Ai është 74 vjeç, por i ri dhe ende i fortë. Al Pacino parakaloi ne qilimin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia, ku ylli amerikan i kinematografisë konkurron me dy filma për këtë vit.
Në filmin ‘Manglehorn’ i regjisorit David Gordon Green, Pacino luan rolin e një bravandreqësi në një qytet të vogël, i cili nuk arrin dot të hapë zemrën e tij të lënduar.
Filmi pati qëndrime të ndryshme, ku disa e quajtën si punën më të mirë ndër vite të Pacinos e të tjerë si një zhgënjim.
Filmi i dytë, me të cilin paraqitet Al Pacino në Venecia është ‘The Humbling’, një adaptim i romanit të Philip Roth me të njëjtin titull, ku Al Paciono luan rolin e një aktori të moshuar, jeta e të cilit është kthyer përmbys, kur ai përfshihet në një lidhje me një grua shumë më të re në moshë.
Regjisori japonez Shinya Tsukamoto është në Venecia me filmin e tij ‘Fires on the Plain’, një triller mbi Luftën e Dytë Botërore, që na kujton të gjithëve se lufta është ferr.
Ashtu si në filmin klasik të vitit 1959, Tsukamoto e shfaq veten si Tamura, që përpiqet të shpëtojë veten pas humbjes së Japonise në Luftën e Dytë Botërore.
Për Luanin e Artë këtë vit konkurron edhe regjisori suedez Roy Anderssen.
Një nga tre filmat italianë që konkurrojnë për çmimin “Luani i Artë” këtë vit, është ‘Il Giovane favoloso’, që tregon historinë e poetit të njohur italian Giacomo Leopardi.
Filmi i Mario Martone tregon historine e një gjeniu, mes vuajtjeve, poezisë dhe dashurisë, film që u prit ngrohtësisht nga publiku në Venecia.