U transferua verën e shkuar nga Lazio në Seria A, për te FC Nantes në Ligue 1, për të qenë një nga tre lojtarët më të paguar në ekipin e “kanarinave”, me gjasat thuajse inekzistente për të zhgënjyer, pasi vinte si një blerje e testuar suksesshëm në kampionatin francez. Sot është objekti më i madh i talljes nga tifozët e Nantes dhe një ndër më të ironizuarit në Ligue 1 të Francës. Fatkeqësisht, kjo është situata reale rreth kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, performanca e dobët sezonale e të cilit është bërë shkak që qendërmbrojtësi të vihet në shënjestrën e tifozëve dhe mediave franceze, duke u konsideruar zhgënjimin më të madh të sezonit te Nantes.
Portali “20minutes.fr”, pasi ka analizuar në detaje statistikat dhe performancën sezonale të Canës te FC Nantes, ka konkluduar në një raport të frikshëm, që nxjerr në pah nivelin e dobët të futbollistit shqiptar. Cana rezulton të jetë futbollisti i Nantes që ka bërë më shumë gabime, të cilat kanë rezultuar më pas të ndëshkuara me gol në dëm të ekipit të kanarinave, plot 11.24% të golave të pësuar nga ekipi i Nantes. Sipas vlerësimit të bërë, arsyeja kryesore për këtë paraqitje të dobët të qendërmbrojtësit është ngadalësia e theksuar e tij, që shoqërohet me formën fizike problematike që e ka përndjekur gjatë të gjithë sezonit. Gjithashtu, shifrat nuk flasin në favor të kapitenit kuqezi, pasi në 20 ndeshje të luajtura në Ligën 1, Nantes ka humbur 11 prej tyre dhe ka fituar vetëm 5. Për më tepër, me Canën në qendër të mbrojtjes, Nantes ka pësuar 28 gola në 20 ndeshje, kurse pa të vetëm 9 në 14 ndeshje.
Një tjetër arsye e rendimentit të dobët të Canës konsiderohet partneriteti i munguar me mbrojtësin tjetër, venezuelianin Osvaldo Vizkarrondo. Gjithashtu, pakënaqësia e tifozëve të Nantës ka qenë e madhe, duke e akuzuar Canën se e ka përdorur Nantesin vetëm për të ruajtur formën fizike para Euro 2016, por ndërkohë një ndër shokët e skuadrës e mbron: “Ne nuk e kuptojmë pse tifozët janë të zemëruar me të. Cana luan një rol të rëndësishëm në dhomat e zhveshjes me eksperiencën e tij, sepse shumica e lojtarëve janë të rinj në moshë”./Telesport
Eshte problem mendoj kembengulja qe te jete ne kombetare ne rol kyc.Per mua performanca e tij ka qene e dobet, me gabime trashanike per profesioniste.
Nqs analizojme shumicen e golave qe ka pesuar kombetarja shqiptare jane per gabime ose per pasime te gabuara te kapitenit …keshtu nuk ngelet tjeter qe ti japim te drejt gazetes francese. Si futbollist eshte i dobet ,dhe kjo shihet ne fushe .