Avokati i Popullit rekomandon nisjen e hetimeve për Drejtorin e IEVP Lezhe, si dhe Anëtarët e Komisionit Pritës të IEVP Lezhë.
Përmes një deklarate për mediat, Avokati i Popullit bën të ditur se ka dorëzuar dy rekomandime në Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
“Rekomandim për fillimin e hetimeve në ngarkim të Drejtorit IEVP Lezhë, etj., për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 235/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Rekomandim për fillimin e hetimeve në ngarkim të anëtarëve të komisionit pritës të IEVP Lezhë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Avokati i Popullit ka regjistruar në dt. 14 Korrik 2015 ankesën e një qytetari, nga rrethi i Shkodrës, i cili pretendonte se ishte keqtrajtuar fizikisht nga forcat e Policisë së Shtetit. Pas hetimit administrativ të këtij rasti, nga ekspertët e institucionit tonë u konstatua se pretendimet e ankuesit ishin të bazuara.
Në vijim të hetimit të thelluar të këtij rasti u bënë verifikimet e dokumentacionit të administruar nga IEVP Lezhë. Gjithashtu, nga Avokati i Popullit z. Igli Totozani, u ngarkua me detyrë mjeku ligjor i Spitalit Rajonal Lezhë për të shkuar në IEVP Lezhë dhe për të kryer ekzaminimin mjeko- ligjor të të dëmtuarit, i cili ndodhet i paraburgosur në këtë institucion penitenciar.
Nga verifikimet e bëra nga ekspertet e Avokatit të Popullit në IEVP Lezhë u konstatua se, ndonëse shtetasi i paraburgosur ishte me shenja dhune dhe i shoqëruar me një kartelë mjekësore nga Komisariati i Policisë Shkodër, anëtarët e komisionit pritës të kësaj IEVP-je nuk kishin kryer detyrën konform akteve normative në fuqi për të pasqyruar në regjistrin përkatës shenjat e dhunës ndaj tij dhe rrethanat e ndodhjes së saj. Ata nuk kishin zbatuar as detyrimin ligjor për të njoftuar Drejtuesin e institucionit dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë lidhur me dhunimin e ankuesit nga Policia e Shtetit.
Ndërkohë, Drejtori i IEVP Lezhë në bashkëpunim me juristin dhe shefin e sigurisë së këtij institucioni nuk kanë lejuar mjekun ligjor të hyjë brenda në IEVP Lezhë që të kryej ekzaminimin mjeko-ligjor të të dëmtuarit, sipas detyrës së ngarkuar nga Avokati i Popullit.
Këto qëndrime të drejtuesit dhe nënpunësve të tjerë të IEVP Lezhë vijnë në kundërshtim të hapur dhe të plotë me aktet normative në fuqi dhe përbëjnë vepra penale.
Ato pengojnë dhe demtojnë kryerjen e misionit kushtetues dhe ligjor të Avokatit të Popullit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, si dhe imazhin dhe reputacionin e këtij institucioni kushtetues. Gjithashtu ato pengojnë dhe funksionimin ligjor dhe të rregullt të IEVP-ve në mbrojtje të personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”, thekson deklarata.
Mishi i pulës i bën të lumtur.