Kunati përgëzon Pollon për kërkimin e ndjesës

21 Korrik 2014, 20:26Antena TEMA

Kunati sot ka bërë një hap të madh përpara. Arriti ta silurojë Doktorin me njeriun, të cilin shpresojnë ta kenë numrin 2 në parti.

Plani ishte i thjeshtë. Meqë u bë shumë zhurmë për deputetin Ndoka dhe PS nuk po përgjigjej, njerëzit në PD filluan të pëshpërisin. “Ai ka qenë njeriu ynë”, “pse i sulmoni të djathtët”, etj. Përgjithësisht të mërziturit ishin ata që rrinin me Palokën.

Kunati e pikasi këtë situatë dhe vendosi që me një gur të vrasë dy zogj.

E para t’ia faturojë Doktorit këtë fushatën kundër Ndokës dhe me këtë rast të mbajë qëndrim ndaj Palokës. Dhe e dyta, të promovonte Pollon si kundërshtar të rilindur të Doktorit.

Për këtë e thirri Pollon për një kafe dhe e falenderoi për reagimin publik.

-Ke pasur ndonjë reagim nga nga njerëzit, i tha Kunati.

-Ka, po janë negative, i tha Pollo.

-Çfarë thonë, i tha Kunati.

-Po ja thonë që kemi ne përgjegjësi se e kemi pasur 7 vjet drejtor.

-Po ç’duhet të bëjmë, i tha Kunati sikur s’e kishte mendjen. A ia vlen të distancohemi?

-Unë them se po, i tha Pollo. Ç’punë kemi ne me pazaret e Palokës.

-Mos mërzitet e jep dorëheqje, i tha Kunati.

-Mos ki frikë, i tha Pollo. Dhe po dha, e marr unë. As e çaj kokën fare. E kam bë atë punë më ’97, s’e bëkam dot tani.

-Po Doktori çfarë mendon vallë, tha Kunati, kur dëgjon që e ka pasur drejtor.

-Në këto raste ai mërzitet kur nuk e ka më drejtor, i tha Pollo me qesëndi. Kur i ka, nuk mërzitet.

-D.m.th ti thua të distancohemi, i tha Kunati.

-Do na bënte shumë të besueshëm, i tha Pollo. Dhe mos ki merak. I dal unë zot çdo pasoje.

-Po mirë, bëje ti, i tha Kunati. Dhe po tha gjë Doktori, thuaj e bëra nga koka ime.

-S’ka kujt i thotë, tha Pollo. Mua s’guxon të më thotë.

-Po shumë mirë, bëje, i tha Kunati.

Pollo shkoi në zyrë dhe jo vetëm u distancua, po i kërkoi ndjesë dhe Ramës, dhe Ndokës.

Kunati, kur e lexoi, u gëzua, por dhe u tremb.

-Sikur nuk e kishim kështu, tha. Thamë vetëm të distancohemi nga e kaluara e PD.

-Po të kufizohesha vetëm tek distancimi, e ha dhe unë, tha Pollo. Diferenca është që unë di t’u kërkoj ndjesë kundërshtarëve kur ia fut kot, nuk jam si Doktori. Kjo na bën të besueshëm.

-Kjo të bën ty të besueshëm, i tha Kunati. Ne na bën të padurueshëm tek Doktori. Do na hapësh shumë punë. Ika se po më merr Luli në telefon.

Lulit i kishte ikur zëri.

-Ore, pse i kemi kërkuar ndjesë Edi Ramës dhe këtij Ndokës, më pyet Doktori.

-Çfarë të tha ekzaktësisht, i tha Kunati.

-Më mori në telefon dhe bërtiste, tha Luli. Ti nuk mund ta braktisësh Laurën. Jo, ti s’mund t’ia bësh atë zëdhënëses tënde. Se po ia bëre këtë zëdhënëses sot, nesër ia bën partisë. Pastaj s’të beson njeri. Jo zotëri, kjo nuk është parti horrash, kjo është parti martirësh. Jo, këtë s’mund t’ia bësh Laurës ti…

Fliste pa fund për Laurën. Unë nuk e dija përse bëhej fjalë.

Pyeta Laurën ç’të kam bërë unë që më shan Doktori.

-S’më ke bërë gjë, tha.

-Po për këtë më shan ai, i thashë.

-Ku di gjë unë, tha Laura. D.m.th as ajo nuk e dinte. Pastaj u sqarova nga stafi.

-Epo paska funksionuar mirë skema, i tha Kunati. E bëra plan unë me Pollon si të distancoheshim nga Doktori, që e ka pasur në punë Ndokën. Ndoshta me këtë rast heqim dhe Palokën se mbushi vitin që po rri qyl aty. U zgjodh gjoja i përkohshëm.

-S’e di, tha Luli. Ai më fliste mua sikur isha unë i përkohshëm.

4 komente në “Kunati përgëzon Pollon për kërkimin e ndjesës”

  1. bossi says:

    hahah po nga i gjeni keto biseda une se marr vesht po gjithsesi interesante http://bit.do/lulit-i-kishte-ikur-zeri

  2. nje mik qe ta do te miren says:

    Rrofte partia despotike.
    Me falni demokratike

  3. Mal Tropoja says:

    Qenia 7 vjet drejtor e Ndokes me PD nuk e ben te panjollosur perkundrazi, nese ka qene I denuar duhet te kerkoje ndjese per qenien e tij drejtor PD dhe ti kerkoje PS te shohe qendrimin e saj ndaj kesaj ceshtjeje.Duke qene I denuar zgjedhja e tij deputet eshte e paligjshme e duhet te iki nga detyra.

  4. gjeramadhi says:

    keto biseda jane te verteta , po deshe te dish te verteten lexo keto ,ai (meroja) merr inpormacion sabah sabah ,burimi eshte i sigurt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje