Sipas një raporti të gjermanes BILD, kapiteni i Borussia Dortmund ka nënshkruar një kontratë me rivalët e FC Bayern. Pritet konfirmimi përfundimtar, megjithëse e përditshmja gjermane shprehet tepër e sigurt. Hummels do të përfitojë rreth 10 milionë euro në sezon plus bonuse. Mbrojtësi 27 vjeçar do të kthehej kështu në një nga lojtarët më të paguar të ekipit bavarez. Kontrata thuhet të ketë një kohëzgjatje katërvjeçare dhe Dortmund-it pritet t’i kalojnë 30 milionë euro, raporton Telesport.
Por nëse gjermani vendos të qëndrojë te “Verdhë e Zinjtë”, sipas informacioneve të BILD, klubi do të bënte një sforco të madhe duke i ofruar afërsisht të njëjtën shumë parash, por duhet të hiqte dorë nga bonuset. Vetë Hummels po i mban gjallë këto spekulime duke u shprehur se ka në mendje të largohet nga Borussia. Përveç FC Bayern janë edhe Barcelona, United dhe Chelsea të interesuar për kampionin e botës.