Air Serbia kërcënohet me ndalim të fluturimeve për në Kroaci

15 Janar 2016, 16:16Rajoni TEMA

Air Serbia po vazhdon të operojë fluturime transit për në dhe nga Kroacia pavarësisht akuzave të ngritura kundër linjës ajrore kombëtare serbe pesë muaj më parë nga Agjencia Kroate e Aviacionit Civil, ÇAA, duke rrezikuar një ndalim të mundshëm nga aeroportet kroate.

Në akuzat e ngritura kundër Ministrisë Kroate të Çështjeve Detare, Transportit dhe Infrastrukturës, ÇAA akuzon Air Serbia për shkelje të marrëveshjes Europiane të Zonës së Përbashkët të Aviacionit duke operuar fluturime në dhe nga Zagrebi për në qytete të tjera duke përdorur Beogradin si një pikë transiti.

Akuza pretendon se sipas marrëveshjes, kompanitë serbe nuk mund të shesin bileta kompozite nga Zagrebi në destinacione të tjera përmes Beogradit ose e kundërta për shkak se Serbia nuk është një shtet në BE, ndaj ata duhet të shesin bileta nga pjesë të ndryshme të udhëtimit në mënyrë të ndarë.

Mediat kroate gjithashtu kanë raportuar se ÇAA pretendon se Air Serbia po vepron si “një konkurrent i padrejtë” duke shitur biletat përmes Beogradit me çmime më të lira se normalisht, duke shkelur marrëveshjen me autoritetin kroat të aviacionit.

ÇAA konfirmoi për BIRN se ka ngritur propozime të shumta kundër një linje ajrore të huaj që nuk përmbushte parashikimet e Ligjit kroat të Aviacionit.

Ministri kroat i çështjeve detare, transportit dhe infrastrukturës, Sinisa Hajdas Doncic, konfirmoi për median të enjten se akuzat ishin ngritur ndaj Air Serbia, që mund të rezultonin me gjoba, pakësim të kapacitetit fluturues ose ndalim të fluturimeve.

Air Serbia nga ana tjetër mohon të ketë shkelur ligjin në lidhje me fluturimet për në ose nga Kroacia duke thënë se ÇAA ia ka miratuar programin sezonal.

Kompania serbe i riktheu fluturimet Beograd-Zagreb në nëntor 2014, më shumë se dy dekada pas shpërthimit të luftës që prishi lidhjen mes dy qyteteve madhore të ish-Jugosllavisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje