Lufta e Sirisë, doktori rrëfen torturën rrënqethëse në burg: Rojet vinin tek hekurat e qelisë dhe thoshin "Bjeri derës kur të kenë vdekur"

23 Gusht 2016, 09:32Bota TEMA

Një doktor sirian ka rrëfyer se si u torturua dhe detyrua të shohë se si të burgosur të tjerë vdisnin në burgjet e regjimit ndërkohë që një studim zbulon se gati 18.000 të burgosur kanë vdekur gjatë luftës brutale civile.

Amnesty International thotë se mesatarisht 10 veta janë vrarë çdo ditë nga rrahjet, sëmundjet dhe neglizhenca nëpër objekte sekrete të ndalimit të kontrolluara nga forcat e Bashar Asadit gjatë këtyre pesë viteve të fundit.

Të mbijetuarit kanë dhënë dëshmi rrënqethëse rreth përdhunimeve dhe abuzimeve në qeli të mbipopulluara ku të burgosurit liheshin të asfiksoheshin ose binin pre e sëmundjeve dhe urisë.

Bashar Farahat, një doktor 32 vjeçar, po punonte në nje spital në provincën e Latakias kur ai u arrestua nga oficerët e Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake siriane në korrik 2012.

“Minutën që ti futesh në makinë zhdukesh,” tregoi ai për The Independent. “Ti nuk di asgjë por botën e jashtme dhe bota e jashtme s’di më asgjë për ty. Kur ti ndalohesh bëhesh pronë e gardianëve dhe hetuesit mund të bëjnë çdo gjë që të arrijnë një pohim të krimit.”

Z. Farahat beson se u spiunua tek autoritetet për mbështetjen e protestave anti-qeveritare dhe për mjekimin e të plagosurve gjatë raprezaljes qeveritare.

Ai ishte nje pediatër në trajnim kur u çua tek godina qendrore e degës së Inteligjencës Ushtarake në Latakia dhe aty ra pre a asaj që quhet “festa e mirëseardhjes”, ku të porsaardhurit rrihen publikisht nga grupe oficerësh me shufra hekuri e kabuj elektrike.

“Ata më goditën me çka deshën e me çka kishin – unë mbërrita vetëm, kështu që e pata festën të plotë,” thotë ai me një të qeshur të hidhur.

Ky ishte vetëm fillimi i peripecive që Z. Farahat do kalonte përgjatë dy javë torturash në duart e hetuesve qeveritarë, të cilët kërkonin emrat e revolucionarëve të tjerë për të përndjekur.

Të pakënaqur, zyrtarët e transferuar atë tek godinat qendrore të Degës 291 të Inteligjencës Ushtarake në Damask.

“Sytë mi ishin lidhur dhe më kaluan tek një oficer, i cili filloi të më shante,” kujton Z. Farahat. “Ai më tha: ‘Të garantoj se ti nuk do e shohësh më kurrë dritën e diellit.’ Mendova se qe e vëretetë.”

Ai u fut në një qeli që ishte vetëm 5×6 metra e që kishte mbi 100 burra brenda, kryesisht të dyshuar se konspironin kundër regjimit të Asadit.

“Thjesht nuk e mbaj mend se si mbijetova,” thotë Z. Farahat, duke përshkruar kushtet e tmerrshme gjatë burgosjes së tij 4-mujore që përfshin nxehtësinë ekstreme, mungesën e ujit dhe ushqimit, dhe kushte sanitare skandaloze.

Ai ndante një copë betoni 30×150 cm me një shok qelie, duke ndejtur në këmbë e duke u shtrirë me radhë për të mbledhur fuqitë për seancat e pafund të rrahjeve dhe marrjes në pyetje. Ai dëshmoi se shtatë vetë vdiqën gjatë ndalimit të tij, dhe dëgjoi për shumë të tjerë.

“Disa u rrahën deri në vdekje gjatë marrjes në pyetje,” thotë Z. Farahat. Tortura është për t’i bërë njerëzit të rrëfejnë, por është dhe mjet ndëshkimi që ata as të mos e mendojnë më kurrë t’i bashkohen revolucionit. Kjo ka 40 vjet që ndodh në Siri.

“Të tjerët vdiqën nga sëmundjet ose dobësia – një plagë e vogël mund të të vinte jetën në rrezik për shkak të kushteve në qeli dhe mungesës së kujdesit mjekësor.”

Doktori tregon se disa të tjerë u dorëzuan ndaj kushteve ekstremve dhe rrëfen se si ai pa tre burra që vdiqën para syve të tij pasi kaluan në krizë nga nxehtësia dhe dehidratimi.

“U mundova t’i ndihmoja të plagosurit dhe të dobtit duke i rënë derës dhe u kërkuar rojeve disa mjete mjekësore, ose që të lejohesha t’i nxirrja jashtë për të marrë pak ajër të freskët,” tregon Z. Farahat. “Rojet vinin tek hekurat dhe më thoshin: ‘Bjeri derës kur të kenë vdekur.’ U bë si thënie e famshme.”

Dëshmi të ngjashme kanë dhënë shumë të burgosur të tjerë, përfshirë një burrë të ndaluar në Degën 235 të Inteligjencës Ushtarake në Damask.

Ziadi tregon se dhjetëra të burgosur u asfiksuan për vdekje kur sistemi i ventilimit pushoi së punuari në qelinë e tyre. Ai shtoi se “rojet filluan të na gjuanin me shkelm për të parë se kush ishte gjallë e kush jo. Mua dhe të mbijetuarit tjetër na thanë të ngriheshim – aty e kuptova se kisha fjetur pranë shtatë trupave të vdekur. Më pas pashë trupat e tjerë në korridor, gati 25 trupa të tjerë.”

Të ndaluarit raportojnë për metoda të ndryshme torture, si shtrembërimi i trupave të viktimave për t’i futur në goma makinash, varja prej tavanit, djegia me ujë të valuar e me cigare, ose shkulja e thonjve.

Z. Farahat më në fund u transferua në një burg tjetër në Damask dhe u gjykua nga një “gjyq terrorizmi”, ku u la i lirë pasi nuk kishte prova që të justifikonin ndalimin e tij të mëtejshëm.

Por kur u kthye tek spitali i tij iu refuzua punësimi pasi ishte futur në një listë të zezë nga autoritetet, dhe ëndrra e tij për t’u kualifikuar si mjek pediatër pas disa muajsh u shua.

Ndërsa vazhdonte të kërkonte punë si mjek, ai u riarrestua bashkë me një grup shokësh në prill 2013 teksa hanin në një restorant.

Oficerët e shërbimit të inteligjencës kishin dashur të ndalonin një shok të tij që punonte si gazetar lajmesh, por arrestuan Z. Farahat sërish për shkak të “dosjes së zezë” të tij, duke e rifilluar dhe njëherë ciklin e torturës.

Pasi u lirua për herë të dytë pas 6 muajsh, ai mori një fletë rekrutimi për shërbimin e detyruar ushtarak dhe u largua për në Liban ilegalisht për tu shpëtuar kontrolleve kufitare.

“U tregova prindërve të mi vetëm pasi arrita në Liban, por nuk isha krejt i sigurt se atje kishte shumë spiunë të regjimit sirian,” thotë ai.

Pas dy vitesh në kampet e refugjatëve ai u zgjodh nga Agjensia e Refugjatëve e OKB për risistemim në Britaninë e Madhe dhe u zhvendos në Bradford në mars 2015.

Pasi gjeti punë si ndihmës mësues në një shkolle 8-vjeçare në Londër ai planifikon të lëvizë në kryeqytet për të filluar punë muajin tjetër.

“Nuk e di pse u përzgjodha, isha kaq i lumtur,” thotë Z. Farahat, por çlirimi i tij është i njollosur me dëshpërim për vendlindjen e tij në provincën e Idlibit, e cila gati është rrënuar e tëra gjatë luftës.

“Nuk e di a do mundem ndonjëherë të kthehem në Siri,” shton ai. “Është një nga pyetjet më të vështira të jetës sime.”

Të dyja degët e Inteligjencës Ushtarake në Latakia dhe Damask, ku u mbajt Z. Farahat, janë listuar nga Human Rights Watch si qendra torture në një raport të 2012-s. Grupi i të drejtave të njeriut gjeti një “politikë shtetërore të torturës dhe keqtrajtimit” që arrin në krime kundër njerëzimit sipar tyre.

Britania është prej atyre vendeve që kanë vendosur sanksione ushtarake ndaj degëve të Inteligjencës Ushtarake Siriane, si dhe ndaj zyrtarëve dhe degëve të tjera të regjimit të Asadit.

Duke përdorur dëshmitë e dhjetëra të mbijetuarëve të torturave, Amnesty International ka bërë kronikën e masakrave në objekte të ndryshme, përfshi edhe burgun famëkeq ushtarak Seidnaja, në rrethinat e Damaskut.

Një burrë u tregoi investigatorëve të AI se si një i burgosur u detyrua të përdhunonte një tjetër nga gardianët përndryshe do vritej, ndërsa një avokat i burgosur tha se 19 të ndaluar u rrahën për vdekje pasi u zbuluan se po mësonin arte marciale.

“Mësuesin e Kung Fu-së dhe pesë të tjerë i rrahën deri në vdekje menjëherë, dhe pastaj vazhduan me të tjerët,” tha Salam, avokati nga Halepi.

“Ata të gjithë vdiqën për një javë. Pamë gjakun që doli prej qelisë së tyre.”

Të gjitha palët në luftën e vazhdueshme civile janë akuzuar për krime lufte, zhdukje njerëzish, ndalime arbitrare dhe torturë.

Amnesty International vlerëson se 17 723 njerëz kanë vdekur në gjendje arresti në Siri midis marsit 2011 dhe dhjetorit, megjithëse shifra reale mund të jetë shumë më e lartë, ndërkohë që fati i mijëra njerëzve nuk dihet.

Drejtori i AI për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Filip Luter, tha: “Për dekada, forcat e qeverisë siriane kanë përdorur torturën si mjet për të shtypur kundërshtarët e tyre. Sot, kjo po kryhet si pjesë e një sulmi sistematik dhe të gjithëpërhapur kundrejt çdokujt që dyshohet se kundërshton qeverinë midis popullatës civile, diçka që përbën një krim kundër njerëzimit. Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Rusia dhe ShBA-ja, të cilat po udhëheqin bisedimet e paqes mbi Sirinë, duhet t’i vënë këto abuzime në krye të agjendës në diskutimet e tyre, si me autoritetet, edhe me grupet e armatosura, dhe t’i detyrojnë ata t’u japin fund torturave dhe keqtrajtimeve.”

Marrë nga The Independent

Përktheu Peshkupauje.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje