Antonio Konte kërkon Elseid Hysajn te Çelsi

6 Korrik 2016, 10:38Sport TEMA

Elseid Hysaj, në listën e Antonio Kontes. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare konsiderohet si një lojtar i rëndësishëm për teknikun italian që do të nisë të drejtojë Çelsin sezonin e ardhshëm.

Hysaj vlerësohet nga Konte dhe trajneri së bashku me klubin do të bëjnë gjithçka për ta transferuar futbollistin në Londër.

Në një shkrim në revistën angleze “fourfourtwo”, Hysaj renditet ndër 11 futbollistët që Konte dëshiron t’i ketë te Çelsi duke nisur nga sezoni i ardhshëm.

Një transferim i rëndësishëm është mbyllur tashmë për londinezët.

Sulmuesi belg Miçi Batshuaji ishte blerja e Çelsit që shpenzoi 33 milionë paund.

Por, me largimet e Aleksandër Pato, Radamel Falkao dhe Loik Remi, Konte ka mjaft hapësirë për të manovruar në ekip me vendet vakante të krijuara.

Revista angleze rendit 11 lojtarë që Konte synon t’i ketë në ekip.

Në listë është edhe mbrojtësi i Napolit, Hysaj, shkruan Panorama Sport.

“Pas një sezoni shumë të mirë me Napolin në Serinë A, Hysaj ka treguar cilësitë e tij në një kompeticion shumë të rëndësishëm siç është Europiani.

Mbrojtësi i djathtë shqiptar ka impresionuar me paraqitjen e tij në të tri takimet që luajti me përfaqësuesen në Francë. Tregoi qëndrueshmëri në mbrojtje dhe zotëron një kërcim shumë të mirë dhe të saktë. Mosha e tij e re, vetëm 22 vjeç, krijon garanci për të ardhmen”, e përshkruan revista angleze mbrojtësin shqiptar.

Hysaj aktualisht është pjesë e Napolit, në një kohë që menaxheri i tij ka deklaruar në disa raste se lojtari do të rinovojë.

Megjithatë, në rast të një oferte të mirë nga Çelsi, klubi italian mund ta lejojë të ikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje