Portugalia është finalistja e parë në këtë kampionat europian duke mundur në fazën e gjysmëfinaleve kombëtaren e Uellsit.
Finalja e dytë në histori për portugezët, të cilët zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, ndryshe nga takimet e tjera. Ndërsa Uellsi nuk ishte në formën e duhur kjo edhe për shkak të mungesave të rëndësishme që kishte në formacion.
Ekipi i drejtuar nga Fernando Santos fitoi me rezultatin e pastër 2-0, dy gola të cilat u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes.
Kristiano Ronaldo zhbllokoi i pari rezultatin e ndeshjes duke shënuar një gol spektakolar me kokë duke fituar duelin me mbrojtësit e uellsit. Goli i dytë nuk vonoi shumë, që erdhi nga Luis Nani i cili devijoi për në rrjetë topin e gjuajtur nga Ronaldo.
Nga krahu tjetër Uellsi ishte i pafuqishëm për të reaguar duke u larguar nga ky kompeticion me kokën lart duke zhvilluar një edicion fantastik.
Ndërkohë Portugalia do të mësojë nesër se kush do të jetë rivali në finalen e madhe Gjermania apo Franca.