Prishja e një krushqie në Borizanë të Krujës ka futur në konflikt dy familje. Dy vëllezërit Leka nga Borizana kanë kanosur me armë gjahu të riun Erind Balla, ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur, duke qëlluar me pistoletë në ajër.
Sipas Policisë së Krujës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, pas një konflikti për motive të dobëta, që sipas të dhënave, lidhet me prishjen e një krushqie.
Me të marrë njoftimin për ngjarjen, policia ka bërë të mundur shoqërimin e autorëve.
Gjatë kontrollit të banesat dhe makinat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri të të gjithë kalibrave.
NGJARJA SIPAS POLICISË:
Më datë 22.08.2016, rreth mbrëmjes, në Borizanë, pas një konflikti për motive të dobëta, vëllezërit Leka, kanë kanosur me armë gjahu shtetasin Erind Balla. Gjithashtu edhe shtetasi Erind Balla ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë vëllezërit Leka duke qëlluar disa herë në ajër.
Me të marrë njoftimin menjëherë në vendngjarje shkuan Efektivat e Policisë, të cilët rrethuan dhe kqyrën vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur sekuestrimin e provave materiale, identifikimin dhe kapjen e menjëhershme të autorëve. U ushtruan kontrolle në banesat e shtetasve të mësipërm dhe në automjetin tip Opel Vektra, me targa AJ 067 XË, të cilës i ishin thyer të gjitha xhamat, në pronësi të shtetasit Erind Balla.
U sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, tip TT, model 54, kalibër 7.62mm, që i përkiste shtetasit Erind Balla; tre armë gjahu, të cilat u gjetën gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Indrit Leka; 1 krëhër me 6 copë fishekë pistolete, kalibër 7.62mm, të cilat u gjetën gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e shtetasit Erind Balla; 2 gëzhnja mod 54, kalibër 7.62mm, në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit: S.Leka 39 vjeç, banues në Borizanë, Krujë.