Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prej të paktën 3 ditësh vijon të bëjë politikën përmes rrjeteve sociale, ndërsa ndodhet në Hollandë.
Megjithëse në drejtim të tij ka pasur një ftesë nga kryeministri Edi Rama për takim, sikundër iu kërkuar dy drejtuesve të forcave politike edhe nga ambasadori amerikan Donald Lu, kreu i opozitës Lulzim Basha prej ditës së premte raportohet se ndodhet në Holandë.
Deklarata e fundit Bashës jashtë rrjeteve sociale, mban datën 13 korrik, ndërsa nga kjo datë dhe në vijim, çdo propozim i tij apo përgjigje ndaj ftesave të bëra qoftë nga ambasadori Lu ashtu edhe nga kreu i Qeverisë, kanë marrë përgjigjen përmes Facebook-ut, raporton Citynews.
Përmes statuseve në Facebook, Basha i ka kthyer përgjigje Ramës mbi ftesën për takim, por edhe ambasadorit të SHBA, për faktin se propozimet e PD-së pas daljes së draftit hibrid, në lidhje me Vettingun nuk pranohen nga BE dhe Shtetet e Bashkuara.
Siç duket, kreu i opozitës, ka zgjedhur të pushojë disa ditë, të cilat konsiderohen si vendimtare në gjetjen ose jo të konsensusit mes palëve politike në mazhorancë dhe opozitë, në lidhje me drejtësinë.
Dikur Partia Demokratike sulmonte Edi Ramën, gjatë kohës që ishte në krye të opozitës, për deklarimet që bënte në Twitter, ndërsa vetë Basha në ironizimet që bënte kundër tij, e cilësonte ciu, ciu.
Tashmë rolet duket se janë ndryshuar, Basha ka zgjedhur që politikën ta bëjë përmes rrjeteve sociale, jo nga Shqipëria, por nga Holanda.