Skema e mashtrimit me TVSH me 26 milionë USD/ Prokuroria çon në gjykatë dosjet e 32 personave

29 Nëntor 2014, 20:07Politika TEMA

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për një skemë mashtimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në industrinë e përpunimit të metaleve, skrapit, e cila ka shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e rreth 26 milionë dollarëve.

Organi i akuzës ka dërguar në Gjykatën e Tiranës, emrat e 24 personave dhe 8 subjekte tatimorë, të akuzuar si të përfshirë këtë skemë.

Shtetasit dhe subjektet e administruar prej këtyre personave akuzohen të gjithë për veprën penale të “Fallsifikimit të vulave, të stampave ose formularëve” në bashkëpunim, që ka sjellë pasoja të rënda, e parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Të përfshirë në këtë skemë mashtruese kanë qenë edhe 14 persona të tjerë, për të cilët është dërguar pak javë më parë kërkesa për gjykim dhe tashmë ka nisur procesi në gjykatë.

Prokuroria e Tiranës e ka nisur këtë hetim, bazuar në kallëzimin e dorëzuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. /gj.k/

4 komente në “Skema e mashtrimit me TVSH me 26 milionë USD/ Prokuroria çon në gjykatë dosjet e 32 personave”

  1. analist says:

    Dhe ku eshte skema e mashtrimit?

    1. mali says:

      Eventualisht kanë deklaruar gjendje malli ose produkt fiktiv dmth që nuk e kanë efektivisht në magazina nëpërmjet faturave false për të marrë më pas rimbursimin e tvsh meqë nuk e kanë shitur.Kjo bëhet në bashkëpunim me punonjësit e tatimeve që kontrollojnë gjendjen fizike në magazinë.
      Duket që ata të kenë ‘çertifikuar’ praninë e mallit në gjendje nga ka rrjedhur dhe rimbursimi i TVSH-së.

  2. Eh says:

    Tatimet zbulojnë rrjetin e skrapit që mashtronte me TVSH-në
    Nga Blerina Hoxha on 04/07/2012
    Një rrjet i ri mashtrimi me taksat është zbuluar së fundi nga tatimorët. Një grup biznesmenësh skrapi janë kapur ‘mat’ nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pasi kishin ngritur një skemë joligjore për kreditimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Burimet zyrtare në Tatime bëjnë me dije se pas një hetimi disamujor, në subjekte që merren me grumbullimin dhe tregtimin e skrapit, ka mundur të zbulojë një skemë të mashtrimit me TVSH-në nga disa subjekte tregtare. Tatimorët disponojnë dokumentimin e plotë ligjor të skemës mashtruese, ku disa subjekte që ushtrojnë këtë lloj veprimtarie në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërtuar skemën mashtruese të kreditimit të TVSH-së. Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Hetimit Tatimor është bërë i mundur ndalimi i shtetasit B. Z për veprat penale të “fshehjes së të ardhurave” dhe “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, të parashikuara nga nenet 180 dhe 190 të Kodit Penal. Materialet iu kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Sarandë. Tatimet bëjnë me dije se drejtoritë e Hetimit Tatimor në rajone po punojnë për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe dërgimin e tyre për ndjekje penale në prokuroritë e rretheve gjyqësore përkatëse. Dëmi që i është krijuar arkës së shtetit është në proces llogaritjeje, ku pas përfundimit të tyre do të merren të gjitha masat e parashikuara në ligj për mbledhjen e tyre. Ndërkohë që tatimorët në ndjekje të evazionit fiskal kanë zbuluar disa lloje të mashtrimit me skemat e TVSH. Madje në zhargonin e tatimorëve ato kanë edhe emërtimet përkatëse, si mashtrimi karocel, mashtrimi guacë, mashtrimi me kreditimin e TVSH etj. Sipas ekspertëve në tatime, mjeti kryesor i tatimpaguesit në skemën e mashtrimit tatimor është fatura false me të cilën tatimpaguesit ia arrijnë qëllimit të paguajnë më pak tatime duke fshehur veprimtarinë ekonomike, duke ia hequr mundësinë administratës tatimore për të llogaritur me saktësi detyrimin e vërtetë tatimor që ai duhet të paguajë në buxhetin e shtetit. Skema e mashtrimit funksionin në këtë mënyrë: Firma X i lëshon fatura false firmës A dhe B. Firmat A dhe B i bëjnë pagesën firmës X. Pronari i firmës X tërheq paratë nga llogaria bankare dhe ia kthen firmës A dhe B duke mbajtur një komision. Paratë e arkëtuara nga pronari i firmës X, firmat A dhe B i përdorin për të bërë blerje në tregun informal.

    TVSH, skemat kryesore të mashtrimit

    Skema karusel e mashtrimit

    Karusel ka të bëjë me kryerjen e transaksioneve të blerje-shitjeve të përsëritura midis tatimpaguesve që ndryshojnë statusin e tyre në periudha të shkurtra kohore. Ky shkëmbim transaksionesh do të thotë që TVSH-ja nuk paguhet nga shitësi, i cili zhduket, ndërkohë që blerësi e deklaron si TVSH kreditore për blerjen e kryer. Zakonisht, një zinxhir i gjerë dhe kompleks transaksionesh në rrethe të ndryshme përdoret për të mbuluar këtë fenomen që ndodh. Mashtrimi karusel përdoret shpesh nga organizata të krimit ekonomik dhe është një humbje e ndjeshme për buxhetin. Mashtruesit e zbatojnë këtë skemë duke futur shoqëri të ndryshme në zinxhirin e furnizimeve për ta bërë të vështirë evidentimin e tyre dhe duke shfrytëzuar dobësitë me administrimin tatimor. Mallrat që janë kontingjent i kësaj skeme mashtrimi janë mallrat me vlerë të lartë dhe kosto transporti të ulët (mallra informatike, komunikacioni). Këto mallra mund të rrinë në një vend, por transaksionet japin idenë e blerje-shitjeve të vazhdueshme.

    Skema e faturave false

    Mashtrimi me anë të faturave false për TVSH bëhet në shumë fusha. Skema me tipike sipas së cilës funksionon një mashtrim i tillë, paraqitet si vijon. Firma XX i lëshon fatura false firmës A dhe B. Firmat A dhe B i bëjnë pagesën firmës XX. Pronari i firmës XX tërheq paratë nga llogaria bankare dhe ia kthen firmës A dhe B duke mbajtur një komision. Paratë e arkëtuara nga pronari i firmës XX, firmat A dhe B i përdorin për të bërë blerje në tregun informal. Megjithatë, mashtrimi me TVSH-në, nganjëherë mund të jetë më i sofistikuar se sa mashtrimi për tatimet e tjera indirekte, sidomos kur përdoren faturat false për të abuzuar me sistemin e kreditimit, keqdeklarimin e eksporteve për të përfituar nga përqindja zero e TVSH-së, si dhe pretendimin për kreditim të TVSH-së për blerje të pakreditueshme

  3. AK-47 says:

    Po ndonje sekuestrim nuk kane bere?? Po parate kush do ti ktheje?? Apo ia vlen 3-4 vjet burg per 5 milion euro!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje