Thaci e Bushati caktojnë piketat/ Mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Mars

12 Janar 2015, 11:44Rajoni TEMA

Në mesin e muajit Mars do të mbahet mbledhja e dytë e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Kjo u bë e ditur nga zv.Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaci gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, e cila nisi me një takim me kreun e diplomacisë Ditmir Bushati.

Thaçi, shprehu kënaqësi që vizitën e parë si ministër i Jashtëm e zhvilloi në Shqipëri me ministrin Bushati.

“Kam besim se ky bashkëpunim do të vazhdojë mes dy qeverive tona. Diplomacia e dy vendeve tona ishte dhe dje në Paris në marshimin e paqes kundër terrorizmit.

Sot diskutuam për hapat tona në bashkëpunimin bilateral. Të shohim se ku kemi shkuar me projektet që kemi dakorduar në Prizren. Folëm me ministrin Bushati për nismat rajonale.

Mesazhi që duam të përcjellim është ai i tolerancës, fqinjësisë së mirë si parakusht për integrimin në BE dhe paqen e stabilitetin në rajon”, tha Thaçi.

Duke folur për vizitën e Kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Kosovë, Thaçi u shpreh se “vizita e Vuçiç nuk është e para e një kryeministri serb në Kosovë”.

“Kjo vizitë ndodh pas vizitave të ministrave të Kosovës në Beograd. Janë vizita tashmë normale, të zakonshme të dy shteteve. Është një vizitë e karakterit humanitar dhe fetar. Synimi është të shtojmë vizitat e ndërsjella dhe të mos i frikësohemi vizitave, qoftë në Beograd, qoftë në Prishtinë”.

Lidhur me problemin e azilkërkuesve, Thaçi tha se largimi i njerëzve nga Kosova në drejtim të perëndimit është debatuar këto ditë në Kosovë.

“Ka qenë shqetësim i të gjithëve. Jemi duke punaur për parandalimin e kësaj lëvizje, por Kosova përballet me një problem të njëjtë për të gjithë vendet e rajonit. Angazhimi maksimal i Kosovës është parandalimi i problemit”, theksoi ministri i Jashtëm i Kosovës.

Ndërsa për koalicionin qeverisës në Kosovë, Thaçi tha se, “koalicioni është për stabilitetin që do të ndihmojë në rritjen ekonomike dhe integrimin në proceset euro-atlantike

Ministri i Jashtëm Ditmir  Bushati tha se takimi me homologun kosovar shërbeu për të vënë në peshore arritjet dhe elementët e rinj që duhet të adresohen që nga mbledhja e Prizrenit më 11 Janar të një viti më parë.

Uroj për një punë të mbarë e të frytshme jo vetëm zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, por edhe kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa, i shpreh mbështetjen e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim edhe më të thelluar në këtë vit që po hyjmë.

Patëm mundësi për të bërë një bilanc të shpejtë arritjeve dhe elementëve që duhet të adresohen më mirë që nga mbledhja e Prizrenit më 11 janar 2014, dhe të përgatisim edhe një plan të shkurtër aktivitetesh që do t’i paraqesim mbledhjes së radhës që do të jetë takimi i dytë mes qeverive tona.

Gjithashtu patëm mundësi të diskutojmë në lidhje me zhvillimet në rajon, viti që mbyllëm ishte një vit i suksesshëm me një pozicionim të qartë të Shqipërisë në rajon.

Diskutuam hapat që duhet të ndërmarrin dy vendet nga procesi i Berlinit në Konferencën e Vjenës, aq më tepër që edhe Shqipëria ka drejtimin e disa nismave rajonale që do të përdoren në funksion të integrimit tonë të përbashkët”, u shpreh Bushati.

“Thaçi na njohu me hapat që po ndërmerr qeveria e Kosovës në pritje të rifillimit të dialogut me Serbinë, i cili bazohet në procesin  e Brukselit.

Ky dialog ka pasur dhe do vazhdojë të ketë mbështetje të plotë për Kosovën dhe Serbinë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe do të ndihmojë në  stabilitetin demokratik dhe për një integrim të shpejtë evropian”, shtoi ai./gj.k/

2 komente në “Thaci e Bushati caktojnë piketat/ Mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Mars”

  1. Scandal says:

    Thaqi ne Tirane Vuqiqi ne Kosove aranzhim i bukur politik………….

  2. mr.jones says:

    …….po pse u takuakan ne Mars e jo ne Hene?!..po shkruani o derzes,ne muain Mars….!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje