Raportimi në Kuvend/ Gazheli: 7 politikanë nën hetim për pastrim parash

8 Prill 2014, 11:37Politika TEMA

Prokuroria ka nën hetim 7 politikanë të dyshuar për pastrim parash. Kjo u bë e ditur nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave Genti Gazheli gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ndërsa akuzoi organin e Prokurorisë për ngadalësi në hetimin e rasteve të referuara. 

“Kemi një rritje të numrit të dyshuarve, sidomos nga muaji nëntor e sipër. Viti 2013 është karakterizuar nga një efikasitet i ulët, po të shohim shifrat gjatë vitit 2012 kemi pasur 22 raste të denoncuara, në vitin 2013 kemi pasur 23 raste të denoncuara dhe në vetëm tre muajt e parë të 2014-ës kemi pasur 20 raste të denoncuara, pra kjo tregon se brenda tre muajve të parë të këtij viti është kryer një punë e barazvlefshme me gjithë vitin 2013”, tha Gazheli.

Sipas tij, pavarësisht vullnetit të mirë që mund të kenë drejtuesit e këtij institucioni, prokuroria është një hallkë problematike. “Gjatë 2013-ës puna nuk ka qenë jo efikase dhe numri i personave të referuar në prokurori ka qenë me rritje shumë të ulët, por ajo që është më problematike është se nga prokuroria në gjykatë numri i çështjeve të referuara është shumë më i vogël, ç’ka përbën një pengesë për punën tonë”, theksoi Gazheli.

Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda duke iu referuar raportimit në Komision, tha se raporti i ngjan një historiku të shkruar nga organizata jo fitimprurëse, ndërsa e pyeti Gazhelin lidhur me hallkat që shkaktojnë problematikën më të madhe në punën e përditshme të institucionit që ai drejton. Gjithashtu Doda e pyeti Gazhelin lidhur me politikanët nën hetim apo për rastet e financimit të terrorizmit. Duke iu përgjigjur pyetjeve, Gazheli konfirmoi se janë 7 politikanë që po hetohen.

“Ka vonesa të paarsyeshme nga prokuroria që çojnë edhe shuarjen e çështjes. Kemi 7 politikanë për të cilët ka nisur hetimi që prej vitit të shkuar, ndërsa sa i takon terrorizmit, siç të gjithë e dini, aksioni i kryer nga policia pak javë më parë erdhi falë një bashkëpunimi të fortë të të gjithë institucioneve ligjzbatuese përfshirë edhe ne, por ka problemet të tilla”, tha Gazheli.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëare Spartak Braho në fjalën e tij e pyeti Gazhelin lidhur me marrëdhëniet me agjencitë homologe. “Si janë marrëdhëniet me agjencitë homologe në botë, shkëmbeni informacion? Po, legjislacioni ku mbështetet puna juaj është i plotë apo ka nevojë për ndryshime?”, pyeti Braho.

Gazheli bëri të ditur se mardhëniet me agjencitë e huaja janë të shkëlqyera. “Ne bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informacion me mbi 100 agjenci homologe në të gjithë botën dhe kjo na ndihmon në rritjen e efikasitetit. Sa i takon legjislacionit duhet thënë se ndryshimet e fundit janë kryer në tetor të 2014-ës, pra me nisjen e punës nga qeveria e re, prandaj mund të them së është kryer një punë e mirë dhe legjislacioni është i plotë”, theksoi Gazheli.

Gjithashtu Gazheli u ndal në bashkëpunimin dhe marrëveshjet e nënshkruara me institucionet të tilla si Ministria e Drejtësisë, Bankat e Nivelit të parë dhe të dytë, noterët, me të cilët Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave shkëmben online informacion, ashtu si edhe me drejtorinë e tatim-taksave. Kjo nënvizoi Gazheli “ka rritur ndjeshëm efikasitetin e punës së drejtorisë sonë dhe për herë të parë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kemi mundësuar arrestimin në flagrancë të një të dyshuari, që më tej me vendim gjykate, ai ka marrë masë sigurie arrest me burg, çka tregon se provat e furnizuara nga ne kanë qenë të vlefshme dhe puna efikase”.

Sipas raportit, për vitin 2013 rezulton se dyshimet më të shpeshta konsistojnë për veprën penale të evazionit të lartë tatimor, me 28 raste të referuara:  trafikimin e lëndëve narkotike,  që edhe këtë vit zë  një peshë relativisht të rëndësishme me 18 raste të referuara. Në raport theksohet se gjatë këtij viti një vëmëndje në rritje i është kushtuar dhe veprave të tjera penale në fushën e mashtrimeve, korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Gjithashtu në raport, referuar periudhës Janar-Dhjetor 2013 janë nxjerrë 15 urdhra bllokimi për fonde dhe llogari bankare të dyshuara si të lidhura me aktivitete të jashtëligjshme. Shuma e sekuestruar është 29,890,522.8 Lek, e cila përbën 24.2% të shumës totale të bllokuar prej rreth 123,433,898 Lekë.

TIPOLOGJI

Rasti 1        Dyshime për përfitime nga korrupsioni

DPPPP ka marrë informacion në lidhje me një shtetas ‘D’ i cili ka transferuar një shumë të konsiderueshme nga llogaria e tij në Shqipëri në një llogari jashtë vendit. Burim i deklaruar ishte huaja e marrë nga një shoqëri në vendin tonë (shoqëria ‘M’).

Duke  u  ndodhur  përballë  këtyre  transaksioneve  të  pazakonta  u  kryen  verifikime  të mëtejshme për rastin, nga ku rezultoi se:

Në vitin 2012 ka pasur një transfertë në mbërritje  në llogarinë e tij  individuale me dërgues shoqërinë ‘M’ në shumën 50 000 EUR me përshkrim “divident i vitit 2012” dhe në vitin 2013 ka pasur një transfertë tjetër në mbërritje nga kjo shoqëri në shumën prej 250 000 EUR me përshkrim ‘kalim fondi në llogarinë e pronarit’.

Gjithashtu  kishte  edhe  një  transfertë  tjetër  në  mbërritje  në  llogarinë  e  tij  bankare individuale në vitin 2013 me dërgues një person të tretë ‘S’ në shumën prej 100 000 EUR, pa përshkrim.

U verifikua në lidhje me shoqërinë ‘M’ dhe rezultoi se kjo shoqëri ishte në pronësinë e shtetasit ‘D’ (tashmë vetëm pronar dhe jo administrator i shoqërisë) dhe personi i tretë ‘S’ ishte caktuar në vitin 2012 Administrator i kësaj shoqërie. Nga verifikimet në të dhënat tona rezultoi se:

Shtetasi ‘D’ kishte nënshkruar një kontratë huaje me shtetasin ‘S’ sipas të cilës i merrte hua shumën 500 000 EUR për 12 vjet dhe mënyra e kthimit të huasë do të ishte nga fitimet e realizuara nga shoqëria ‘M’.

Përveç këtyre nga investigimi financiar rezultoi se kishte transferuar edhe 300 000 EUR të tjera drejt llogarisë së tij personale jashtë vendit, të cilat i ishin transferuar nga shtetasi ‘S’ si përfaqësues i shoqërisë ‘M’.

Nga DPPPP u kryen verifikime të mëtejshme në subjektet e ligjit, për shtetasit dhe shoqërinë e përfshirë në këto transaksione:

1.         Për shtetasin ‘S’ nuk rezultonte të dispononte apo të kishte disponuar këto shuma të larta apo të kishte ndonjë burim tjetër të ardhurash në këto vlera.

2.   Shoqëria ‘M’ e krijuar fillimisht nga bashkëshortet e shtetasve ‘D’   dhe ‘S’, më pas ka kaluar në pronësinë 100% të shtetasit ‘D’. Gjithashtu ka pasur administrator shtetasin ‘S’ djalin e tij.

Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për shoqërinë ‘M’ rezultoi se fitimet që prej krijimit të saj nuk justifikonin transfertat e sipër përmendura, duke qenë në total rreth 60 000 EUR.

3.   Për shtetasin ‘D’ rezultoi se që prej vitit 2006, kishte qenë i punësuar në funksione drejtuese  në  tre  institucione  të  ndryshme  dhe  më  pas  ka  dhënë  dorëheqjen  për  t’u shpërngulur jashtë vendit. Në konkludim të rastit:

Lindin dyshime nga përshkrimi i mënyrës së kthimit të huasë, nga fitimet e realizuara nga shoqëria ‘M’, ku huamarrësi zotëron 100% të kuotave, pra fitime ende të pa përfituara dhe ende të parealizuara dhe për rrjedhojë nuk dihet burimi i vërtetë i këtyre fondeve.  DPPPP ka referuar rastin për ndjekje të mëtejshme në organet ligj zbatuese.

RASTI 2

Produkte të siguruara nga fshehja e të ardhurave

DPPPP u informua nga subjektet e ligjit se një subjekt tregtar X, me administrator dhe ortak shtetasin A, kryente transaksione në vlera të larta për të cilat paraqiste dokumente të pazakonta si edhe nuk justifikonte burimin e pasurisë.

DPPPP përveç të dhënave që dispononte në bazën e të dhënave, kërkoi informacion edhe nga subjekte të tjera, nga analiza e të cilave, rezultoi se:

Shtetasi A kishte krijuar biznesin X, në Maj të vitit 2009 dhe në shtator të vitit 2012 e kishte shitur këtë shoqëri te shtetasja B.

Shtetasi A në prill të vitit 2011 kishte regjistruar edhe një tjetër  biznes Y me objekt të veprimtarisë të njëjtë me shoqërinë e parë X.

Shtetasi A kryente transaksione financiare përveçse për llogari të shoqërive X dhe Y, edhe si person i autorizuar  në llogari të një tjetër shoqërie Z;

Në ushtrimin e aktivitet të saj shoqëria X, sipas faturave të deklaruara, blinte mallra nga shoqëritë Y, Z dhe Ω në vlera të larta dhe i shiste te shoqëritë D, E, F, etj.

Nga analizimi i transaksioneve të kryera në bankë rezultoi se:

Shtetasi  A  (administrator  i  X  dhe  Y)  kryente  depozitime  në  vlera  të  larta  llogari  të shoqërisë X të cilat po në të njëjtën ditë i transferonte   në favor të Y, Z   dhe Ω për likuidim të blerjeve, shuma të cilat po në të njëjtën ditë tërhiqeshin nga shtetasi A,nga llogaritë e shoqërive Y, Z në veprime të renditura njëra pas tjetrës.

Shoqëritë D, E, F, etj. kryenin transferta në favor të shoqërisë X apo edhe Y, shuma të cilat shtetasi A i tërhiqte po në të njëjtën ditë madje po në atë ditë depozitoheshin në llogaritë e shoqërive D, E, F, etj.

Në lidhje me shoqëritë  X, Y  dhe Z, nga organet kompetente ishte ushtruar kontroll në lidhje me aktivitetin e biznesit të tyre, nga ku rezultoi se këto shoqëri, kishin adresa të rreme,  nuk kishin  të punësuar  dhe  nuk kishin kryer  asnjëherë  aktivitet  të  mirëfilltë tregtar.

Bazuar në konkluzionet e analizës financiare dhe dyshimeve për ushtrim të aktivitet fiktiv, FIU dërgoi informacionin e plotë për investigim të mëtejshëm pranë organeve ligjzbatuese.

Treguesit:

Transaksione financiare me anomali.    Aktivitet fiktiv.

Blerje me fatura fiktive duke shmangur detyrimet ligjore;

RASTI  3

Shtetasi shqiptar A, me nënshtetësi të një vendi Europian, gjatë një viti, ka deklaruar në dalje të Shqipërisë, shuma të larta në vlerë totale prej 250 000 USD. Qëllimi i deklarimit të këtyre shumave është ‘blerje automjeti’ dhe ‘biznes’;

Ky shtetas në sistemin bankar në vend ka qarkulluar prej vitit 2010, shuma të larta kryesisht me para në dorë, ku burimi të ardhurave janë deklaruar, ‘kursimet’, ‘emigracioni’, ‘marrja borxh’ dhe ‘biznesi”.

Duke marrë në konsideratë deklarimet e shumta në pikat e kalimit kufitar dhe qarkullimin e shumave të larta ,u kryen verifikime të mëtejshme për rastin, nga ku rezultoi se:

Shtetasi A është i përfshirë në disa biznese në vendin tonë :

Ka regjistruar në 2008 subjektin ‘β’ shpk, me objekt: ‘Blerja, zhvillimi, shitja dhe dhënia me qira e pasurive të paluajtshme,  etj’.

Kjo shoqëri është ortake me 50% në shoqërinë ‘£’ shpk regjistruar në 2009 me të njëjtin objekt veprimtarie. Ortaku tjetër i shoqërisë ‘£’ është shoqëria ‘Ω’ me përfaqësues një shtetas të huaj. Shoqëria ‘Ω’ ka ortak të vetëm shoqërinë ‘®’ e cila është e regjistruar në shtetin Europian ku nënshtetësinë e të cilit mban shtetasi A.

Nga burime të hapura rezultoi se ky shtetas përveç se është i përfshirë në biznese në vendin tonë është i përfshirë dhe në dy biznese në shtetin e sipër përmendur Europian.

Në  vijim  (në  vitin  2013)  shtetasi  A,  në  dalje  të  Republikës  së  Shqipërisë,  ka  deklaruar shumën prej 500 000 USD, me qëllim ‘blerje shtëpie’ jashtë vendit.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas pak kohë më parë, kishte marrë një kredi në këtë shumë në një nga bankat tregtare në vendin tonë të cilën a ka shlyer disa ditë më vonë.

Bazuar në informacionin e analizuar si më sipër, transportimi i shumave të larta jashtë kufirit, përdorimin e dyshimtë të kredisë, përdorimin e shpeshtë të parasë në dorë, etj, informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

6 komente në “Raportimi në Kuvend/ Gazheli: 7 politikanë nën hetim për pastrim parash”

  1. revoltimi says:

    gazheli eshte me mashtruesi i ps! kete jua them me sinqeritet te plot jam socialist vete ! gazheli eshte llumi i ps! fatkeqesi qe nje njeri si gazheli eshte pjese e ps! llum i llumave!

  2. iliri says:

    Lerini A-te , D-te dhe zh-te po kapini per veshi dhe detyrojini te gjthe qe te kthejne parate e ketij populli , se atij ja kane vjedhur.Disa gjera Enver Hoxha i kishte mire po ju nuk doni

  3. KY ESHTE NJE SISTEM MJAFT I KOMPLIKUAR POR JO I PA MUNDUR. PRANDAJ VETEM KONTROLLI I KRYQEZUAR NXJER NE PAH GJITHCKA. KOMPLIMENTI, PER PUNEN E KRYER NGA KY INSTITUCION KUR U KRIJUA U TRUMBETUA SI ORGAN PARALEL I PROKURORISE.
    TANI I TAKON PKR TE BEJE DETYREN, DHE JO TE MJAFTOHET ME DEKLARATA BOSHE..

    1. Herta says:

      Cfare ndryshimi kjo qeveri me ate dreq grupi hajdutesh qe ishin me perpare, shiko cfare transparence, i pashe skemat dhe me te vertet jane pak te komplikuara po nuk na takon ne se ka specialist per te gjykuar po thjesht fakti qe jane publike komplimente qeverise.

  4. Gezimi says:

    Mos u merzitni se asgje nuk do gjase! Jane thjeshte llafe, sa per te na hedhur hi syve, sic ka ndodhur gjithmone!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje