet e NATO-s, janë më mbështetës ndaj Amerikës. Një gazetar, që nuk do të identifikohet, thotë se “jam i shokuar nga fakti që shumica janë kundër. Ata janë të fiksuar dhe mendojnë se për njerëz të ndryshëm, duhen aplikuar rregulla të ndryshme, duke menduar se ajo që na ndodhi ne ishte unike”.

Milos Solaja, një analist, beson se liderët e Bosnjes janë stepur sa i përket Sirisë pasi duan që ta mbajnë mirë me të gjithë në botën myslimane. Në mënyrë private, Bakir Izetbegoviç, një anëtar i presidencës boshnjake, i ka bërë thirrje Amerikës që të ndërmarrë veprime ndaj regjimit sirian.

Milorad Dodik, lideri i Republika Srpska, gjysma serbe e Bosnjes, ka qenë i heshtur për këtë çështje. Solaja thotë se ai nuk do që të acarojë marrëdhëniet me Izraelin duke thënë se kjo është një çështje periferike për të.

Çdo javë qarkullojnë raportime për vdekjet e xhihadistëve të Ballkanit. Megjithatë numri i atyre që kanë shkuar për të luftuar në Siri përllogaritet të jetë disa qindra. Ata janë shqiptarë dhe boshnjakë. Më 2 shtator, një politikan i lartë boshnjak i bëri thirrje parlamentit të federatës që të miratonte një rezolutë ku u kujtohet qytetarëve se është e paligjshme që të luftojnë jashtë vendit.

1 komente në “Çfarë ka mësuar Amerika nga lufta e Kosovës në vitin 1999?”

  1. Tironci Lugano says:

    Ne kete shkrim flitet per Ameriken apo per vendet e Ballkanit?
    Hajde titull hajde.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje