Tashmë nuk ka më dyshime, Paul Pogba do të rikthehet aty ku nisi karrierën disa vite më parë, në radhët e Manchester United për t’u vendosur nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho. Mesfushori francez i Juventusit është shumë pranë firmës me “Djajtë e Kuq” pasi do të kryejë vizitat mjekësore në një klinikë në Los Angeles. Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave, agjenti i tij Mino Raiola dhe klubi britanik duhet të bien dakort edhe për disa detaje, në mënyrë që Pogba të marrë o.k përfundimtar.
Kartoni i mesfushorit do t’i kushtojë klubit të Mourinhos 110 milionë Euro dhe në këtë mënyrë, Pogba do të bëhet lojtari më i shtrenjtë i historisë së futbllit. Në këtë mënyrë, zyrtarizimi i lojtarit te Manchester United është vetëm çështje orësh. Juventusi dhe klubi anglez e gjetën gjuhën e përbashkët mbi bazën e 110 milionë eurove, ndërsa lojtari do të nënshkruajë një kontratë 5 vjeçare me 13 milionë Euro në sezon. Pogba do të ishte goditja e katërt e madhe për Jose Mourinhon te Manchester United pas zyrtarizimit të Ibrahimovic, Bailly e Mkhitaryan. 23-vjeçari u bashkua me skuadrën e të rinjve të Manchester United në vitin 2009 dhe pas dy sezoneve ai u bë pjesë e ekipit të parë ku u aktivizua në tre takime. Ishte Juventusi që arriti ta rrëmbente në vitin 2012 për një shumë simbolike dhe tashmë Pogba rikthehet sërish në tempullin e futbollit britanik për të ndihmuar “Djajtë e Kuq” në rrugën e vështirë të ringritjes./SS