Qyteti fantazmë në Gramsh

22 Shkurt 2016, 20:07Sociale TEMA

Nga Marin Mema

Për ata që nuk e njohin, Grabova, rreth 40 kilometra nga qyteti i Gramshit, është jo thjesht një qytet i dikurshëm, por edhe një vend me mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar turizmin. Historitë për të janë të shumta, por si jetohet sot në këtë qendër të dikurshme, në këtë vend ku jetonin mbi 2.000 familje? Le të shohim, edhe pse momentet e para nuk na japin shenja shumë pozitive.

Edhe pse të dhënat e çojnë edhe më herët, Grabova e themeluar nga popullsi vllehe, historinë e saj më të njohur e nis në shekullin e X. Flitet se dikur, qyteti arriti deri në 12 mijë banorë, duke u kthyer në një qendër të zhvilluar, e cila për nga rëndësia vinte pas Voskopojës. Ishte një kryqëzim i rëndësishëm i rrugëve tregtare, që sillnin pas edhe ndërthurjen e kulturave të ndryshme. Ka kaluar kohë që atëherë dhe Grabova, ku iknin e vinin karvanet, sot duket sikur ngrihet në fund të botës.

Duhet kaluar Grabova e Poshtme, Kurati, për të arritur – pas rreth 2 orësh nga Gramshi – në kufijtë e destinacionit tonë, Grabovës së Sipërme dhe rreth 350 banorëve të saj. E megjithatë ka ende një pengesë të madhe.

Një përrua, në ditë dimri me reshje shiu rrezikon seriozisht të gjitha shtëpitë e fshatit. Banorët janë përpjekur vet të thellojnë e rregullojnë shtratin e tij, me aq sa kanë mundur. Sot, për të kaluar ka vetëm një mënyrë.

“Gjendja këtu është si mos më keq, siç e shihni edhe vet. Rrugët janë për turp, ndërsa ky përrua, që ka dalë disa herë nga shtrati, mund të rrezikojë thuajse gjysmën e fshatit. Përmbytet thuajse gjithmonë”, thotë Loni Nishku.

Gjurmët e kohës mund t’i kërkosh e dallosh ende në Grabovë. Urat e vjetra, që i përkasin periudhave të ndryshme; kisha, që shpesh është bërë prè e vjedhjeve, e shumë monumente të tjera të mbrojtura, të paktën në letër, nga shteti. Pa llogaritur nëntokën, që premton të fshehë thesarë të arkeologjisë. Kjo është edhe Grabova e cetirëve të famshëm, që pikturat ikonografike i lanë kudo, në zona të ndryshme të vendit. E megjithatë, përkundër pjesës romantike e historike, e sotmja është krejt e ndryshme.

“Si sot, vitin që kaloi ky lumë ka ardhur 10 herë në shtëpitë tona. Në të tillë situatë jemi ne”, thotë Pirot Bardhi.

“Sot është shumë pak, nesër mund të vijë me prurje shumë më të mëdha. Thonë që investohet kaq apo aq lekë, faktikisht ne nuk shohim as edhe një gjë, as urë, as ujësjellës, asgjë prej gjëje”, tha Llazi Budo.

“Përrenjtë e lumenjtë e përmbytën tërësisht sipërfaqen këtu si dhe rrugën automobilistike. Kështu që është tepër e vështirë jetesa këtu”, thotë Sotiraq Buzo.

Banorët e Grabovës, më së shumti mbahen me blegtori, por edhe kjo u garanton shumë pak të ardhura, thuajse të papërfillshme.

“Blegtoria këtu nuk nxjerr asgjë. Një dele këtu do një kuintal misër në vit. Ajo as kokën e saj nuk lan, vetëm sa shtyhemi, vijmë vërdallë”, thotë Llazi Bardhi.

“Asnjë të ardhur, vetëm qumështin kemi nja dy-tre muaj që e nxjerrim te një baxho që ka hapur një bashkëfshatari ynë, edhe shqerrat që i shesim, kaq. Çfarë mjaftueshëm, sa për bukën e gojës. Për ndonjë kapital, apo ndonjë gjë kështu, harroje”, thotë Josif Bardhi.

Të rinjtë ikin e vijnë nga emigracioni. Edhe ata që kanë investuar në fshat janë zhgënjyer. Natyra ka bërë pjesën e saj, por për të zhvilluar turizmin do të duheshin edhe investimet, e këtu në Grabovë të Sipërme, ato nuk janë dukur.

“Po të hyni te shkolla që ta shohim, situata edhe më keq. Brenda ajo nuk është shkollë. Ne, që i çojmë fëmijët atje, e dimë se ç’heqim”, tha Jani Buzo.

“Sa për të marrë tagjinë e deleve dhe për të ngrënë bukë. Asnjë gjë tjetër”, thotë Stavri Bardhi.

“S’kemi rrugë që të vijmë në shtëpi, të çojmë tagjinë dhe çdo gjë tjetër. Tani unë do iki të marr familjen në Kurat, në një fshat tjetër, se ngelën ngaqë s’ka rrugë”, thotë Mihal Nishku.

Në prag të mbrëmjes, në Grabovë gjërat bëhen edhe më të vështira. Fshati shuhet, e kjo – siç thonë banorët, – ndodh shpesh e më shpesh.

“Turistët duan xhade, duan të shikojnë ndonjë gjë. A e shikon sesi është shkatërruar fshati. Na kanë lënë si në mesjetë”, thotë Nisi Paco.

“Mos themi 4 javë të muajit, 3 javë jemi pa drita ose me shkëputje një ose dyorëshe, një javë mund të jemi me drita normale. Kjo është situata këtu”.

“Vijnë njerëzit bëjnë sikur punojnë edhe kërcasin e ikin. Tani ta dimë, o të vërë dorë njeri, ose të shpërngulemi nga ky fshat, të ikim fare”, thotë Misto Nishku, kryeplak.

Përmirësimi i motit në kthim mundëson një kalim më të lehtë përtej përroit. Edhe këtë herë, banorët shpëtuan nga vërshimi i tij drejt shtëpive. Kjo, deri në rrebeshin e radhës, kur do të duhet t’iu nënshtrohen sërish vullnetit të natyrës.

Edhe pse tashmë ka humbur në errësirë, Grabova e Sipërme është ende aty. Me historinë e madhe të së shkuarës dhe të sotmen, që e ka braktisur plotësisht.

Top Channel

10 komente në “Qyteti fantazmë në Gramsh”

  1. tfgs1 says:

    mjaft me,me foto nga Afghanistani…………….

  2. loni says:

    liri demokraci,kete nuk kerkuam,kjo eshte sistemi i sotshem,mos u qani,keni te drejten te flisni dhe te demostroni,dhe te dyja keto te drejta mund edhe ti hani dhe te mbushni barkun me fjalen e lire dhe me protesta te lejueshme nga sistemi,keni dhe lirine si njerez jo si ne komunizem haaa qe nuk guxoje te flisje,ja tani fole dhe u ankove dhe cdo gje do rregullohet sa hap e mbyll syte,do beheni me mire se calgary canada ok djema.ne komunizem nuk ishe i liri,kurse tani je i liri,dhe me kete sistem qe ne kerkuam fituam lirine,dhe si konkluzjon doli, MBATHJA NGA LIRIA

    HAAAAAAAAAAAAAAA

  3. ai vend iliro pellazg , fsheh nji histori – perrle ,qe do te djeg shume bythe ,si ajo e tgf……..qe i quan historite iliro-pellazge ne greqi…….greke !

  4. Arben Pepollari says:

    Le ta marrim seriozisht: shtete te tjera keto pamje I Kane mese te zakoneshme.There is one way to go to Grabova:AIR …..Who knows this place to reply me please…..

    1. stefan says:

      Ka menyra me 4×4, Grabova ka histori, mjafton te lexosh histori ose te shkosh ta vizitosh vete.

    2. luli says:

      po isha veren e kaluar ne grabov gjendja ishte skandaloze ,por kan nje histori te pa shkruar dhe te vjen keq,po permend 1 fakt enrgjia elektrike perher te par eshte prodhuar atje etj,,,,,

  5. ZHELEFINA says:

    KEMI LENE PA THENE EDHE DICKA : JO CDO GJE , DUHET PRITUR TE BEHET NGA SHTETI . SHUME E SHUME GJERA TE M IRA QE SHOHIM
    NE FSHATRA E QYTETE , JANE BERE NGA VETE BANORET . NDIHMA NGA ZOTI DHE NGA SHTETI , MUND TE SHPRESOHET PER GJERA TE MEDHA . SKECI I ESTRADES SE FJERIT DIKUR, ( Fshatari dhe dhija), KU LUANTE FUAT BOCI ,ROLIN E NJE DEMBELI TIPIK , MBETET AKOMA AKTUAL , QE TE BEN TE QESHESH DHE TE QASH . PO I HARROJME DISA AMANETE TE TE PAREVE TANE , KUR BABAI MESONTE TE BIRIN , QE KUR TE KISHTE NDONJE HALL DHE NUK KISHTE NJERI PRANE , T’I THERRISTE NEVOJES” …, APO “I ZOTI E NXIERR GOMARIN NGA BALTA ” .
    SHUME HERE KEMI PARE SKENA PERMBYTJESH APO FATKEQESI TE NDRYSHME NATYRORE , NEPER VENDE TE EUROPES,APO GJETKE , POR KEMI PARE EDHE VARG NJEREZISH ME THASE RERE NE KURRIZ , QE NDERTOJNE PRITA , APO PASTROJNE AMBIENTET E PERBASHKETA NGA MBETJET . TEK NE , NUK EKZISON KJO LLOJ KULTURE .

  6. petraq says:

    ka mbetur dhe ndonje gjytyrym qe beson akoma se kopeja mund te kullosi pa bari.po shqiperine e shkaterruan me teper se te ishte bere nje luft.dhe tani qe u gjend nje qeveri rama meta qe punon per popullin ata qe e quajne vehten opoziye nuk e lene qeverine te punoje por vazhdojne te shkaterrojne.populli duhet ti veri gishtin kokes te bashkohet rreth qeverise e te demaskoje karagjoza si blushi me shoke dhe armiq te betuar si qofte largu.

  7. arian says:

    Ti o marin na je bo si profesor.hypi makines,gjej brima e ankohu.vetem kritika,fshati nuk e prish shteti por vet njerzit ,qe nuk rregullojn nje mur avllie a nje cope rruge para deres se shtepise.nuk te degjojm njehere te thuash se ca duhet te bejn te paret ata fshataret e pastaj shteti.

  8. Valamaja says:

    Disa comentus thone liria solli graboven ne kte gjendje, eshte e padrejte ,ata emigrante qe e fituan kete vend Kane histori te vertet se nga jane dhe pse jane vendosur aty, ate fat qe kane pasur ne ate kohe qe jane vendosur aty, ka te beje me ate qe I thone LIRI, tani kohet ndryshojne, une I njoh mire ata, ai vend ka vlera turistike manhitese ama seshte e thene qe po ata njerez ta dominojne ate zone dhe te jene zoter te atij vendi, banor po…keshtu qe ne qoftese do linde ideja per te investuar aty ,te tjere njerez do ta kene ne pronesi( paraja) dhe Grabovaret duhet ta dine mire se ne LIRI paraja eshte mjeti zoterues, nuk eshte pisha rrobull , kadja, bucela ose Enver Hoxha qe sillte te gjithe thente e shqiperise per te prodhuar djathe kackavalle per miqte e tij Francese dhe ju jetonit per se mbari ato vite, dhe benit vere pa pasur rrush, dhe e pelqenit komunizmin, se per ta vetetuar eshte kur Tirana interrnonte ndonje lider qe si pelqente e dinte se ku mund ta educonte , dhe sa mire I mbanit, dhe kur ne gjithe vendin kishat u shkaterruan e juaja restaurohesh,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje