Erdogan po sillet si një rrugaç që kërkon bela me çdokënd

8 Prill 2016, 09:40Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Rexhep Taip Erdoani është një burrë prej Turqie të cilit shpejt i prishet hatri. E kur i prishet hatri atij, atëherë duhet të dridhet toka. Për shembull Rexhës dhe Taipit të Turqisë i prishet hatri kur një gazetar e kritikon politikën e tij, kur një gazetë zbulon se pushteti i tij – qe besa – ka lejuar luftëtarët e milicisë terroriste “Shteti Islamik” ta shfrytëzojnë Turqinë si prapavijë të sigurt për të depërtuar në Siri, por më së shumti presidentit të Turqisë i acarohen nervat kur mediumet zbulojnë se shërbimi sekret turk e ka furnizuar me armë “ISIS-in” e shefit të “kalifatit” Abu Bakr al-Bagdadi.

Gazeta “Cumhuriyet” ka bërë një zbulim të tillë dhe kjo pati pasoja të rënda për kryeredaktorin dhe korrespondentin nga Ankaraja: të dy kanë përfunduar në paraburgim, ndërkohë që pasi janë liruar këto ditë ka filluar procesi gjyqësor kundër tyre. Këta gazetarë nuk janë të vetmit që janë gjendur në shënjestër të autoriteteve turke. Republika e Turqisë është shndërruar në ferr për lirinë e shtypit. Kush raporton për korrupsion, keqpërdorime, krime, vjedhje, plaçkitje nga ana e regjimit të Erdoanit – ai rrezikon të përfundojë në qeli dhe të durojë kërcënimet e presidentit turk nga pallati i tij i ri me njëmijë dhoma.

Erdoan duket se ndihet mjaft i fuqishëm për të atakuar edhe mediumet perëndimore. Para pak ditësh korrespondenti i revistës gjermane «Der Spiegel» u largua nga Turqia pasi autoritetet nuk ia vazhduan akreditimin. Gazetari kishte shkruar disa tekste kritike kundër pushtetit të Erdoanit dhe mori shumë kërcënime, mes tjerash edhe mesazhe si ky: «Nëse të shohim në rrugë, do të presim në fyt». Erdoan është zemëruar edhe me një këngë humoristike të një kanali televiziv gjerman. Ministria e Jashtme e Turqisë menjëherë pas emetimit të këngës ka ftuar në bisedë ambasadorin gjerman, i cili i ka shpjeguar palës turke se liria e shprehjes dhe liria e mediumeve në Gjermani është e garantuar me ligj.

Kanali televiziv gjerman është kundërpërgjigjur me satirë therëse duke e shpallur Erdoanin «punëtor të muajit».
Por Erdoan nuk ndalet. Javën që shkoi ai vizitoi Washingtonin, ku mori pjesë në një konferencë për çështje atomike. Në kryeqytetin amerikan truprojat e Erdoanit u përpoqën të merrnin ligjin në duar: ata sulmuan dhe tentuan ta largojnë një gazetar nga salla e institutit politik Brookings, ku Erdoan mbajti një fjalim. Gazetari ishte i afërt me teologun Fethullah Gülen, një ish-bashkëpunëtor i Erdoanit dhe tani kundërshtar i tij i ashpër. Gülen jeton në SHBA. Truprojat e Erdoanit po ashtu u përplasën me demonstrues kurdë në Amerikë.

Qeveria amerikane (ashtu si ajo gjermane) është e brengosur me shndërrimin e Erdoanit në autokrat të pamëshirshëm. Këtë Washingtoni po përpiqet t’ia bëjë me dije Erdoanit. Presidenti turk kishte kërkuar që Barack Obama ta shoqëronte në hapjen e një xhamie në Maryland. Por Shtëpia e Bardhë theksoi se Obama kishte obligime të tjera. Kjo është një shuplakë për Erdoanin. Por ai zor se do të bëhet merak për këtë. Shtetet perëndimore po ngurrojnë të marrin masa të ashpra kundër tij për shkak se janë të varura nga bashkëpunimi i Turqisë në zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Turqia ka pranuar 2,5 milionë sirianë dhe që nga shpërthimi i konfliktit në Siri më 2011 ka bërë shumë pak për të penguar valën e refugjatëve drejt Evropës Perëndimore. Së fundi Qeveria e Ankarasë ka lidhur një marrëveshje me Bashkimin Evropian, në të cilën pala turke obligohet të pranojë kthimin e refugjatëve nga Greqia – me kusht që BE për çdo sirian të kthyer në Turqi të pranojë një sirian të strehuar në Turqi.

Nëse Evropa e zemëron Erdoanin me kërkesa aq të tmerrshme siç janë respektimi i të drejtave të njeriut dhe garantimi i lirisë së shtypit, atëherë presidenti turk mund të tërhiqet nga marrëveshja dhe të vërshojë Evropën, përmes Ballkanit, me valë të reja të refugjatëve. «Ne në çdo çast mund t’i hapim portat drejt Greqisë dhe Bullgarisë dhe t’i fusim refugjatët në autobusë». Kështu iu kërcënua Erdoani shefit të Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, gjatë një takimi nëntorin e kaluar.

Erdoan ka merita të mëdha për zhvillimin e Turqisë, por sa më shumë ka zgjatur qëndrimi i tij në pushtet, aq më autoritar është bërë. Dikur ai ishte një besimtar i devotshëm (ose së paku e luante mirë këtë rol), ndërsa tani ai është një islamik agresiv që synon ringjalljen e Perandorisë Osmane, duke hedhur shikimin si në drejtim të botës arabe ashtu dhe nga trevat ballkanike të banuara me myslimanë.

«Demokracia është vetëm tren në të cilin ngjitemi derisa të arrijmë në cak». Kështu kishte thënë Erdoan dikur. Cili është caku? Një kalifat islamik? Suspendimi i demokracisë? Shtypja e mendimit të lirë? Shkelja e të drejtave të njeriut? Dominimi i burrave? Tallja me gra? (Erdoan së fundi tha se rolin e gruas e sheh në radhë të parë si nënë). Rolin e dhëndrit po ashtu e ka të qartë Erdoani: dhëndri i tij së fundi është emëruar ministër, ndërsa ish-shoferi i Erdoanit ka zënë vend në parlament. Ky është nepotizmi postosman, i cili më gjerësisht përshkruhet në numrin më të ri të revistës gjermane «Der Spiegel».

Si të gjithë autokratët, edhe Erdoan jeton në një botë lajkatarësh e çanaklëpirësish. Së fundi, siç shkruan «Der Spiegel», një politikan i ri i partisë së Erdoanit AKP publikoi në Twitter një fotografi të një gote të ujit. Këtë fotografi ai e shoqëroi me këto fjalë: «Kjo është gota prej së cilës piu ujë presidenti ynë, ndërsa po mbante fjalim». Ky është humor i pavullnetshëm.

Ndërkaq, humor i vullnetshëm është ky që hodhi në eter emisioni humoristik «heute-show» i ZDF, kanalit të dytë të televizionit publik gjerman: pasi e thirri ambasadorin gjerman për të protestuar kundër satirës së një kanali televiziv gjerman, Erdoani tani e ka ftuar edhe hënën e plotë në bisedë informative që të protestojë «për shkak të njollosjes së flamurit turk». Hëna në flamurin turk është e shenjtë, por nuk është e plotë!

Koha Ditore

4 komente në “Erdogan po sillet si një rrugaç që kërkon bela me çdokënd”

  1. Anamaria Monti says:

    Ky hartimi robellian i ketij evropianistit islamofob dhe armikut te bashkimit Shqiperi-Kosove, ngjan se tepermi me letren e hapur qe nje fare Qemal Nisllaj i dergon deputetit socialist Koco Kokedhima.

  2. Akili says:

    Erdoani ne Turqi sot eshte perfaqesuesi me i rrezikshem i Islamizmit Politik ne boten Islamike. Aksioni i tij si radikal islamik u godit nga gjeneralet e Turqise ne mbrojtje te sekularizmit dhe laicitetit te Republikes Turke. Me riardhjen ne pushtet me te njejten perti ekstremiste por me emer tjeter, Erdogan kaleroi Demokracine per te betonuar themelet e pushtetit te tij e per te filluar me pas nje gjueti shtrigash ndaj kundershtareve dhe planeve te tij me goditjet ndaj ushtarakeve,gjykatesve dhe medias. Eshte pikerisht Erdogan qe mbeshtet grupimet si Vllazeria Muslimane dhe Al-Nusra qe kane vetem nje qellim,marjen e pushtetit permes zgjedhjeve e me pas instalimin e shtetit Islamik. Themelimi i shteteve tipike Islamike alla Iran ne Egjipt,Algjeri opo ne Turqi sic po ndodh eshte nje rrezik eminent per Perendimin dhe Ballkanin ne vecanti. Evropa ne vend qe ti paguaje miliarda ketij fondamentalisti te kamufluar sic ne te vertete Erdoan do te bente mire ti mbyllte portat dhe ti thyente turinjte pepara se te ndodhte me e keqja. Islamizmi Politik nga Azija e Vogel deri ne Pakistan ka vetem nje qellim nenshtrimin e Evropes dhe kthimin e bazilikes se Shen Pjetrit ne Rome ne Xhamine e Madhe te triumfit Islamik. Zoti na ruajte….

    1. Anamaria Monti says:

      Trakt i lezetshëm, qirje Akil, ja ke çuar në vënd zemrën Hirrësisë së tij Janullatos!
      Veçse tërë kjo retorikë fondamentaliste ortodokse, nuk mundet ta fshijë historinë dhe as të kamuflojë realitetet që i di çdokush në Ballkan dhe në Evropë.

      Që me ardhjen e Qemal Ataturkut në fuqi Turqia, pasi u dha dërmën dhe shpartalloi ushtritë pushtuese greke &Co dhe çliroi vëndin, pasi shëmbi sulltanatin si sistem drejtues politik, i lau duart me Islamin politik dhe xhamitë dhe klerikët e tyre e humbën parajsën e sundimit. Turqia e ndau fenë nga shteti dhe u kthye në një vënd realisht laik, sheriatin e çoi në muze dhe ndërtoi gjykatat civile, zëvëndësoi alfabetin e vjetër turk me atë latin dhe hyri në rrugën e civilizimit dhe demokracisë.
      Këtë realitet gati një shekullor, nuk ka Erdogan e Babaxhan ta ndryshojë apo ta tjetërsojë.
      Egzistenca ne partive me emërtime fetare/islamike në spektrin politik të Turqisë nuk e cënon karakterik laik të Shtetit Turk, ashtu sikurse egzistenca e partive kristiane/demokristiane në Evropë nuk e ka cënuar karakterin e vërtetë laik të shteteve përkatëse dhe ndërkaq, eliminimi i rolit dhe fuqisë absolute/përmbysëse të ushtrisë dhe gjeneralëve të saj, në jetën politike civile e demokratike të vëndit, jo vetëm tregoi se laiciteti i shetit dhe shoqërisë turke ishte tashme i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm, por i dha stabilitet dhe hov zhvillimeve demokratike dhe ekonomike të Turqisë, duke e kthuer atë në një superfuqi ekonomike, politike dhe ushtarake rajonale dhe me gjërë, me një peshë gjeostrategjike të konsiderueshme dhe faktor balancues midis Perëndimit dhe Lindjes së Mesme.
      Çjerrjet e tua shpifarake dhe alarmet e tua të rreme për rrezikun e pushtimit të Bazilikës e Shen Pjetrit dhe kthimin e saj në xhami, do bënin për të qeshur edhe një çilimi dhe vetëm tregojnë tmerrin e stamposur në ADN-në greke nga fuqia e shtetit turk, i cili njëherazi, është edhe një faktor i rëndësishëm frenues kundrejt planeve greke të greqizimit të ortodoksive jo greke fqinje dhe realizimit të ëndrrave dhe planeve shoviniste e fashiste të Megali-Idheas, siç është edhe rasti i Vorio Epirit.

      Kaq për Turqinë.

      Tani le të shohim se si qëndron realiteti me Shtetin dhe Kishën Greke, me fuqinë e jashtzakonëshme të Kishës greke në punët, vendimet, strategjitë, politikën dhe luftrat dhe aleancat e shtetit dhe shoqërisë civile greke.
      Pa asnjë precedent evropian, për çda analist e studjues serioz dhe të paannshëm, Greqia është de fakto dhe de jure, që nga pavarësia e saj nga Perandoria Turke, një shtet fetar dhe jo laik. Kisha greke predominon kudo dhe për çdo gjë, ka fjalën e parë dhe të fundit, i ka duart dhe ndërgjejgjen të lyer me gjak, me helm dhe me mut, në cdo dukuri të vëndit, udhëheq jo vetëm shtetin, por edhe shoqërinë civile greke në axhendat nacionaliste e shoviniste, në një panortodoksi reaksionare dhe fondamentaliste që përbën një rrezik real për paqen dhe stabilitetin ballkanik, sidomos kur bashkrendohet me kishat ortodokse shoviniste sërbo-maqedonase në politikat e tyre antishqiptare.

      Qirje Akillis, e di atë fjalën e urtë popullore?

      Kësaj i thonë: Nuk na lënë zilet e botës, të dëgjojmë këmbanat tona!
      Shko gremisu, more i paudhë, shpirt zi e katran, më të zi se veladonët e priftërinjëve të nxirë të kishave dhe manastireve fondamentaliste greke!

  3. Erdogan says:

    O “” Gazetar “”, po i vjen fundi si hipokrizis suaj ashtu dhe injorances tuaj.
    Shum sisteme kan rene dhe zevendesuar nga te tjere , keshtu do te ndodhi perseri.
    Hidhu perpjet gjith diten ti me PADRONET dhe regjizoret e tu , pak rendesi ka …
    Nuk keni azgje ne dore..
    do te ushqeheni edhe per pak kohe me mashtrimet dhe injorancen tuaj , por po FILLON fundi i genjeshtres dhe hipokrizis.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje