Embargo që Rusia i ka bërë prodhimeve bujqësore shqiptare nuk e dëmton aspak bujqësinë e Shqipërisë pasi niveli i eksporteve shqiptare drejt Rusisë nuk është më i rëndësishëm se me vendet e tjera të rajonit.
Kështu u shpreh në një intervistë për KosovaPress Enver Ferizaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, ndërsa shtoi se Shqipëria nuk synon Rusinë, por synon vendet e rajonit dhe vendet e BE për të bërë tregti, dhe si një treg i vogël që është nuk mund të plotësojë nevojat e Rusisë.
Ferizaj i hedh poshtë pretendimet e Rusisë se janë bërë falsifikime të produkteve shqiptare, këtu në vend, ai sqaron se falsifikimi ka ndodhur në vende të tjera, por e vërteta është se Rusisë nuk i intereson tregu i vogël shqiptar, ndaj dhe këto janë justifikime.
“Nuk është e vërtetë dhe nëse do të ishte diçka e tillë nuk mban përgjegjësi shteti ynë për vetë faktin se nuk është gjetur në mallrat që janë eksportuar nga Shqipëria, por është gjetur nga një shtet tjetër i cili mban përgjegjësinë e tij individuale, shtetërore etj, sipas rregullave tregtare. Ne nuk jemi shtet prodhues potencial, potencialisht për Rusinë, pasi Rusia është një treg gjigand shumë i madh. Për Shqipërinë nuk ka pasur interes ta shfaqte një gjë të tillë, sepse ne para një viti apo dy vjetësh kemi çuar vetëm 1 mijë ton. Tregu rus nuk e dëmton aktualisht Shqipërinë, nuk duhet të kemifare panik as ndaj fermerëve. Unë e kam dhënë një deklaratë të tillë dhe kam kontaktuar me fermerët; nuk duhet të frikësohemi sepse tregu rus nuk ka qenë treg i joni deri më sot, dhe nuk është se jemi duke punuar të kapim tregun rus gjigand, sepse është një treg shumë i madh në krahasim me prodhimet që i bën Shqipëria,” tha Enver Ferizaj, kreu i KASH në Shqipëri.
Më tej, Ferizaj thekson se tregu shqiptar është i vogël dhe duhet të synojë vendet e rajonit, Kosovën, Maqedoninë, Kroacinë, Malin e Zi, e madje edhe Serbinë, me të cilën edhe pse marrëdhëniet politike nuk janë fort të mira, ato ekonomike janë në rritje dhe në interes të të dyja palëve.
“Destinacioni më i mirë tregtar që ne po synojmë janë vendet e rajonit, që janë më kryesoret dhe më dominueset, dhe me të cilat kemi qenë me kohë dhe nuk është se kjo po zbulohet sot një gjë e tillë. Për mua tregu më i mirë është me Kosovën, por të rregullojmë marrëdhëniet me kufij të hapur, që i kemi kërkuar, kjo u diksutua, u dha, u reklamua, janë hequr nuk janë hequr, por janë shtuar doganat. Kemi vende të BE-së; kemi Serbinë është treg shumë i madh, shumë kërkuesndaj Shqipërisë, edhe atje po hiqen komplekset ndaj prodhimeve shqiptare, pasi ato janë prodhime kualitative, janë të shëndetshme; natyrore, janë pa kontaminime të ndryshme. Është një treg potencial për Shqipërinë, nuk është një treg i vogël,” tha më tej Ferizaj.
Ai thotë se buxheti i Bujqësisë shqiptare është shumë i ulët për të pasur zhvillim në këtë sektor, madje edhe më i ulët se vendet e rajonit, përfshi këtu edhe Kosovën që është shtet shumë i ri.
“Maqedonia sivjet ka 160 milionë euro për Bujqësinë. Kosova që është shtet i porsaformuar me 50 % ose më pak të mundësive financiare që i ka Shqipëria, jep 60 milionë euro deri në 80 milionë euro për një vit, më shumë se ne, katërfish. Atëherë çfarë mund të thuash që po japim për bujqësinë se ke rritur ti 30 % më tepër se viti i kaluar. Nuk matet me përqindje por matet me volum, matet me sasi me para që i jep bujqësisë,” tha Ferizaj lidhur me buxhetin e bujqësisë shqiptare.
Për vitin e ardhshëm, Qeveria shqiptare ka akorduar 8.3 miliardë lekë për bujqësinë me një rritje prej 26 për qind krahasuar me këtë vit. Por këtë buxhet e ka kundërshtuar edhe vetë ministri Edmond Panariti i cili ka thënë para Kuvendit se thotë se kjo shifër është e pamjaftueshme./b.l
Medioker…