PAOK largon Fiorentinën nga mesfushori shqiptar, Ergys Kaçe. Sipas faqes “newsbeast.gr”, klubi nga Selaniku konfirmon se në adresë të lojtarit kuqezi nuk ka ardhur asnjë ofertë si është përfolur në media gjatë ditëve të fundit. Faqja në fjalë citon burume zyrtare të klubit bardhezi që siguron se Fiorentina nuk ka trokitur në derën e shoqërisë me një ofertë për mesfushorin e lindur në Korçë. “Klubi bardhezi sqaron se nuk ka asnjë ofertë prej 4 milionë Eurosh që sipas mediave e ka pranuar për të shitur mesfushorin te Fiorentina”, qartëson “newsbeast.gr”, që shton gjithashtu se drejtori sportiv i PAOK, Frank Arnesen nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim të ardhmen e 22-vjeçarit.
Kontrata e mesfushorit shqiptar me skuadrën e PAOK-ut skadon pas dy viteve dhe klubi nga Selaniku kërkon që brenda muajve të ardhshëm, palët të diskutojnë rinovimin. Një lëvozje kjo nga PAOK që synon të blindojë një nga talentet më të mëdhenj që klubi ka prodhuar gjatë viteve të fundit nga ekipet zinxhir. Gjatë merkatos së verës, emri i Kaçes është lidhur me disa klube italiane por interesimi për autorin e golit kundër Francës nuk ka munguar as nga klubet turke. / SS