Veliaj: U përgjigjemi shqetësimeve të qytetarëve, pagesat e taksave kthehen në investime publike

2 Korrik 2016, 12:10Sociale TEMA

Pas vitesh të lëna në degradim, Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë për riparimin e trotuareve të rrugës “Sami Frashëri”, që lidh sheshin “Uillson” me Parkun e Liqenit, të cilat ishin kthyer në shqetësim serioz për banorët e zonës pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Po ashtu, qytetarët që e frekuentojnë Parkun e Liqenit për të vrapuar apo shëtitur, kanë tashmë në dispozicion një rrugë me trotuare tërësisht të reja. Investimi i kryer nga Bashkia e Tiranës, u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, deputeti i PS, Pandeli Majko, dhe drejtues të njësisë administrative numër 5.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi angazhimin e ndërmarrjeve të bashkisë për t’iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve. “Më vjen mirë që kemi zgjidhur një nga shqetësimet më të mëdha të komunitetit. Në aplikacionin “Tirana Ime” kjo rrugë ka qenë një nga rrugët më të denoncuara si problematike. Pas Rrugës së Kosovarëve, hapim dy arteriet kryesore që lidhin Tiranën me pjesën e Digës së Liqenit, e cila sot është bërë jashtëzonisht tërheqëse për shkak edhe të këndit të lojërave për fëmijë”, tha Veliaj. Ai ftoi qytetarët që nën shembullin model të rrugës “Sami Frashëri”, të ndihmojnë ndërmarrjet e bashkisë për të liruar trotuaret ku bashkia të mund të investojë.

“Ky është qyteti i të gjithëve, edhe i njerëzve me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për rampa, edhe i të moshuarve, që kanë vështirësi në lëvizje. Ky është një qytet demokratik, që përshtatet për të gjitha grupmoshat dhe nevojat që ka qyteti. Ndaj dua t’i ftoj qytetarët që ta mirëmbajnë dhe të raportojnë sa herë bllokohen rrugët apo trotuaret”, shtoi ai. Veliaj solli në vëmendje se u rikthye në këtë zonë pas një viti me premtime të mbajtura. “Kthehemi në këtë rrugë fiks një vit nga zgjedhjet, kur u kemi premtuar qytetarëve se do të vazhdojmë me investimet. Më vjen mirë që 1 vit pas zgjedhjeve e mbajmë fjalën. Kjo do të thotë se shumë punë të mira mund të bëhen edhe me mundësitë që kemi, kur qytetarët paguajnë taksat dhe kur ato iu kthehen në të mira materiale dhe në investime”, pohoi ai.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se njësia 5 është shembull me pagesat e çdo takse apo detyrimi ndaj bashkisë dhe bashkia i është përgjigjur me të njëjtin angazhim çdo nevoje që ka kjo zonë për investime. Ai shtoi më tej se një tjetër investim i rëndësishëm në këtë zonë janë edhe katër fushat sportive, të cilat do të jenë kryesisht në shërbim të shkollës “Petro Nini Luarasi”. Por, pas orëve të mësimit, duke qenë se shkolla është pjesë e projektit të shkollave komunitare, do të shërbejnë edhe për banorët e zonës. “Investimet do të vazhdojnë në drejtim të Digës së Liqenit ku jo vetëm do të vazhdojmë me prishjet e ndërtimeve pa leje, por shumë shpejt do të fillojmë me pistën e çiklizmit dhe pistën e vrapit, për t’u siguruar që Tirana, sidomos kjo lagje që është më afër Digës dhe Liqenit, të ketë të gjitha lehtësirat për të pasur një jetë cilësore dhe një jetë që ka në fokus sportin dhe aktivitetet në natyrë”, deklaroi ai.

Ndërsa, deputeti i PS, Pandeli Majko, vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për investimet e bëra në njësinë 5, të cilat u vijnë në ndihmë fillimisht këmbësorëve, por edhe qytetarëve që lëvizin me makina. “Kush ka kaluar tek “Petro Nini” e kupton shumë mirë se çfarë ka ndryshuar dhe po ndryshon. Ka qenë një gjë shumë e rëndësishme për të kuptuar një fakt: këtu jetohet si në perëndim, por ambienti ishte si në Kandahar. Një ndryshim kaq thelbësor që është bërë nga Bashkia e Tiranës nuk ka nevojë për fjalë të tepërta. Mendoj se në vazhdim po bëhet një punë e mirë”, theksoi Majko.

5 komente në “Veliaj: U përgjigjemi shqetësimeve të qytetarëve, pagesat e taksave kthehen në investime publike”

  1. Star Domate says:

    Po pas pallateve Nr. 20 dhe 22, kur do te ndehyni, se eshte me keq se ne Kandahar?

  2. Illyrians says:

    O Veliaj italiani, ça dmth “rampa”??? Pse e gjymton gjuhen shqipo o italiano..!!!

  3. mirel says:

    Pagesat e taksave kthehen ne paga per koncesionaret- dhe per policine private.
    Boll genjyet, qelbesira

  4. liku--Kush me shan per debat nuk ia mban says:

    O xhaxhi Eri ,
    – Ne Janar na e “indeksove” bileten e autobusit. A ka mundesi te nderhysh tek autobuzet urbane qe te ndezin kondicioneret se hyjme te thate ne autobus dhe dalim qull ne djerse. Ne kete kohe te nxehte , me shume se rruget na duhet shendeti .
    Para ca ditesh na thane lajmet se paskan vene ca gjoba per kondicioneret , por realiteti eshte se asnje kompani autobusesh nuk e can koken , I ndezin dhe I fikin kur te duan.

  5. Ana says:

    Meqe u pergjigjeni shqetesimeve z. VELIAJ…. dhe meqe ne paguajme taksat…
    Fati e ka sjelle qe te vizitoj varrezat e Sharres cdo te diel. Si kurre ndonjehere ne keto pothuaj 20 vjet qe shkoj ne ate vend, bari dhe ferrat nuk kane qene aq te dendura. Kam biseduar me administratorin e varrezave, i cili me siguroi qe ne muajin maj se do t’i sperkatnin me nje ilac, i cili pengon rritjen e tyre. Por, fatkeqesisht, qe nga muaji maj, asgje nuk eshte bere edhe pse une e mijera prinder, motra e vellezer, qe kane te dashurit e tyre ne varreza, paguajme me shume devotshmeri taksat.
    Si rrjedhoje, cdo te diel, une paguaj 500 leke te reja djemve qe rrine me sqepar ne dore per te pastruar varret. Kjo, jo se une kam leke te teperta, por se kushdo qe banon ne ate vend, duhet respektuar edhe pse nuk eshte me ne kete jete.

    Pune te mbare (shpresoj)!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje