Marin Soresku, gojëdhëna e krishterë dhe botuesit shqiptarë

25 Prill 2014, 17:58Kulturë TEMA
Marin Soresku, gojëdhëna e krishterë dhe botuesit shqiptarë

Valbona Bozgo (Musai)

Poeti i madh rumun, Marin Soresku, në një nga poezitë brilante të tij, ‘’Shekspiri’’, përshkruan aktin e krijimit të botës në shtatë ditë nga Zoti i letërsisë botërore. Ja si e përshkruan ai ditën e tretë të krijimit të saj:“Ditën e tretë mblodhi njerëzit/Dhe u mësoi shijet./Ia behën ca ardhacakë të vonuar./Krijuesi me keqardhje u përkëdheli kryet,/Dhe u tha se mund të bëheshin/Vetëm kritikë letrarë/Për të dërrmuar dhe shkallmuar veprat e shkruara nga të tjerët”.Unë do të thosha se këtu Soreskut i kanë çensuruar një varg. Pas: ‘’Vetëm kritikë letrarë’’, do të duhej të vinte një tjetër, që të plotësonte atë ç’ka deshte të thoshte poeti: “… Vetëm kritike letrarë/Dhe botues shqiptarë/Për të dërrmuar dhe shkallmuar veprat e shkruara nga të tjerët!!!!!”Le të shprehet sa të dojë Tzvedan Todorov  se: ‘’Ne specialistët, kritikët letrarë, pedagogët, në më të shumtën e kohës, nuk jemi gjë tjetër veçse xhuxhë të strukur, nën sqetullat e shkrimtarit’’. Botuesit tanë janë viganë! Po të duan ata, mund të të mburrin ty në media  aq shumë  sa edhe vetë Shekspiri do dyshonte në talentin e tij. Është në dorën e botuesit po aq që, po ta zemërosh edhe pasi të ngriti ditirambe të të quajë ‘’maniak mediatik’’!Ne që kemi dyzina shtëpish  botuese! Sipas një llogarie të thjeshtë, gjysmën e popullsisë i kemi shkrimtarë dhe poetë. Dhe meqenëse  profesioni i shkrimtarit është radhitur në majë të hierarkisë së tërë profesioneve, një popullsi e vogël si e jona, me këtë numër marramendësh krijuesish letrarë, duhej të kishte kulmuar në treguesit e saj të demokracisë! Por, çuditërisht, lexojmë prej vitesh për rritje të frikshme të analfabetizimit (15%). Një pjesë e mirë e rinisë sonë e shkruajnë keq gjuhën e nënës. Ashtu sikurse edhe i gjori Lek Plepi, që me handikapatin e padëshiruar , bëhet (e bëjnë) objekt argëtimi. Shoqëria e lirë (e shqyer) ku jetojmë, ka vend për të tërë! Lek Plepi duhet të konsiderohet normal në një anormalitet të kobshëm. Shtëpitë e sotme botuese janë të çliruara nga çensurat e së kaluarës. Nuk ka më direktiva komuniste për  përshkrimin e krijimeve nga ideologjia e kohës. Ka vetëm një kusht, që mund të kthehet në çensurë: Paraja! Paguaj dhe librin, si të ishte një mall i çfarëdoshëm: domate, patate, prezervativë, artikuj kozmetikë, celuar, a  dreqi e i biri, e ke në dorë për një ose dy javë.  Në qoftë se je Emër i Dëgjuar, në çfarëdo fushe qoftë, ke lehtësira në qoftë se të shkrepet të bëhesh shkrimtar, sepse vetë emri, është publiciteti më mirë për botuesit. Të tjerët, ata matufët e paemër e pa para: të ngrohen në diell! I shohim botuesit tanë të ecejaken në panaire librash, të debatojnë dhe ankohen për dimensionet gjeografike të stendave të tyre, të botojnë, të fotografohen dhe intervistojnë shkrimtarë të shquar botërorë, midis tyre edhe nobelistë,  emrat e merituar  të të cilëve ua kanë vetësiguruar fitimin. Fare mirë mund të krenohen me këto prurje të letërsisë botërore, paçka se shpeshherë të përkthyera mizorisht. Por, edhe kur gjejnë përkthyes të mjaft talentuar, i paguajnë për faqe të zezë. Sipas një gojëdhëne, një i krishterë i mirë, tek udhëtonte i vetmuar fushave e maleve, i zuri syri një rrëkezë të vogël. Tmerrësisht i etur, u gjunjëzua duke pirë  me gllënjka të mëdha. Uji ishte i freskët dhe shumë i shijshëm, si rrallë ndonjëherë. Kureshtar, ndoqi rrjedhën e rrëkezës, për të gjetur se nga buronte. U shtang, kur zbuloi, se ajo dilte nga goja e një qeni të ngordhur e të qelbur. Rëndësi kishte që ai e kishte shuar etjen, aq më tepër, me ujë aq të shijshëm. Prandaj, për të mirën e xhepave të botuesve tanë, ne do t’ia blejmë shkrimtarët e shquar botërorë. Sa për ata tanët, më të famshmit i kemi në politkë, gazetarë, drejtues emisionesh etj. Mjafton që ata të plotësojnë të vetmin kriter:  tu  sigurojnë botuesve fitmin në vlerë monetare apo në forma të tjera.

Nuk e di, nëse me tërë ata shkrimtarë të mëdhenjë, shtëpitë botuese të vendeve të tyre, janë sjellë kësisoj!

7 komente në “Marin Soresku, gojëdhëna e krishterë dhe botuesit shqiptarë”

  1. dybeku says:

    Nji vizite ke doktorri duhet te ishte e vlefeshme per ate bote nastradinesh

  2. Dardan says:

    Nuk kam lexuar shumë nga krijimtaria e Valbonës, por ato disa tregime që i kam lexuar më kanë lënë mbresë dhe, gjithsesi, për mua ajo ka qenë një zbulim i këndshëm. Duke u nisur nga këto mbresa dhe nga përvoja ime e lexuesit me stazh jo të vogël, mund të them se Valbona është një figurë për respekt në letërsinë shqipe. Ajo është një mjeshtër i vërtetë që di të zgjedhë tema, t’i rreket punës nga ajo anë që premton më së shumti dhe ta zhvillojë me një dorë të sigurt ecurinë e krijimit për të dalë në finalen e një akti estetik i cili doemos duhet të lavdërohet.
    Si krijuese e tillë ajo me të drejtë flet për botuesit, më shkurt për marifetet e tyre, që pozitën e shkrimtarëve dalëngadalë po e shndërrojnë në një rrafsh mjerimi. Unë, për vete, shkrimin në gazetën Tema me titull “Marin Soresku, gojëdhëna e krishterë dhe botuesit shqiptarë” e mora si një nismë qëllimmirë për të hapur debat lidhur me veprimtarinë botuese në hapësirën etnike shqiptare. Ajo që do të dilte si zë i përbashkët i krijuesve letrarë besoj se do të ndikonte në strukturat qeveritare që merren me çështjet e kulturës që të mësojnë nga fqinjët se si duhet të mbështetet kultura dhe si duhet të mbrohet nga monopolet që i kanë krijuar dhe i krijojnë shpeshherë grupet e caktuara ne mesin e të cilëve ka mjaft shkrues, por jo edhe shkrimtarë.

    1. sync says:

      Leripordhet dhe propaganden islame ,hidhi nje sy kesaj dhe paqen qe solli teollogjia e juaj https://www.youtube.com/watch?v=K9bI54mDsXg

  3. beso says:

    Znj.ka te drejte,por pergjithesisht letersia e ka piken e dobet tek publikimi.Keshtu ka qene e keshtu do mbetet,per fat te keq.Madje,me ate budallallekun qe e karakterizonte socrealizmi mbeshteti mjaft krijues,se ndryshe filizat qe s’i kuron kush ne te shumten nuk behen peme.Po qe per kritiken do kujtoj nje dy ese te goditura te Orwell,por kush i vihet perkthimit e perse? Qe vecse pune pa leke te mbash mbi supe edhe kritikat e komentuesve dembele e snobe.Une kam botuar nje liberth per qejf,me thane “ben kaq leke,…kaq lire vetem per ty…etj”dhe e pagova e as e di nese eshte shitur ndonje kopje.Thjesht do kisha vajtur 3 dite ne Egjipt per te pare piramidat,ose nje finale ne Champions me aq leke.Zgjodha nje liberth,mbajta “me pune” nje botues; duhet shkruar me respekt per keta si mua,edhe pse nuk kalerojme Pegasin,apo aspirojme bustin para hotel Dajtit.Nejse,edhe ne vjershen me te thjeshte,po te duash te dish dic kam dashur te them,pavaresisht se te gjitheve mund tu duket humbje kohe.Ne fakt,veprat e mira rizbulohen si Bach qe U zbulua pas 50 vjetesh qe paskesh qene mjeshter i madh,apo Homeri pas ndonja 500 vjetesh se cfare kish kenduar e mbledhur.Po te tregoj dhe une nje gojedhene,sjelle nga Coelho ne nje autobiografia.Xhenxhis Khan kishte nje fajkua besnik dhe e zuri etja e pa nje curril uji.Sapo shkoi ta pinte fajkoi e pengoi,por Xh.Khan e shtyu nga etja dhe fajkoi e sulmoi me kthetra.Me ne fund Xh.Khan e vrau fajkoin,duke menduar se U cmend e sakaq currili U shter.Kur shkoi siper pa nje pellg ku ne mes ishte nje neperke e ngordhur.Pra,fajkoi kish dashur ta shpetonte,ndaj Xh.Khan i ngriti nje bust floriri,ku qe shkruar : “.Degjoja mikut keshillen edhe kur nuk te pelqen”.Mbase U lodha kot e mase s’ia vlejti,por shiko,edhe kete pa leke e bera.

  4. Lavdim Musai says:

    Ke shumë të drejtë, por shumë je lodhur, moj motër, me gjithë këtë të shkruar!
    Muret s’kanë veshë!
    Po kjo gazetë që të botoi këtë shkrim për të plotësuar faqet e saj, a derdhi ndonjë kokërr leku në llogarinë tënde bankare? (Ç’ia fus kot edhe unë! Ti nuk ke as llogari bankare!)
    Në se do të më thuash “Po”, atëhere do të brohoras “Eureka”!
    E pra, njëlloj si shtëpitë botuese janë edhe gazetat.

    “O botë, o dreq
    Që paskam lindur të të ndreq!”

    -tha i vuajturi Hamlet.

    -Ia tha, more, ia tha, po kujt ia tha?! -ofshau Jovan Bregu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje