Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore: Ja si na penguan të dëgjojmë projektin e stadiumit

29 Prill 2016, 19:44Sociale TEMA
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore: Ja si na penguan

Këshilli Kombëtar i Territorit kishte njoftuar sot një seancë dëgjimore për prezantimin e projektit të shumëdebatuar të kompleksit të ri të stadiumit kombëtar. Prezantimi ishte zgjedhur që të zhvillohej në një hotel privat dhe me transmetim televiziv live të diskutimit, me qëllim hedhjen më shumë dritë mbi këtë projekt të rëndësishëm dhe të padiskutuar deri me sot me grupet e interesit dhe qytetarët.

Kryetari i Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore (FMTK) Gjergj Bojaxhiu, aktivistë të shoqërisë civile si dhe gazetarë të njohur në vend, ishin të pranishëm në orarin e nisjes së aktivitetit me qëllim pjesëmarrjen në prezantim. Çuditërisht, pak para nisjes së aktivitetit, rojet private të hotelit nisën të përdorin forcën fizike për të penguar hyrjen e aktivistëve në katin e tretë të hotelit, ku zhvillohej edhe takimi. Forca e muskujve nuk kurseu as gazetarin e njohur Ylli Rakipi, i cili rezultonte i ftuar zyrtarisht nga ministria e Zhvillimit Urban në këtë mbledhje, pasi sipas rojeve private, duhej të merrej leja nga pronari i hotelit ?! Për fatin e keq, Garda e Republikës dhe përfaqësues të institucionet e tjera publike që organizonin mbledhjen, qëndruan spektatorë të këtij dhunimi, i cili ndodhte përpara dhjetëra kamerave televizive. Partneriteti publik-privat apo të famshmet PPP, funksionuan në perfeksion edhe këtë herë për të mbyllur gojën e shoqërisë civile dhe aktivistëve publikë. Mesa duket, edhe transparenca e qeverisë është dhënë me koncension tek privatët ashtu si shumë shërbime të tjera publike.

Mbledhja e KKT u transmetua live me regji qendrore për publikun, por duke i hequr të drejtën çdokujt që mendon ndryshe nga kryeministri që të ngrinte shqetësimet apo ofronte edhe sugjerimet përkatëse. Ky model dëgjese publike, i denjë vetëm për Korenë e Veriut, nuk plotëson as standartet minimale të transparencës mbi një vendim që do të ndikojë në kompleksin më të rëndësishëm arkitekturor dhe urban të kryeqytetit. Arroganca publik-privat, e cila u shfaq sot në qendër të Tiranës, nën syrin e dhjetra kamerave televizive, është një ogur i keq për vendimet e mëtejshme me interes publik.

FMTK i kërkon Këshillit të Ministrave dhe institucioneve të linjës organizimin e dëgjesave të vërteta publike mbi projektin e stadiumit të ri kombëtar. Pasi të hidhet dritë mbi detajet e mëtejshme të këtij vendimi, do të mund të ofrohen zyrtarisht edhe vërejtjet dhe sugjerime përkatëse profesionale. FMKT dhe aktivistët civilë dëshirojnë që ekipi kombëtar dhe klubet e tjera vendase të futbollit të luajnë në një kryeqytet evropian me një stadium modern, dhe jo në një stadium të ri që dëmton qytetin

2 komente në “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore: Ja si na penguan të dëgjojmë projektin e stadiumit”

  1. aqif tahipi says:

    Po pse morr bdall ,ku je aty ti tek klubi i lagjes qe te vesh lloto qe ti marresh gjithe cunat me vete ?? Ky incident sqarohet fort lehte duke na thene se sa prej grupit tuaj kishit ftese zyrtare?? Meqe ne aktivitet te pranishmit ishin me ftese .Mos e perdorni shpesh termin idiot ,regji rqendrore se kujtojme edhe ne se jeni idiote pasi cdo lloj regjie ,ne cdo vend te botes ,ne cdo lloj produksioni artistik ose informativ eshe qendrore .Hallall per teknikat e brain washing qe po perdorni ju neoliberalet me gjergjin ne krye.

  2. Poplli says:

    Edvinrama po ja bon vetes, tha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje