Në një prononcim për mediat, Lulzim Basha tha dje se jemi si në vitin e trazuar ’97, por pa plumba.
Gazeta Dita shkruan sot se vërtet Basha nuk i mban mend plumbat e atij viti, pasi ishte në Holandë, por mban mend tufat me para të përfituara nga vjehrri i tij, farefis me Vehbi Alimuçën.
“Djaloshi me studime në Holandë, vitin 1997 mund ta ketë parë në televizor. Ajo që ai ka vjelur nga ‘97-ta, nuk janë as sulmet dhe dhuna qeveritare ndaj protestuesve në mitingjet e para, as ndërsimi i ndyrë i “veriorëve kundër jugorëve”, as urdhrat e paligjshëm dhe gjenocidalë të Berishës, as hapjet e përllogaritura të depove të armëve, as vrasjet dhe plumbat e bandave… të gjitha këto, në një kohë kur në Kosovë po grumbulloheshin re gjithnjë e më të zeza për shqiptarët. Maksimumi i gjurmëve nga ky vit në memorien e Lulzim Bashës, mund të jenë paratë e përfituara nga vjehrria e tij, farefis i Vehbi Alimuçajt të VEFA-s dhe menaxherë të kompanisë.
Pra si pakkush shqiptar, Basha ka peshqesh nga ai vit vetëm bereqetin që me siguri e ka ndihmuar, krahas punëve të tij si kamarier, deejay etj, të mbërrijë deri këtu.
Por mund të ketë edhe një arsye tjetër, pse Basha kërkon “të ndezë” diskursin politik e publik me vitin ‘97, (duke bërë që edhe ne ‘të biem’ në këtë grackë). Holandezit të PD-së, por më shumë se atij, vetë Berishës, përgjigjet e komisionit të Venecias ja mbaruan argumentet për zvarritjen e reformës në drejtësi.
Fjala vjen, përgjigja për kërkesën e 2/3 të votave në Kuvend për zgjedhjen e hierarkëve të gjyqësorit, sipas Komisionit të Venecias është: “Kjo kërkesë me arsyetimin e moskapjes së gjyqësorit nga politika (e besoni ose jo, këtë merak ka PD), do të prodhojë ngërç të pazgjidhshëm”.
Kapja pas grepit të dekriminalizimit është e vetmja mënyrë për të shtyrë reformën në drejtësi; mundësisht duke hapur debate të tjera dhe kushtëzuar punimet normale parlamentare, por në rast nevoje, edhe përmes bojkotit total. Mjaft që situata të jetë e ndezur, mjaft që zhurma të prodhojë më tepër zhurmë.
Kështu, edhe pse ‘97-ta në kujtimet e Bashës mund të vijë si tufa parash dhe jo si plumba, ai sërish nuk ngurron t’i ngjajë ustait të vet në një përkim të çuditshëm, por jo dhe aq, sa herë vjen puna për të shpikur ngërçe dhe kriza: Gjithmonë kur ka trazime në Prishtinë, dikush kujdeset që t’i kultivojë edhe në Tiranë”, shkruan Dita.
…..e shtyn edhe luli me kercenime…c’te bej te votoj reformen per ti thene burgut hapur..?..Me hir apo pahir aty do te shkoje..