Orët e gjatë të pritjes kanë marrë fund dhe Milani e ka tashmë bomberin e tij të ri.
Matia Destro i ka thënë po kuqezinjëve, dhe që nga ky cast mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës futbollisti më i ri i Milanit.
Drejtuesit e 7 herë kampionëve të Europës e kishin arritur prej disa ditësh akordin me Romën për transferimin e 23-vjecarit në Milano, megjithatë përgjigjja e Destros ishte ajo që po mbante në ankth kuqezinjtë.
Por po-ja e futbollistit tashmë ka ardhur dhe Milani mund t’i përqëndrojë të gjitha bateritë në kampionat ku synon të pozicionohet në zonën e kupave të Europës, raporton Sport News.
Destro transferohet kështu te 18 herë kampionët e Italisë në formën e huazimit për 700 mijë euro, dhe në bazë të paraqitjeve të tij me fanellën kuqezi, Milani nëse dëshiron mund ta blejë sulmuesin italian në verën e ardhshme për 16 milionë euro, shifër të cilën drejtuesit e klubit nga San Siro mund t’ia paguajnë Romës në tre këste të ndryshme.
Largimi i Fernando Torres për te Atletiko e Madridit dhe forma jo e mirë që ka shfaqur Xhiampaolo Pacini në takimet fundit, bënë që Milani të hidhte vështrimin nga Destro, dhe 23-vjecari është përforcimi që i nevojitej trajnerit Filipo Inzaghi.
Mbyllet në këtë mënyrë aventura e sulmuesit me fanellën e Romës që prej tranferimit të tij te verdhekuqtë në verën e vitit 2012.
Në 52 paraqitje me klubin kryeqytetas gjatë këtyre dy sezoneve e gjysëm në Serinë A, Destro ka arritur të realizojë 23 gola.