Liridona Gashi, 23 vjeçare, prej 10 vitesh është në gjendje kome.
Ajo ishte dërguar në Zvicër për trajtim mjekësor në vitin 2005, por pas tri viteve autoritetet zvicerane e transferuan atë në Kosovë.
Kthimi i saj ishte bërë bazuar në marrëveshjen e Institucioneve të Kosovës me shtetin zviceran, ndërmjetësues i së cilës ishte UNMIK-u, ka bërë të ditur për Radio Kosovën Ambasada zvicerane në Prishtinë.
“Në tetor 2005, znj. Gashi ka udhëtuar për në Zvicër për arsye mjekësore. Ndërsa, për arsye të mbrojtjes së personalitetit dhe të dhënave, Ambasada zvicerane nuk mund të japë informata të mëtejme rreth kësaj çështje.
Në nëntor të vitit 2008, autoritetet kompetente të Zvicrës kanë kthyer familjen në Kosovë.
Kthimi the transferimi në Kliniken ‘Euromed’ është bërë bazuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të arritur mes Zvicrës dhe institucioneve të Kosovës përmes UNMIK-ut”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës zvicerane, në Prishtinë.
“Që nga ajo kohë, vajza mbeti barrë e Klinikës private ‘Euromed’. Klinika thuhet se paguan të gjitha shpenzimet ditore, ku hyjnë terapia e përditshme, kujdesi për higjienën e saj dhe nevojat tjera”, thotë Leart Jakupi, njëri nga pronarët e kësaj klinike.
Learti thotë se janë në pikë të hallit, sepse përvec shpenzimeve për ilaçet që duhet t’i ofrohen pacientes, ata kërcënohen vazhdimisht nga familjarët e saj të cilët fajësojnë drejtorin e kësaj Klinike, mjekun Habib Jakupi, se pse kishte pranuar që vajza të shtrohej në klinikën e tij.
Gjithë kjo bëhet sepse ata kishin shpresuar për rregullimin e lejeqëndrimit në Zvicër.
“Sikur ta dinim se në çfarë gjendje do të vinim, ne as që e kishim pranuar. Ne nuk e kemi njohur familjen e vajzës dhe askënd tjetër lidhur me të. Ne në këtë rast e kemi partner Qeverinë e Kosovës dhe ambasadën e Zvicrës. E kanë sjellin vajzën në vitin 2008 dhe po në atë kohë babai im e merr një thirrje prej babës se vajzës i cili i thotë: ‘Nuk e paskam ditur që vajza ime e paska edhe një prind tjetër… ty ta kam parë sherrin, se na ke kthye në Kosovë’. Pas kësaj, babai im urgjentisht e merr Ambasadën në telefon, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Policinë. Policia vijnë, nga Ambasada vijnë. Ministria e Mirëqenies Sociale e kishte sjellë vajzën dhe e kishte lutur babanë që ta pranojë për një periudhe të shkurtër kohore, duke i premtuar se shumë shpejt do ta largonin nga aty”, thotë Learti.
Ambasada zvicerane shpjegon se nuk ndiejnë asnjë detyrim legal as ndaj Kosovës e as ndaj familjes Gashi, por se për arsye humanitare kanë nderhyre disa herë te Ministrat e Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë çështje.