Qeveria vendosi në mbledhjen e fundit të saj ngritjen e një komisioni të përbërë nga 5 anëtarë përsa i takon dhënies apo akordimit të medaljeve për persona të caktuar.
“Çdo autoritet, përgjegjës për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit, sipas legjislacionit në fuqi për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, krijon pranë tij një komision këshillimor, në vijim “komisioni”, të përbërë prej 5 (pesë) anëtarësh, prej të cilëve 3 (tre) anëtarë duhet të jenë punonjës në varësi të autoritetit përgjegjës dhe 2 (dy) anëtarë personalitete të jashtëm, që përzgjidhen mes njerëzve të shquar dhe që kanë dhënë kontribut në fushën përkatëse”, theksohet në vendimin e Qeverisë.
Komisioni ngrihet, me urdhër të titullarit të autoritetit përgjegjës, çdo fillim viti kalendarik. Për vitin 2014, komisioni të ngrihet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Komisioni funksionon si organ kolegjial, vendimmarrës, pranë autoritetit përgjegjës për dhënien e medaljeve apo titujve vendorë të nderit”.
Vendimi duket se ka lidhje me disa nga debatet që shkaktuan kohët e fundit akordimi i medaljeve për dy nga ish-funksionarët e sistemit diktatorial, Fecor Shehu dhe Vito Kapo. /gj.k/