Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj votoi sot për referendumin e Partisë Socialiste në njësinë nr.2. Pas votimit Veliaj u bëri apel socialistëve të bëhen pjesë e procesit ndërsa vlerësoi referendumin si mjetin më demokratik.
Një parti që është demokratike brenda vetes është demokratike dhe kur qeveris vendin ndaj dhe dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe jetojnë në qytetin e Tiranës, të vijnë, kanë dhe 6-7 orë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë se si shkon përpara Partia Socialiste dhe automatikisht si partia më e madhe në Shqipëri, si shkon përpara Shqipëria dhe vendi”, tha Veliaj.
Ai pohoi se referendumi është një mundësi për të konfirmuar mandatin e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste ndërsa kujtoi se Rama e ka çuar Partinë Sociaiste në dy fitore të njëpasnjëshme. Sa u përket kritikave, Veliaj tha se përgjigja më e mirë për ta është puna.
“Unë e di që ka pasur shumë debat rreth këtij procesi dhe besoj që e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur këtij procesi është puna. Kjo është në bashki, kjo vlen në qeveri, kjo vlen edhe në parti. Kjo do të thotë që me punën që është bërë në PS, me këtë hapje, me një anëtarësi të shtuar, besoj se u kemi dhënë një përgjigje të mirë kritikave dhe është e vetmja parti që përkthen në garë çdo përpjekje për të diskutuar brenda vetes dhe për të zbuluar se si e mendon shumica”, deklaroi ai.