Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka qenë i pranishëm gjatë homazheve për dëshmorët e atdheut të rënë në krye të detyrës.
Pas nderimit të policëve të rënë, Tahiri ka folur për çështjen e arrestimit dhe kërkesën për ekstradim të Arben Frrokut në Holandë, duke theksuar se Policia e Shtetit ka bërë detyrën.
“Unë kam kërkuar personalisht një vlerësim të të gjitha veprimeve të Policisë nga partnerët ndërkombëtarë që ditën që është marrë vesh lajmi. Partnerët ndërkombëtarë dhe misionet e ekspertizës në Shqipëri kanë hetuar në mënyrë të pavarur mënyrën si ka vepruar Policia e Shtetit. Dje është bërë raporti.
I është dorëzuar të gjithë partnerëve. Dhe Policia e Shtetit ka bërë gjithçka konform ligjit. Kështu që kaq mund të mjaftojë për këdo që ka ende kuriozitetin nëse Policia e Shtetit vepron sipas ligjit apo jo.
Përtej kësaj, vijoj ta theksoj, më e rëndësishme se gjithçka tjetër është Reforma në Drejtësi. Ka shqiptarë që kanë dhënë jetën për ta bërë këtë vend më të drejtë. Nga ne sot kërkohet që të japim votën, ndaj është themelore që në kujtim të atyre që sakrifikuan jetën dhe mbi të gjitha në respekt të familjeve të dëshmorëve e të gjithë shqiptarëve që sot me të drejtë presin një Shqipëri më të drejtë, ne të mos vonohemi asnjë orë më shumë dhe të votojmë Reformën në Drejtësi”, tha Tahiri.