Dita ndërkombëtare e Internetit të sigurt ka shëbryer si një moment reflektimi edhe për qeverinë shqiptare.
Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla kanë nënshkruar sot paradite një marrëveshje bashkëpunimi për të rritur sigurinë online për fëmijët.
Kjo marrëveshje, e cila është mbështetur edhe nga UNICEF synon që nëpërmjet intensifikimit të bashkëpunimit mes strukturave shtetërore, ta ngrejë në një nivel më të lartë përpjekjen e vetë shtetit për të garantuar sigurinë e fëmijëve në internet.
Aktualisht fëmijët kanë akses të pakufizuar në internet dhe kjo e bën situatën shpesh herë të pakontrollueshme, ndërsa i ekspozon ata ndaj rreziqeve të abuzimit apo dhunës seksuale.
Marrëveshja e nënshkruar nga katër ministrat parashikon ngritjen Mekanizmit Kombëtar për Sigurinë Online të Fëmijëve, forcimin e kuadrit ligjor, shkëmbimin e të dhënave të rasteve të fëmijëve dhe adoleshentëve, viktima të dhunës dhe shfrytëzimit në internet, vendosjen e një dialogu konstant me aktorët e shoqërisë civile dhe industrisë së internetit e komunikimit etj.
Ministrja Harito në fjalën e saj ka prezantuar edhe Platformën Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve në Internet (www.isigurt.al), në të cilën mund të denoncohen raste të faqeve të internetit me material pornografike me fëmijë, apo llogari dhe faqe që abuzojnë me fëmijët në rrjetet sociale.
Kjo platformë është paraqitur edhe në formën e një aplikacioni telefonik ndihmë të prindërve, mësuesve, profesionistëve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijeve dhe të gjithë komunitetit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi online.